Kryeministri Edi Rama apeloi sot nga Gjirokastra për një votë masive përtej të majtës dhe të djathtës, me qëllimin e vetëm anëtarësimin në BE dhe kapjen e afateve për negociatave, pasi “dera e hapur e BE mund të mbyllet me kënetën”.
Kryesocialisti theksoi se “vetëm PS dhe ai e çojnë Shqipërinë në BE”.
“A doni t’i mbyllim negociatat? Po! Negociatat me BE i mbyllim vetëm unë me PS-në, nuk ka tjetër. Se po prite 6 muaj, dera mbyllet dhe s’ka më negociata e anëtarësim, dera e BE mbyllet. Jo se ata i mori malli për ne, por sot kanë nevojë ata për ne dhe kanë hapur derën. Kurse ne ta shfrytëzojmë dhe të mos lejojmë të mbyllet ajo derë, një herë ndodh, ndryshe mbyllet, është koha e duhur, janë përputhur yjet e fatit”, tha kryeministri.
Më tej ai vuri përpara shqiptarëve alternativën e kundërshtarit, sikur Sali Berisha të shkonte për negociata në BE.
“Imagjinoni t’u çosh atyre atje bufin për negociata? E mendoni dot, ça do u thotë ai atje, bufit që i fiket tre herë në ditë llamba!”, ironizoi ai kreun e PD-së.
Kryeministri vuri në dukje qëllimin e opozitës për ta kthyer vendin pas, ndaj apeloi që forca e grave është e madhe dhe se me to anëtarësimi në BE është më i arritshëm.
“Ndaj ne populli shqiptar përtej dallimeve partiake, nuk ka më kohë për ne të qëndrojmë jashtë BE-së. Kjo është koha e duhur, nuk ka më kohë, ndaj ju lutem të gjithëve, besoj shumë të forca juaj, të gjitha me shoqe, fqinje, kushërinj e miq, të votoni më 11 maj për Shqipërinë në BE. Nuk kam asgjë me burrat, as me ata që janë çyrykë, por nëse Shqipëria ishte e prapambetur ishte se kishte grua të paralizuar, forca e gruas ishte e paralizuar, nuk qëndron dot një vend me një këmbë. Sa më shumë vendimmarrje i japim gruas, aq më shumë ecim përpara, unë jam shumë i bindur për këtë, edhe pse është opinion. Por duke iu referuar edhe Margareth Thaçet e ka thënë, muhabeti bëhet me burra dhe punët zgjidhen me gratë. Edhe Papa Francesku, ramët pastë, e tha se me gratë punët bëhen më mirë. Lum ata burra që e pranojnë se fal grave janë më të fortë, se bëjnë më pak gabime, janë më mirë”, vijoi ai.
Lajmi kryesor:
Rama pritet me polifoni në Gjirokastër: Shqipëria është në drejtimin e duhur, Dumanin e bëmë ne të njohur! Bufi bënte sehir kur u vranë 4 njerëz në bulevard
A.Q/r.k./ReportTv.al