Rakip Shabani për 'Report Tv': Artistët hapin ekspozita më lehtë jashtë vendit, sesa në Galerinë Kombëtare të Arteve

28 Shtator 2018, 15:59| Përditesimi: 28 Shtator 2018, 17:23

  • Share

Piktori Rakip Shabani prezanton në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Identitet”. Në tablotë e ekspozuara në vaj, akuarel dhe grafika piktori trajton tematika nga etnografia dhe arkeologjia e vendit, për të treguar më tepër për identitetin tonë. Vet piktori tregon se si natyra jonë, duke nisur nga dielli, qielli e gjithë atmosfera, pemët e malet janë shqiptare, por edhe kanë dritë dhe formë shqiptare, sepse në to kanë jetuar njerëz, që kanë identitetin shqiptar.

Identiteti ynë është gjithë kulturë, luftërat e mëdha që janë bërë, shumë luftëtar janë mundur, ndërsa artin tonë nuk e kanë mundur. Turqit e mundën Skënderbeun, ndërsa David Selenica dhe Onufri jetuan, edhe janë edhe sot me veprat e tyre. Kështu që identiteti ynë, si i çdo kombi është në art.

Rakip Shabani, piktor

Në vend të rëndësishëm në pikturën e Rakip Shabanit zë bukuria e figurës femërore.

Femra shqiptare gjithmonë është parë e bukur, veshja e saj është jashtëzakonisht e bukur, kryesisht ajo merret me tapiceri e qëndisjes edhe me relike të arit edhe argjendit. Por nuk është vetëm kjo që bën të art atë kostum, por çuditërisht është edhe koloriti i çdo vendi. Etnografia imiton bimët e atij vendi, zogjtë dhe fluturat e tij. Kështu ndërthuren edhe kostumet, ndryshe janë në Vermosh, ndryshe janë nga Jugu edhe ndryshe nga bregu i detit. Unë mendoj se xhubleta ka formën e një piramide edhe është shumë imponuese. Unë mendoj se në çdo sfilat mode që të jetë në botë do të bjerë në sy. 

Rakip Shabani, piktor

Sa kujdesen sot për pasurin etnografike shqiptarët?

Unë kam pasur fatin, që bashkë me të ndjerin Rrok Zojzi kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë edhe kemi mbledhur qilimat, sixhadetë edhe kostumet popullore, nga Piluri deri në Bjeshkët e Nemuna. Jo vetëm etnografia, veshja, por edhe materialet që mbulohen kanë një strukturë jo të zakontë. Unë do të kisha shumë dëshirë, që ne të kishim një pavijon të tillë, thonë se është një i tillë, por që unë nuk e kam parë. Apo në të gjithë Tiranën të ketë një muze dinjitoz për këtë, ose të bëhet edhe kjo që mendoj unë, të merret një iniciativë ku të gjithë piktorët shqiptarë të sjellin një risi të tillë me etnografinë shqiptare.

Rakip Shabani, piktor

Por, piktori që numëron rreth 20 tablo në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, mendon se është më e lehtë që një artist shqiptar të ekspozojë jashtë vendit, se në këtë institucion

Për të qenë më konkret po marrim Galerinë Kombëtare të Arteve, unë bashkë me shumë shokë atje kemi shumë vepra, pra ne jemi pronarët e GKA-së, por që të hapësh një ekspozitë në GKA është më lehtë, që ta hapësh në çdo qytet të botës, sesa në GKA. Atje hapen disa ekspozita që e kanë për mburrje që nuk kanë identitet. Në fakt, GKA jonë është galeri e artit realist, jo socialist. Se në fakt nuk ka ndjenjë realiste dhe socialiste, ndjenja është individuale. Pra edhe ajo titullin duhet ta ketë Galeria e Artit Realist Kombëtar Shqiptar. Mendoj se shumë më mirë do të ishte që të gjitha punët që po kalben nëpër bodrume të ekspozoheshin në sallën e ekspozitave, edhe vet bashkia të ketë salla për të ekspozuar vepra arti, siç i ka Athina, Budapesti etj. Ka ardhur koha që të kujtohen bashkia edhe qeveria për këtë gjë. Të sensibilizohet prania e artit.

Rakip Shabani, piktor

Ekspozita “Identitet” është çelur në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?