Në prezantimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e territorit, Kryeministri Edi Rama ka shpalosur një sërë ligjesh dhe rregullash që duhet të respektohen nga ndërtuesit.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi edhe punën e arkitektëve, për të cilët tha se kanë pranuar deformime të projekteve nga ndërtuesit.
Nëse kjo ndodh, theksoi Kryeministri Edi Rama, do të konsiderohet vepër penale.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje arkitektëve që të raportojnë çdo deformim të projektit nga ana e ndërtuesit.
“Nga ana tjetër është e rëndësishme që të bllokohet zinxhiri sepse ndërtuesit nuk operojnë në vetmi, operojnë me arkitektët të cilët pranojnë deformimet dhe nuk njoftojnë autoritetin përkatës shtetëror siç ndodh në gjithë botën. Ky mosnjoftim do konsiderohet vepër penale, pjesëmarrje në një vepër penale dhe natyrisht që arkitekti do humbasë gjithçka. Sepse nëse një arkitekt pranon deformimin e projektit, nuk është një pikturë që pranon të vijë dikush e të fusi duart se në fund të ditës mbetet një pikturë, por është një pasuri të cilën e kanë blerë të tjerët. Dhe këtu nuk është çështje as thjesht dhe vetëm pasojash imediate, është çështje pasojash në gjenerata sepse nuk mund t’i lëmë gjeneratave godina të deformuara nga shija vulgare e atyre që numërojnë vetëm metra katrorë, që kanë më shumë vetura se çorape. Njerëzit nuk vishen thjesht sepse mbrohen nga i ftohti, njeriu përpiqet të vishet sa më me shije. Si mund t’i veshim godinat e qytetit si zhele? Si mundet që fasadat e projektuara nga arkitektët të transformohen në fasada të bëra shkel e shko nga ndërtues që nuk dallojnë më shumë se 4 ngjyra? Është e patolerueshme. Në çdo fazë të projektit kjo nuk do lejohet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Lajmi kryesor:
Ndërtuesit që shkelin lejen 5 vite në ‘listë të zezë’! Rama: Nëse shesin apartament dy herë, konfiskim direkt! Aksioni gjithë mandatin
V.GJ /r.k./ReportTv.al