Radoveshi pa ujë, banorët e Gollobordës: Jemi të diskriminuar, turp që themi se jemi shqiptar

26 Korrik 2020, 18:23| Përditesimi: 26 Korrik 2020, 18:27

  • Share

Rreth 500 banorë të fshatit Radovesh në Ostren të Bulqizës po përballen me mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë të nxehta korriku.

Kjo zonë është lënë në harresë, ku prej 30 vitesh nuk është bërë asnjë investim. Banorët shprehen se problemet më të mëdha janë mungesa e ujit të pijshëm dhe infrastruktura rrugore. Një çezme e vetme në qendër të fshatit është mundësia e vetme për këto ditë të nxehta korriku.

"Gjithë natën rrimë këtu për të pirë pak ujë", tha një banore.

"Në Gollobordë nuk ka vënë dorë njeri 30 vite demokraci. Vjen ndonjë për të fituar vota, pa ujë të pijshëm, pa ujë vaditje, pas rrugë", tha një tjetër.

"Më mirë të kalojmë në Maqedoni, të mos themi më jemi shqiptar, turp me thënë se jemi shqiptar", u ankua një banore tjetër.

Kryetari i fshatit Radovesh, Hajrulla Alushi tha e ka adresuar problematikën në Bashkinë e Bulqizës, por nuk është gjetur zgjidhje.

"Problemet nuk kanë të sosur sidomos me ujin e pijshëm. Jemi takuar edhe me Lefter Allën për buxhetin e 2020 dhe i kam thënë problemin me ujin e pijshëm. Erdhi korriku uji shteron por mendja të mos na shterojë të pakën, kemi mundësi t'i bëjmë këto gjëra", tha kryeplaku Alushi.

Banorët e Radoveshit, pjesë e komunitetit Gollobordës ndjehen të diskriminuar.  Ata vetë shprehen se janë braktisur ndër vite nga të gjitha qeveritë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?