Duke folur për vështirësitë me të cilat përballen mësuesit për të edukuar brezin e ri, kryeministri Edi Rama shkëmbeu edhe disa batuta me mësuesit. Rama tha se e kupton vështirësinë e tyre për tu përballur me “çerrat e sotëm”, duke iu referuar nxënësve. Rama tha se sot “çerrat” kanë shumë informacione të paorientuara dhe shkojnë në shkollë me “shokun”, duke iu referuar celularit.
“E kuptoj vështirësinë për tu përball me ato çerrat që janë një gjë tjetër komplet nga çfarë kemi qenë ne, unë dhe ju që jeni më të rinj se unë. Nga koha kur kërkoja nëpër sallë bashkëmoshatarë të rinj si puna ime për të luftuar me të vjetrit, sot kërkoj nëpër sallë ndonjë bashkëvuajtës si puna ime që numëron fijet e flokëve të cilave u ka humbur edhe ngjyra. Krahasimi me çerrat sot është i vështirë, se çerrat sot kanë informacion shumë më tepër, por shumë më të pakontrolluar dhe të paorientuar edhe vijnë në shkollë me një shok në xhep, që e fshehin si të munden e sa të mundem, ndërkohë që sa dalin nga shkolla me atë shokun fillojnë e bëjnë një jetë tjetër që s’ka lidhje me atë çfarë u thoni ju, apo u themi të gjithë bashkë kur na futen nëpër shtëpi”, tha Rama.
