Kryeministri Edi Rama, në takimin me kryebashkiakut e vendit në Durrës, kritikoi departamentet e bujqësisë në bashki, duke i cilësuar si qesharake dhe vetëm për qoka. Ai kërkoi më shumë bashkëpunim të bashkive me fermerët për t’i ndihmuar këta të fundit në investime dhe projekte të reja.
"Nëse shkoni në Greqi, Itali e kudo tjetër në një vend të BE, por edhe përtej, do të shikoni se bashkitë janë pjesë e jetës së fshatit si sipërmarrëse. Bashkitë janë pjesë e strukturave të grumbullimit, përpunimit, e linjave të eksportit dhe sot kemi një instrument shumë më domethënës sesa kemi pasur deri dje, ku bashkitë duhet të marrin përgjegjësinë dhe pjesën e tyre që është linja e kredisë e BSH 250 mln euro, një kredi e butë, ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse. Duhet t’i bëjnë bashkë fermerët dhe të bëheni aksionerë për të bërë një linjë përpunimi për të prodhuar vajin e ullirit, salcën e domateve etj. Duke qenë bashkitë pjesë, bëhet më e thjeshtë për bankat për të mbështetur këto projekte. Duke u bërë bashkitë pjesë e kësaj, edhe qeveria ka mundësi të rrisë mbështetjen. Kush do t’i ndihmojë dhe do t’ua bërë më të lehtë rrugën njerëzve që janë në fshat për të shkruar projektin, kërkesën për kredi, për të pasur aksese në fonde të tjera të BE? Kush? Se tokën dinë ta punojnë vetë ata, edhe domaten dinë ta nxjerrin vetë deri te dera. Por para ekstra që të fusin për të mos e lënë prodhimin thjesht dhe merre e nxirre jashtë dhe bëje më shumë se kaq, mund nëse bashkitë janë pranë tyre. Departamentet e bujqësisë në bashki janë qesharake, komike, për të bërë qoka. Nuk janë departamente që merrem me njerëzit, me tokën e njerëzve për të cilën kanë respekt. Është më tepër sesa gjysma në një zonë kur nuk kanë titullin e pronësisë. Me emigrantët që janë jashtë, që shumë prej shumë tanimë falë edhe pjesës së madhe që u bë me diasporën, i njihni për t'ju thënë hajdeni se do t'ju ndihmojmë ne", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama ‘ultimatum’: Brenda së hënës kryetarët e njësive administrative të shkarkuar! Qendër monitorimi për ndërtimet pa leje, Operator kombëtar për ujin e mbetjet
Xh.D/SI.E./ReportTv.al