Rama çon njësinë antikorrupsion
për kontroll te Ministria e Arsimit 

14 Korrik 2017, 16:56| Përditesimi:

  • Share
Njësia Anti-korrupsion e Kryeministrisë me urdhër të Ramës ka nisur një kontroll të imtësishëm në Ministrinë e Arsimit, të drejtuar nga teknikja e PD, Mirala Karabina.
 
Në qendër të kontrollit nga Njësia Anti-korrupsion e Kryeministrisë kanë qenë të gjitha lëvizjet, emërimet dhe shkarkimet nga kjo ministri.
 
Rama: Hetim emërimeve e shkarkimeve
Burime për Report TV bëjnë me dije se grupi i anti-korrupsionit është ngritur nga njësia e posaçme pranë Kryeministrisë, me urdhër të vetë kryeministrit.

Të ushtrohet kontroll administrativ dhe ligjor në Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit lidhur me zbatimin e procedurave të ndjekura për menaxhimin e burimeve njerëzore” thuhet në urdhrin Ramës për  Njësinë e Anti-korrupsionit në Kryeministri.

urdheri rames per kontroll ne ministrine e arsimit
Ministrja: S’kontrollohem unë, por Ndreca, nuk kam bere asnje emërim
Ministria e Arsimit ka reaguar pas urdhrit të Ramës për kontroll përmes njësisë Anti-korrupsion.
 
Karabina përmes një deklarate shpërndarë për mediat pranon se është njohur me urdhrin dhe mirëpret ushtrimin e kontrollit.
 
Ministrja teknike e PD thotë se objekt i këtij urdhri, nuk është dhe nuk mund të jetë veprimtaria e saj, pasi detyrimin për të menaxhuar burimet njerëzore dhe për të ndjekur procedurat ligjore përkatëse mbi to, është përgjegjësi e Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm i MAS, i cili sipas ministres është i  pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim penal për shpërdorim detyre.
 
Ajo thotë se Ndreca ka kryer shkelje dhe për këtë ka informuar edhe Ramën, ndërsa akuzon se gjatë 2017 janë kryer veprime korruptive nga Sekretari i pezulluar.
 
Në fund të deklaratës së saj, pasi thekson se nuk do të bjerë pre e presioni, Mirela Karabina shprehet se nuk ka kryer asnjë emërim dhe nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi.
 
Deklarata e plote e MAS
Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Karabina, është njohur sot më datë 14.07.2017, në orën 14.10, me urdhrin nr. 3933 Prot., datë 14.07.2017 “Ushtrim kontrolli” të Kryeministrit, ku thuhet se: “Të ushtrohet kontroll administrativ dhe ligjor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, lidhur me zbatimin e procedurave të ndjekura për menaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë vitit 2017”.
 
Qartësisht objekt i këtij urdhri, nuk është dhe nuk mund të jetë veprimtaria e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që sipas ligjit drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion. Ndërkohë, që sipas legjislacionit në fuqi, detyrimin për të menaxhuar burimet njerëzore dhe për të ndjekur procedurat ligjore përkatëse mbi to, është përgjegjësi e strukturave administrative të Ministrisë së Arsimit. Për vitin 2017, deri në momentin e pezullimit nga detyra, kjo ka qenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e z. Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm i MAS, I pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim penal për shpërdorim detyre.
 
Sic edhe është bërë me dije në vijimësi, për veprimtarinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, janë konstatuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës, deri në shpërdorim të detyrës, për të cilat Ministrja ka paraqitur kallëzim penal në prokurori dhe ka informuar mbi 5 herë Kryeministrin Edi Rama mbi shkeljet e kryera prej tij, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe drejtimin administrative të MAS.
 
Në këtë kontekst, Ministrja Karabina mirëpret grupin e kontrollit të Kryeministrisë, për të verifikuar strukturat përgjegjëse që janë të ngarkuara me menaxhimin e burimeve njerezore, gjatë vitit 2017, si dhe siguron opinionin publik se do të vendosë në dispozicion të këtij grupi kontrolli dhe më pas edhe të publikut, të gjitha faktet dhe rrethanat që provojnë veprimet e paligjshme dhe korruptive të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe funksionarëve apo ish funksionarëve të tjerë të MAS të kryer gjatë vitit 2017 dhe më parë.
 
Të shqetësuar nga dokumentimi i shkeljeve të kryera prej këtyre funksionarëve gjatë vitit 2017 dhe më parë, gjatë kohës ku pranë institucionit janë prezent edhe audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët janë mirëpritur dhe po bashkëpunojnë në kryerjen e detyrës së tyre, të ashtuqujturat “burime nga MAS”, kanë keqinformuar mediat se pranë Ministrisë së Arsimit ka mbërritur struktura antikorrupsion e Kryeministrisë, për gjoja verifikimit të veprimtarisë së Ministres. Gjatë kësaj periudhe Ministrja e Arsimit nuk ka kryer asnjë emërim, apo nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi, sic raportojnë “burimet” që shpërndajnë lajme të pavërteta.
 
