Politikë

Rama: Konfiskojmë objektet e braktisura nga 90' dhe ato që shkelin lejen e ndërtimit mbi masën 2%

21 Korrik, 19:03| Përditesimi: 21 Korrik, 20:18

  • Share

 

Në takimin me deputetët socialistë të Tiranës dhe drejtues të pushtetit vendor të kryeqytetit, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe procesin e Rindërtimit, që vijon ende prej vitit 2019.

“Ne kemi bërë disa ndërhyrje të arsyeshme në legjislacion pas tërmetit, por ka pasur devijime. Por këto devijime kanë rol disa kategori, përfshirë edhe ndërtuesit. Për këtë arsye do të adresojmë problematikën e sigurisë së ndërtimeve, jo vetëm si siguri ndaj tërmeteve, por si siguri në funksion në marrëveshje me shtetin për lejen e ndërtimit. Bashkë me sigurimin jemi duke diskutuar dhe një garanci bankare për të gjithë ata që marrin leje ndërtimi”,- tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi së do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve 90’. Gjithashtu ai theksoi se do të konfiskohen edhe objektet në të cilat është shkelur leja e ndërtimit përtej masës 2% të kufirit të parashikuar në leje.

“Nga ana tjetër, do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ’90, që qëndrojnë si karakatinë dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anë e kanë shkelur edhe të ligjshme edhe të ndërlikuara, kur vjen puna te shkelja e lejes së ndërtimit me 2% të kufijve të lejes. 2% është krejtësisht e arsyeshme që është edhe në vende të tjera të botës, por kur ky 2% kapërcehet, kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese. Paligjshmëria është e plotë sepse shkelje në ndërtim dhe ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi bëhen në vetëdije dhe janë një shkelje në vazhdim e ligjit. Kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në dyert e shtetit”,- tha Rama.

Numri një i qeverisë kritikoi edhe kantieret e ndërtimeve në vend, të cilat tha se janë ngritur në mosrespektim të asnjë kriteri sigurie apo të mbrojtjes së mjedisit.

“Kantiere që nuk kanë lidhje fare me asnjë lloj rregulli, as për të tjerët rreth e rrotull, as për mjedisin, as për hapësirën, as për sigurinë. Kantiere që nuk janë kantiere. Për këtë arsye do të bëhet edhe një ndërhyrje kuptimplote edhe në raport me kantierët e ndërtimit, për të bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi. Ka edhe një “sport tjetër”: ku ata ndërtues apo zhvillues që marrin një leje, po ende pa marrë dokumentin, kuturisen të fillojnë të hapin gropa, me demek që po hapin kantier, e me abuzim përdoret neni 6 a 7 për ndërtime praprakë”,- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Listë të zezë për ndërtuesit që shkelin lejet e ndërtimit, reforma e territorit zhvillohet në dy faza! Jo legalizime për ndërtimet pas 2020 (VIDEO)


K.M/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?