Foto nga protesta e PD dje, 16 maj

Opinion

Rajmonda Basha: Kur diferenca është 290 mijë, nuk mjafton të bërtasësh

17 Maj, 07:09| Përditesimi: 17 Maj, 07:17

  • Share

Kur humbet garën me ndryshore të thellë, ankesat pas finishit bëhen të padukshme.

Kjo mbase do përshkruante disi situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ose më saktë humbjen që përjetoi koalicioni më i madh opozitar, Partia Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Ndërsa Tirana pret liderët evropianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian – një event që nënkupton një hap të rëndësishëm për integrimin e vendit në familjen evropiane - Partia Demokratike vendos të protestojë disa metra më larg, në një përpjekje për të sfiduar rezultatin e votës.

Të bindur se votat u vodhën, zyrtarë të opozitës dhe një numër relativisht i vogël simpatizantësh u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Por pyetja e rëndësishme mbetet: Kundër kujt janë këto protesta? Kundër një vjedhjeje reale të votave, apo kundër mospranimit të përgjegjësisë për një humbje që është e pamohueshme?

Diferenca e humbjes nuk është as 5, as 10, as 20 mijë vota.

Është mbi 290 mijë vota – një diferencë që nuk mund të zhbëhet me akuza apo protesta të mbështetura në pak përkrahje.

Mbase në këtë kontekst, nuk është parësore ngritja e akuzave të përsëritura për blerje votash, manipulim apo përdorim të administratës shtetërore.

Është koha për reflektim serioz, për vetëreflektim në brendësi të opozitës.

Për ironi, ndërsa në Tiranë zhvillohej samiti, lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaronte se “narkoshteti ka vjedhur zgjedhjet”, duke përshkruar Shqipërinë si një vend pa zgjedhje të lira dhe pa demokraci funksionale.

Dhe, në të njëjtën ditë, liderë të BE-së uronin kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhje.

Kur brenda vendit refuzohet realiteti dhe nga të huajt, pranohet si progres, ndoshta është koha që opozita të ndalojë eksportin e krizës dhe të fillojë ndërtimin e besueshmërisë së saj.

Në historinë e demokracisë shqiptare, një refren i njëjtë është dëgjuar shpesh: vjedhje votash, manipulim, përdorim i administratës, dhe përfshirje e bandave kriminale.

Këto akuza janë edhe pjesërisht të bazuara, dhe jo pa arsye, pasi edhe organizmat ndërkombëtarë të vëzhgimit kanë “tërhequr veshin” për to.

Por kur këto akuza përdoren si shpjegim ekskluziv për çdo humbje atëherë dhe qëllimi humbet nga thelbi.

Nëse e gjitha shpjegohet me manipulim apo vjedhje, atëherë opozita e ndëshkuar në këto zgjedhje duhet të bëjë një pyetje të thjeshtë: Pse më shumë se 250 mijë qytetarë zgjodhën të mos e votojnë?

Ky është reflektimi që mungon prej kohësh. Dhe nuk e thonë më vetëm kundërshtarët politikë, e thonë edhe njerëz që kanë qenë brenda sistemit dhe jo vetëm.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, sot si njohës i politikës, shkroi qartë në Facebook se “rri apo ikën Sali Berisha nga PD, e ul apo jo qepenin PD nuk më intereson më fare”.

“Po fare, fare. Fakt është se PD betejën e fundit elektorale e ka fituar në 2011… që prej asaj kohe, asnjë fitore. Tani, një parti që ka 14 vite që nuk fiton, kujt i duhet më?”

Edhe gazetari Mentor Kikia, në një vëzhgim të kthjellët, thekson një ndryshim të madh që shpjegon shumë nga kriza.

“Socialistët, edhe kur nuk janë në lista, punojnë për partinë. Demokratët, nëse nuk futen në listë, sulmojnë partinë. S’ka si të jesh opozitë e mirë kur nuk ka as integritet e as frymë bashkëpunimi”.

Dhe, përmes këtyre ideve, duhet kuptuar se nuk është vetëm humbje numerike, por ngecje në rrethin vicioz të justifikimeve.

Protestat kanë një vend të rëndësishëm në demokraci, sidomos kur qytetarët ndihen se të drejtat e tyre janë të cenuara.

Por kur protestat organizohen për të shmangur realitetin dhe përgjegjësinë, ato humbasin kuptimin dhe ndikimin e tyre.

Në vend që të nxisin ndryshimin, ato krijojnë më shumë polarizim dhe krizë besimi te qytetarët.

Afërmendsh, numri i pjesëmarrësve në të, ishte aq i ulët sa nuk duhet të zihet me gojë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?