Ministrja e Arsimit znj. Karabina hedh poshtë cdo pretendim apo lajm të shpërndarë në media se objekti i kontrollit është veprimtaria e saj. Ajo shpreh të gjithë gadishmërinë për të qenë subjekt kontrolli mbi veprimet e saj gjatë gjithë ushtrimit të detyrës gjatë kësaj periudhe, qoftë nga struktura administrative, ashtu edhe nga organet e specializuara të zbatimit të ligjit. Të njëjtën qasje dhe qetësi duhet të tregojnë edhe funksionarët apo ish funksionarët e tjerë të MAS, apo drejtues të institucioneve shtetërore.
 
Për trasparencë, dhe për të shmangur cdo keqkuptim apo keqinformim me dashje të opinionit publik, MAS bashkëlidhur ju dërgon për njohje urdhrin e kontrollit dhe programin e kontrollit, të depozituar sot pranë institucionit tonë.
 
Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Karabina, siguron opinionin publik se gjatë ushtrimit të detyrës, ka qenë dhe do të jetë deri në ditën e fundit të detyrës, garante e zbatimit korrekt të ligjit. Në këtë drejtim, znj. Karabina nuk do t’i nënshtrohet asnjë forme presioni të paligjshëm, që synon të shfokusojë Ministren në dokumentimin e shkeljeve të konstatura, apo përfundimin e misionit të saj për të dokumentuar përdorimin politik të strukturave arsimore gjatë fushatës zgjedhore.
 
Në përfundim, Ministria e Arsimit dhe Sportit, është e hapur për të bashkëpunuar, jo vetëm me grupin e kontrollit që do të nisë punë të hënën, por edhe me cdo strukturë tjetër të ngarkuar nga ligji për të kontrolluar veprimtarinë e institucioneve shtetërore.


Karabina 'harron', punësoi militantin e PD
Ministrja deklaroi se nuk ka kryer asnje emerim ne administrate dhe se urdhri i Rames ka qellim hetimin e Sekretarit te Pergjithshem, pasi Burimet Njerezore jane ne varesi te tij, por pak ditë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, Report Tv denoncoi një rast kur Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina punësoi në sektorin e redaktimit gjuhësor, Valter Meshin, i cili njihet si një nga militantët më të dhunshëm të Partisë Demokratike.
 
Veprim ky i Ministres Karabina, ishte njëri ndër ata që binte në kundërshtim  me ligjin dhe me Kodin Zgjedhor neni 88, ku nuk lejohet punësimi i një eksponent të dhunshëm e të ndëshkuar zyrtarisht.
 
Valter Meshi, njihet si zjarrvënësi i bunkerit muzeum në qendër të Tiranës, gjatë protestës së opozitës para dy viteve, dhe po para dy vitesh ka kërcënuar edhe ish Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, me emailet që i dërgonte.
 
Për rastet emërimeve dhe shkarkimeve në sektorin e burimeve njerëzore, Rama sot urdhëroi për kontroll në Ministrinë e Arsimit njësinë e anti-korrupsionit. 
Karabina gënjen
Urdhri i emerimit te Valter Meshit nga Karabina

Rama u kërkoi sot ministrave që të largohen
Edi Rama u kërkoi sot ministrave teknikë të Partisë Demokratike të largohen nga qeveria, pasi misioni i tyre ka përfunduar.
 
Në pamundësi ligjore për t’i shkarkuar, Rama iu kërkoi drejtpërdrejt dhe në mënyrë të qartë 6 ministrave dhe zëvendëskryeministres demokrate të dorëhiqen.
 
Unë nuk jam zotuar që do i shkarkoj, por kam thënë që do largohen. Pres të largohen, sepse nuk kanë më arsye që të qëndrojnë.
 
Misioni i tyre ka mbaruar me sukses të plotë dhe pres që të largohe
n”, u shpreh Rama. Por zv/ kryeministrja deklaroi se nuk largohen pa përfunduar raportin për zgjedhjet. 

Ministrat teknikë të PD
Dritan Demiraj ministër i Brendshëm, Helga Vukaj te Financat, Mirela Karabina te Arsimi, Xhulieta Kërtusha te Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arben Beqiri te Shëndetësia, Gazmend Bardhi i Drejtësisë si dhe zv/kryeministrja Ledina Mandija u emëruan në kabinetin "Rama" pas marrëveshjes që Kryeministri arriti në 18 maj me kryetarin e PD, Lulzim Basha.
 
Si rrjedhojë e këtij pakti, detyrë e ministrave ishte mbarëvajtja e procesit të zgjedhjeve të 25 qershorit, por edhe pse zgjedhjet kanë tre javë që kanë përfunduar, ministrat e PD qëndrojnë ende në detyrë.



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?