Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se testet e shpejta kanë ardhur në kohën e duhur në Shqipëri, pasi ato nuk janë efektive në fillimet e pandemisë. Në një intervistë për "Report tv", Rakacolli tha se testet e shpejta përdoren kur ka transmetim komunitar dhe brenda 5 ditëve të para të simptomave, në të kundërt nuk janë efektive.
"Testet e shpejta e kanë efikasitetin në një situatë të caktuar epidemiologjike. Ato nuk mund të përdoren në fillim të pandemisë pasi nuk janë teste që zbulojë materialin gjenetik të virusit si tamponi, ata janë të rëndësishëm në këtë situatë epidemiologjike që jemi aktualisht ku kemi transmetim komunitar dhe japin informacionin siç duhet. Testet e shpejta kanë ardhur në momentin e duhur për situatën që po kalon Shqipëria. Ata janë të besueshëm dhe rezultative në kohën që bëhet brenda 5 ditëshit të parë të simptomave, nëse bëhet më vonë mund të jetësh pozitiv, por testi del negativ për disa arsye", tha Rakacolli.
E pyetur në lidhje me vendimin e mbylljes së Universiteteve, Rakacolli tha se ishte një vendim shumë i diskutuar por i votuar unanimisht nga komiteti i teknikëve për situatën e pandemisë ku ndodhet vendit. Nëse një student mjekësie që mëson online është i aftë për të ruajtur dhe shpëtuar jetën e qytetarëve, Rakacolli nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, duke deklaruar se e rëndësishme është sa i përvetëson njohuritë jo si i merr.
"Se si i merr mësimet nuk ka rëndësi, por rëndësi ka sa i përvetëson. Vendimi i shkollave dhe universitetet ka qenë një vendim shumë i debatuar. Vendimi për mësim online ishte tërësisht unanim”, tha ajo
Zv.ministrja e Shëndetësisë Rakacolli tha se gjatë viteve të fundit është rritur vlerësimi për figurën e mjekut, paga e tyre por dhe janë përmirësuar kushtet në të cilat punojnë.
"Gjatë këtyre 5 viteve është rritur 3 here paga e mjekëve, ka një vlerësim të figurës së mjekut që ka ardhur duke u rritur kohët e fundit si dhe përmirësim të kushteve të punës", u shpreh Rakacolli.