Politikë

Rama: Deri më 2027 duhet të jemi si orë zvicerane, nëse na mbyllet dera mund të rrimë edhe 15 vite të tjera jashtë BE-së! Më 11 maj nuk votoni për mua, por për Shqipërinë

23 Prill, 20:32| Përditesimi: 23 Prill, 20:48

  • Share

 

Kryesocialisti Edi Rama kujtoi edhe një herë para grave dhe vajzave beratase se ylli i fatit është përputhur për vendin tonë dhe dera e BE-së është hapur.

Por shtoi se nëse Shqipëria nuk bëhet “orë zvicerane” deri më 2027, ajo derë mund të mbyllet edhe për 15 vite të tjera.

Kreu i mazhorancës tha gjithashtu se dikur BE i shikonte shqiptarët si të dorës së dytë dhe me bezdi, kurse tani i ka ftuar në Union.

“Më 11 maj na ka ardhur ne fati, për ne, që ne të bëjmë histori me 1 votë. Fati e ka dashur që ylli i fatit të BE-së, të rreshtohet në vijë të drejtë. Fati e ka dashur që të gjendemi ne këtu, në vendin dhe kohën e duhur, BE do që ta marrë Shqipërinë brenda në Europë. Fati e ka dashur që ne të gjendemi pak nga finishi, te ai prag që shqiptarët e kanë ëndërruar prej shekujsh. Që na e ka përcaktuar profeti i historisë tonë kombëtare, Skënderbeu, ku i vuri gjoksin Europës dhe tha se vendi ynë është në Europë. E pastaj shekuj pas shekujsh, poshtërimesh e rrëzimesh, që rilindasit e kthyen në amanet, duke e lënë të shkruar se dielli lind nga perëndon, e të tjerë e të tjerë me radhë, kur u përmbys diktatura, pa udhëheqës populli formuloi vetë Shqipërinë e duam si Europa dhe sot populli shqiptar gjendet para derës së Europës, e duket kaq afër sa fundi bulevardit ku jemi këtu.

BE na ka dhënë kalendarin, tre vjet, të punojmë së bashku ditë dhe natë, ta mbyllim kalendarin, kemi filluar vjet! (Këndohet ezani, Rama ndërpret fjalimin) Ta respektojmë!

E kishim fjalën te negociatat. Ne jemi pranë BE-së, deri më 2027 duhet të mbyllim negociatat. Dhe duhet të jemi si sahat zviceran deri më 2027-ën. Janë 250 mijë faqe, punohet natë e ditë nga të gjithë. Tani jemi shumë pranë. Dikur na shikonin si delen e zezë, kur na dëgjonin, na dëgjonin sa për të larë gojën, mezi prisnin sa të mbaronim ne fjalën. Ku janë sot Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut që sot ka ndërruar edhe emrin. Sot jemi krah për krah me Malin e Zi, të tjerët janë mbrapa. Por ajo derë është hapur dhe ne duhet ta kapim afatin, sepse ajo derë mund të mbyllet. Ata nuk na presin neve, dera mund të mbyllet, e të mbetemi jashtë BE-së edhe për 15 vite të tjera, se u ka ndodhur edhe të tjerëve”, u shpreh ai.

Rama apeloi që vota më 11 maj të ishte masive, teksa shprehu habinë me kundërshtarët që zgjedhin kënetën, duke i mohuar Shqipërisë pasaportën europiane. Ai shtoi se më 11 maj nuk votohet për të, por për të ardhmen e vendit dhe fatin e integrimit të tij.

“Ka gjë më të madhe se kjo përgjegjësi dhe mundësi historike dhe që vjen te një votë e jotja dhe ti ta përfillësh se s’të pëlqen PS apo Edi Rama, apo kulmi fare, se të tërheq këneta. Apo për prindërit, që duan t’i lënë fëmijët pa pasaportën europiane, duan t’i lënë pa Europë. Edi Rama sot është nesër nuk është, por Shqipëria do mbetet gjithmonë. Shqipëria është dhe s’është mirë në varësi të vendimeve që marrim ne. Ky është rasti që Shqipëria të jetë zonjë e ulur në sallonin e BE-së. Që shqiptarët të mos jenë të dorës së dytë si dikur, por të banojnë në kërthizën e BE-së, në qendër, jo në periferi, të mos jemi të huaj.

Jo të na pyesin ku po shkon, pse po shkon dhe pyetja e tmerrshme, kur do kthehesh? Sepse jemi të huaj. Ose për studentët që të paguajnë më shumë se janë të huaj. Kurse me këtë pasaportë paguajnë ekzaktësisht sa studentët europianë. Me të Greqisë keni shumë të njohur e familjarë që kanë ankthin e madh do u njihet a jo pensioni dhe kërkojnë nga qeveria që të bëjnë çmos dhe po bëjmë, por është e vështirë, e mbyllëm me Italinë, po punojmë dhe me ta, edhe pse e vështirë. Por nëse shqiptarët marrin këtë pasaportë do të thotë e drejtë pensioni, leje, të drejta të barabarta, njohje automatike e atyre pensioneve. Gëzojnë të drejta edhe për t’u bërë eurodeputetë e kryetarë bashkie, anëtarë të këshillave bashkiakë atje, vetëm kryeministra e ministra nuk bëhen dot. Nëse bëhemi anëtarë të BE-së, për bujqësinë dhe fermerët do marrim 300 mln euro në vit ndihmë, ndërsa në kaq vite në total kemi marrë 200 mln euro”, theksoi kryesocialisti.


Lajmi kryesor:

Rama nga Berati: Bufi dhe kukumjaçkat e tij nuk vranë vetëm një herë, s'kanë asnjë pendesë! Bozdo 'qyp arkeologjik'! Partia s'mund të jetë peng e Vrenozit me gjuhë kënete


A.Q/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?