Edi Rama

Opinion

Lorenc Vangjeli: Rama do qeverisë me të vetmin aleat në këtë manadat, drejtësinë

20 Korrik 2021, 15:18| Përditesimi: 20 Korrik 2021, 13:33

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka nisur një “tur” takimesh me drejtues të institucioneve të ndryshme qeveritare duke i akuzuar se të pakten dy vitet e fundit kanë pasur probleme me tenderat dhe dyshime për afera korruptive. Përse kjo nismë e Ramës dhe a mban përgjegjësi kryeministri për problemet me korrupsionin në nivelet e larta, pasi titullarët e ministrive dhe institucioneve të tjera të larta janë zgjedhur prej tij?

Rama është fitues individual i zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti. Në 2013-ën ai ishte bashkaksioner në rikthimin e të majtës në pushtet, mandat të cilin e quajti Rilindje; katër vjet më pas u rikonfirmua i vetëm në pushtet falë pamundësisë së kundërshtarëve për të qenë bashkë kundër tij dhe ajo ishte vijimësi e punës, siç e vetëkonsideronte ai; dhe tre muaj më parë, e njëjta polifoto kundërshtarësh, duke nisur sidomos me dy vjetët e fundit, bëri të pamundurën për të humbur. Në këto rrethana të reja Rama duhet të rikrijojë Ramën. Dhe ky mandat i tretë, i shenjuar më fort se kurrë nga emri, tiparet, portreti, epërsitë dhe mangësitë e një individi të vetëm, mund të quhet mandati i rikrijimit të tij dhe mandati që ka nevojë për rikrijimin e Ramës. Kryeministri është ndoshta njeriu i vetëm në Tiranë që ka kuptuar më parë se çdo kush tjetër faktin që në Tiranë do të afrohej herët a vonë një aktor tjetër në fushë, përtej atyre tradicionalëve, PS, PD, LSI e të tjerë më të vegjël. Dhe ky aktor është drejtësia. Normalisht duhet të ishte pushtet më vete, por ka qenë i munguar, i pilotuar ose edhe i cunguar në rastin më të mirë deri dje. Sot ky pushtet po shihet sesi po vendoset përballë pushteteve të tjera që derivojnë nga politika. Dhe Rama është duke llogaritur të gjitha pasojat që sjell një fakt i tillë i ri dhe i pakontrolluar prej tij. Ndaj për të kuptuar Ramën e ri, duhen kuptuar më parë frikërat e vjetra e tradicionale të politikës. Thelbi i asaj çka po ndodh tani është rikonfirmimi i asaj që kanë bërë njëlloj në thelb, por ndryshe në formë, të gjithë kryeministrat e tjerë përpara Ramës: ata ka marrë mbi vete çdo dafinë suksesi dhe janë distancuar nga çdo gjemb dështimi. Edhe pse përgjegjësitë janë individuale, në kuptimin që normalisht, paguan ai që gabon, në të vërtetë kryeministrat mbajnë përgjegjësi morale për gjithçka shkon keq në gjithë sistemin piramidal të qeverisjes së vendit. Rama shkon edhe më tej. Dhe kjo është diferenca e tij me paraardhësit: ai po bën një distancim të qartë, të fortë dhe të prerë me ata që “po kapen”, duke larguar qoftë veten, qoftë partinë e tij nga përfshirja në këtë lloj bilanci. E bën sepse e pranon si filozofi apo e bën sepse nuk mund të bëjë dot ndryshe, ky është një detaj që ka pak rëndësi. Sot as Rama nuk mundet të ndryshojë apo ndikojë në atë që Rama ka nisur që në 2014-ën bashkë me Metën, reformën në drejtësi. Krijesa është ngritur në këmbë dhe do të rrëzojë shumëkënd në gjunjë pikërisht në momentin kur të kuptojë se pavarësia i jep forcë dhe përballja e forcës e bën faktor. Edhe nëse ka shmangie nga ky aks, bashkaksionerët e reformës në drejtësi, partnerët ndërkombëtarë, janë aty për ta kthyer po aty.

A po “shkëputet” Rama nga individë që janë përfolur për afera, apo po i paraprin çdo skandali që mund të zbulohet nga SPAK në vijim?

Janë të dyja bashkë dhe jo veç e veç. Rama edhe po deklaron shkëputje me individët e përfolur, edhe po i paraprin ngjarjeve para se të ndodhin. Dhe kjo është sjellja më normale e mundshme. E kundërta do të ishte shqetësuese. Dhe e kundërta ka qenë rregull dhe jo përjashtim dikur. Mëkatarët që i interesonin kupolave të pushtetit, kishin gjithmonë mbrojtjen e duhur që jepej në shumë mënyra dhe forma. Vetëm “fakirët” dorëzoheshin pa kushte, por edhe këta kanë qenë shumë të rrallë.

