Zv.ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Niko Hyka, ka mohuar që pajisja e kobaltit që përdoret për terapi ndaj të sëmurëve me sëmundje malinje ka krijuar rrezikshmëri për mjekët dhe pacientët.
Gjatë seancës dëgjimore sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me situatën në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e Raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale me praninë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ai tha se mjekët përdorin dozimetra dhe janë të mbrojtur.
“Mjekët mbajnë dozimetra dhe nuk kanë kaluar limitet e dozës vjetore ose periodike dy-mujore që ata i masin dhe kjo është e dokumentuar edhe nga Instituti i Fizikës, edhe nga Zyra e Radiombrojtjes. Ata që punojnë aty dhe vetë profesionistët e kuptojnë që një lënde e vendosur në një kapsulë dhe nuk qenë asnjë herë aktive, nuk ka dalë jashtë, sigurisht që nuk ka sesi të rrezatohet. Ajo ekspozon rrezatim vetëm në momentin kur implantohet tek pacienti”, deklaroi zv.ministri i Shëndetësisë.
Edhe drejtoresha e QSUNT-së, Alma Cani, deklaroi se pajisja e kobaltit që përdoret për terapi ndaj të sëmurëve me sëmundje malinje është e sigurt dhe nuk ka krijuar rrezikshmëri për mjekët.
“Ky lloj burimi ka avantazh për trajtimin dhe ka jetëgjatësi 5 vite. Është vendosur në punë edhe ortovoltazhi dhe po bëhet trajtimi i stafit për dhënien e dozave. Brenda muajit do të nisim me funksionimin dhe dhënien e terapive për pacientët. Protokollet e sigurisë ndaj rrezatimit janë ndjekur me përpikmëri duke ndjekur rrezatimet për gjithë personelin edhe përmes dozimetrave personale”, deklaroi drejtoresha e QSUNT-së.
Lajmi kryesor:
Ministrja Koçiu: Rritëm me 4-fish buxhetin për trajtimin e sëmundjeve tumorale, akseleratorët e rinj shkurtuan listën e pritjes nga 3 muaj në dy javë
S.B//ReportTv.al