Rama dhe Berisha

Politikë

Rama apo Berisha? Cilin politikan besojnë shqiptarët më shumë, sipas sondazhit të Institutit Republikan Amerikan

14 Janar, 22:22| Përditesimi: 14 Janar, 22:30

  • Share

1736889791_RamadheBErisha.JPG

Një sondazh i publikuar nga  Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon se cilin nga politikanët mbështesin më shumë shqiptarët.

Në sondazh spikatin diferencat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind).

Nga ana tjetër në sondazh cilësohet se mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).

Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre.

Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre.

Sondazhi u krye nga IDRA Research & Consulting në emër të Qendrës për Vështrime në Kërkimet e Anketave të  Institutit Republikan Ndërkombëtar  në të gjithë Shqipërinë.

Puna në terren u krye midis 3 tetorit dhe 2 nëntorit 2024, përmes teknikës së Intervistimit Personal të Asistuar me Kompjuter (CAPI), e administruar përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve.

Kampioni prej 1200 shqiptarësh u përzgjodh nëpërmjet një përzgjedhjeje të grupimeve të shtresuara dhe kampioni i arritur u mor i balancuar për grupmoshat, rajonin, gjininë dhe arsimin sipas parametrave të Censusit 2023. Marzhi i gabimit për intervalin e mesëm të kampionit të plotë nuk i kalon ±2,8 pikë në nivelin 95% të besimit. Shkalla e përgjigjeve ishte 51%.


Lajmi kryesor:

Anketa e IRI: SPAK-u institucioni më i besueshëm, por priten më shumë hetime dhe ndëshkime ndaj politikanëve


G.K/S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?