Deri më tani SPAK ka goditur në nivel kryebashkiakësh dhe zwvendesministri, a mund të kalohet në rang ministrash, ish-ministrash dhe akoma në nivele edhe më të larta?

Ka një keqkuptim gjigant në lidhje me SPAK-un dhe kjo vjen për shumë arsye. Duke nisur me pritshmëritë tmerrësisht të larta që ka publiku nga reforma në drejtësi dhe institucionet e reja, nga nevoja ulëritëse që ka vendi për të dhënë e marrë drejtësi edhe nëse përmbyset bota jonë e vogël provinciale dhe e katranosur, nga arritja në pikën e trashjes maksimale të zullumit që ka nevojë të këputet, por dhe nga padija romantike për të kuptuar sesi funksionon sistemi. Në kuptimin ortodoks, sektar dhe puritanist të fjalës, çdo shqiptar është fajtor në raport me ligjin. Askush nuk është i pafajshëm qoftë kur i shmanget taksave apo kur shpërdoron ujin e pijshëm, kur grabit miliona në tendera apo paguan për të hyrë në punë në administratë, kur ndërton pa leje apo dhe kur pështyn përtokë; lista e kundravajtjeve penale e morale të çdo shqiptari është e pafundme dhe na dëshmon si një shoqëri që raportin me shtetin dhe ligjin nuk e kemi krijuar si formë organizimi, si nevojë mbijetese dhe zgjedhje të vetme, por si hall për t’u shmangur. Nëse nuk kemi qenë kurrë në kampionat botëror futbolli dhe nëse munguam në Evropianin e këtij viti, në gjuhën shqipe nuk mungon kurrë admirimi i pacak për ata që kanë “bo na nji gol”. Domethënë për ata që kanë fituar para në mënyrë të padrejtë. Në kushtet e një ekonomie ende thelbësisht informale, kjo logjikë është bashkëshoqëruese, por natyrisht SPAK-u nuk hyn këtu. Ai është një nga lojtarët në fushë që dyshon dhe që duhet të presë pastaj vendimin e gjykatës. SPAK-u nuk mund të shkojë me perceptime, qoftë dhe si ai që i konsideron të gjithë të padenjë për të hedhur gurin e parë. Sipas perceptimit, mjafton të shihej, fjala vjen, parada e modës që bëjnë deputetët në oborrin e parlamentit, që prokurorët e SPAK-ut të rrinë aty e t’i presin me pranga në duar. Kjo nuk ka për të ndodhur, por frika ka mbërritur. Sot, ministra dhe ish-ministra janë të trembur. Dhe nëse vazhdon kështu, bota jonë e vogël do të jetë më e mirë dhe më e ndershme. Ndarja thelbësore mes “të fajshmëve dhe të pafajshmëve” ka të bëjë me mundësinë. Ka bërë korrupsion kush ka pasur mundësi të bëjë dhe nuk e ka bërë ai që nuk ka pasur në dorë, por që nuk do të refuzonte ta bënte nëse i vinte kjo mundësi në dorë. Por goditja lart, do të stepte edhe atë turmë anonime poshtë, atë sistem meëndësie që bazohet tek privilegji për t’u shpërblyer dhe shpërblimi që pritet për nderin e bërë duke nisur që nga roja e portës e duke shkuar deri tek presidenti i Republikës.

Në shtator pritet krijimi i qeverisë së re. Për shkak imazhi Rama do qeverisë me ministra të rinj, apo mund të vijojë me një pjesë të kabinetit të dy mandateve të mëparshme?

Kësaj enigma nuk do t’i jepte dot përgjigje as Rama vetë. I paparashikueshëm dhe pa një sistem të qartë kriteresh përzgjedhëse, Rama ka mundësinë të habisë në shtator të gjithë me zgjedhjet e tij. Ato do të jenë gjithmonë e më individuale sepse përballë tij nuk ka asnjë pol që t’i deformojë vullnetin, t’i kundërshtojë dëshirat apo t’i kushtëzojë vendimet. Në kabinet ai mund të përfshijë njerëz që mund të habiten edhe vetë se pse janë aty dhe mund të lerë jashtë edhe ata që mund të bëjnë pak a shumë punën e tij. Kjo është Republika Kryeministrore e Shqipërisë. Kështu ka qenë gjithmonë së paku në 15 vjetët e fundit dhe kështu do të jetë sa kohë që do të vazhdojmë me këtë sistem qeverisës që bazohet në traditën e një vendi që ka kultin e Njëshit, Fisit dhe Prijësit./ Gazeta "Fjala" 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?