'Shkoni në paqe' Podcasti me Arqipeshkvin Arjan Dodaj: Papa Françesku kujton gjithçka për Shqipërinë! Rama: Vizita e tij emocion, ja ç'më tha për gjyshen

23 Dhjetor 2023, 12:48| Përditesimi: 23 Dhjetor 2023, 15:07

  • Share

Imzot Arjan Doda, Arqipeshkvi i Dioqezes Tiranë Durrës, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, ishte i ftuari i Kryeministrit Edi Rama në episodin 15 të sezonit 2 të podkastit FLASIM. 

Rama zhvilloi një bisedë të veçantë me Imzot Arjan Dodën, teksa ai i shpjegoi momentin e afrimit me Zotin. Një vend të veçantë në bisedën e Ramës me Imzot Dodajn ishte lidhja e Papa Françeskut me Shqipërinë dhe dashuria e tij për shqiptarët.

‘Me Papa Franceskun kam momente më të veçanta! Ndihem si një fëmijë i tij, nuk e di ai ka një dashuri të veçante jo vetëm për mua por për të gjithë ne shqiptarët, veçanërisht të asaj që ka përjetuar në Shqipëri. Edhe për ju. Pyet për ju kujton edhe historinë e gjyshes suaj, kjo është shumë e bukur. Kujton dëshminë motrën Marie Kalës, ose të Ernest Simonit, kardinalit tonë. Kujton në një farë mënyrë atë situatën që përjeton edhe vendi ynë.’- tha Imzot Dodaj.

‘Mua më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme sa herë që e kam takuar. Por gjëja që se harroj kurrë ishte kur erdhi këtu. Kur unë e takova ai sapo ishte zgjedhur Papë ,i tregova eksperiencën e përkatësisë sime katolike, e lidhur me dilemat e gjyshes, gjyshërit, prindërve etj. Kur zbret shkallët i them mirëserdhët dhe shumë faleminderit që e mbajtët fjalën. Jo më tha mos më falëndero mua, por falëndero atë gjyshen tënde ajo më solli mua këtu. Ajo po të sheh dhe është shumë krenare.’- tha Rama.

Imzot Arjan Doda shpjegoi se vinte nga një brez që nuk e trashëgoi dimensionin e fesë në aspektin ritual, duke theksuar se figura kryesore e dimensionit të fesë për të ishte figura e gjyshit.

“Sepse realisht pa e kuptuar e shihja gjithmonë në lutje, me rruzaret në duar, që atëherë nuk lejoheshin, por gjyshi i kishte bërë rruzaret me farat e ullinjve, që të mund të lutej. E shihja të fiksuar përballë një dritareje për më shumë se 30 minuta. Përballë saj, ndoshta 300 metër larg, ishte një stallë që më pas u kthye në ofiçinë. Për sytë e mi nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme. Por më pas e kuptova. Aty kishte qenë një kishe, ku në të kishte qenë  prifti, i Lumni sot, Don Shtjefën Kurti”, u shpreh Imzot Arjan Doda.

Dimension tjetër, tha ai, ishte dhe fakti që ishte lindur e rritur në Laç.

“Pranë shkollës sime kalonte rruga që të çon te Kisha e Shna Nojt. Në atë kohë ishte e pamundur të shkoje e ta vizitoje, pasi edhe ushtarët krijonin një brez për të penguar. Por të martave, kur vinte treni i mëngjesit nga Shkodra, krijohej një karvan me nëna, me gra me fëmijë, shpesh të sëmurë, që shpeshherë ia dilnin të çanin kordonin e shpesh jo. E kur s’ia dilnin na kërkonin ne fëmijëve që t’ua çonim letrat e shkruara me “njetin” lart te Kisha. Ne shpesh shkonim dhe u çonim lutjet. Isha në këtë labirinth që më pas e kuptova….”, rrëfen Imzot Arjan Doda

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?