Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektuan sot punimet për rikonstruksionin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.
Rama theksoi se falë këtij investimi 20 mijë paciente në vit dhe një trupë mjekësore e nivelit të lartë do të kenë në dispozicion një maternitet të standardeve më të mira europiane.
Ndërsa ministrja Koçiu deklaroi se punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti së bashku me mobilimin dhe pajisjet e teknologjisë së lartë duke e transformuar në qendër lider në ofrimin e kujdesit obstetrik dhe gjinekologjik si dhe duke siguruar standarde të larta për kujdesin shëndetësor ndaj nënave dhe fëmijëve.
Ajo theksoi se ky investim në një sipërfaqe prej rreth 6 mijë metër katrorë përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë
“Rikonstruksioni i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po realizohet me dy faza. Faza e parë që ka të bëjë dhe me ndërtimin e godinës kryesore, diku tek 6000 metra katrorë ka përfunduar në fund të vitit që shkoi, ndërkohë që ka filluar rikonstruksioni i fazës së dytë me ambientet e shërbimit të neonatologjisë. Ndërkohë që këtu në godinën e re, tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë janë shërbimet kryesore; shërbimi i obstetrikë dhe gjinekologjisë, ndërkohë që kemi edhe shërbimin e imazherisë, kemi qendrën e gruas në krah të majtë që është e gjitha e ndërtuar e re, ndërkohë që shërbimi i urgjencës së bashku me triazhin organizohen në katin e parë” tha Koçiu.
Më tej ministrja theksoi se është mundësuar dyfishimi i kapaciteteve, 7 salla operacioni 6 salla lindjeje me kushte bashkëkohore.
“Në katin e dytë kemi të organizuar shërbimin e obstetrikës. Godina e re ka 6 salla operacioni dhe 7 salla lindjeje. Kemi dyfishuar kapacitetet. Nga 260 shtretër që janë aktualisht, kapacitetet e shtretërve janë rritur në 360. Secili nga shërbimet ka edhe shërbimin intensiv. Ndërkohë që punimet priten të përfundojnë brenda këtij viti, së bashku të dyja fazat, së bashku me mobilimin dhe me pajisje të teknologjisë së lartë. Është një investim i buxhetit të shtetit - shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila shtoi ndër të tjera se punimet për godinën tjetër përbëjnë fazën e dytë.
Aty po bëjmë shërbimin e neonatologjisë dhe kështu kompletohet i gjithë korpusi spitalor, këtu ndërkohë që tek faza e dytë, krahas shërbimit të neonatologjisë, kemi qendrën e prematuritetit e ndarë në dy klinika; klinika për nënat që kanë risk të lartë gjatë shtatzënisë dhe me klinikën për fëmijët që lindin prematur. Për hir të vërtetës, është qendër e re që krijohet këtu dhe vjen si rezultat edhe i shtimit dhe organizimit të ambienteve të reje”, shtoi Koçiu.