Politikë

Rama: Drejtësinë e bëri PS, Altin Dumanin s’e njihte njeri, ne ia dhamë shpatën! Ai tjetri bënte sehir kur vriteshin 4 protestues! Unë jam pengesë që ‘këneta’ ta na kthejë pas

22 Prill, 18:32| Përditesimi: 22 Prill, 19:14

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se reformën në drejtësi e bëri Partia Socialiste, edhe pse kishte kosto për qeverinë e majtë, pasi u godit edhe në krahun e mazhorancës.

Kryesocialisti nënvizoi se po të mos donin të goditeshin edhe majtas, mjaftonte të mos e bënin reformën në drejtësi, por ai theksoi se ishte i vendosur për barazinë ligjore, që vendi të shkojë në BE.

Rama kujtoi edhe faktin se Altin Dumani është një profesionist i mirë si hetues dhe prokuror i vjetër, por deri para reformës në drejtësi ai dhe kolegët e tij nuk kishin marrë në pyetje apo arrestuar zyrtarë të lartë siç po bëjnë tani me SPAK, përtej të majtës dhe të djathtës.

Kryeministri theksoi se shpatën e drejtësisë Dumanit dhe të njohur e bëri Partia Socialiste, edhe pse shumë zyrtarë të mazhorancës janë arrestuar.

Fjala e Ramës për drejtësinë dhe BE:

"Si ka mundësi një popull ordiner t’i japi mandatin e katërt një njeriu që ka gjysmën e njerëzve të tij në burg, e do ia japim votën atij. Shiko se çfarë mendojnë?!

Unë po flisja me pensionistë, se ata janë analistët e vërtetë, atyre u besoj unë, ata dinë më shumë se analistët e studiove. Unë për vete në çdo panel emisioni do kisha analist edhe një pensionist. Këta të tjerët nuk janë analistë, po fare, s’kanë lidhje me analistin ata.

Kush ia kishte dëgjuar emrin Altin Dumanit? Ai është profesionist i vërtetë, jurist i vërtetë, meriton të gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë. Por Altin Dumani nuk ishte në hënë, ishte këtu, ishte në Tiranë, në Shqipëri dhe ishte prokuror për vite. Si ka mundësi që askush nuk e dinte se kishte një njeri me emrin Altin Dumani, prokuror. Si ka mundësi që një njeri prokuror dikur nuk thërriste një njeri me pushtet dhe t’i thoshte hajde këtu të të marr një çik në pyetje? Çfarë ka ndodhur që tani ai i thërret dhe i pyet një nga një? Si është kjo punë, çfarë ndodhi? Sepse që nga 1912 nuk kishte ndodhur që një zyrtar i lartë të shkonte të jepte llogari në Prokurori, kishte ndodhur me pushkatime në diktaturë, por jo siç ndodhi pas 1990, kur i pari i vendit burgosi kryetarin e opozitës politikisht, për turpin tonë ndodhi kjo.

Por edhe para 14 vitesh a 15 vitesh kur i pari vendit bënte sehir në dritaren e zyrës së tij kur vriteshin njerëzit protestues në bulevard. Dhe kur drejtuesja e Prokurorisë i çoi fletët e arrestit për 3 drejtuesit e policisë për t’i arrestuar dhe marrë në pyetje, ai i tha “lavire bulevardi’. Nuk lejoi që të merreshin në pyetje, por çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që vendi ka ndryshuar, situata ka ndryshuar, ndodhi ajo që ne, partia Socialiste, e jo Stamo Dumua, ju e njihni Stamo Dumon, ia lamë punët e drejtësisë, drejtësisë. Ia dorëzuam shpatën e drejtësisë Prokurorisë, e kam në zyrë shpatën unë, e kisha në zyrë e ua dhashë, atë shpatë që të tjerët gjithashtu e kishin dhe e mbajtën për vete. Ju e dini mirë, e kam thënë edhe në krye të herës na duhet drejtësi e çliruar nga politika dhe jo për politikën, të bënte punën e saj, një drejtësi që të godiste majtas dhe djathtas. Majtas për kë e kisha unë? Jo vetëm djathtas, por edhe majtas, qeverinë tonë. Kurse këta çyrykë tani na thonë se kemi gjysmat e njerëzve në burg, edhe pse unë kam pasur 60 ministra, por edhe sikur të jenë gjysma, është arsye për t’u turpëruar? Jo, ndaj e thosha që më jepni timonin se po të kem timonin do bëjmë drejtësinë dhe ja ku jemi.

Por demokratëve nuk u intereson shumë se godet majtas dhe djathtas, por se godet me drejtësi. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, juve ju intereson barazia para ligjit. Dhe vijmë te pasaporta e BE-së, ju nënat dhe gratë e sotme, ju nuk mund ta lini në dorë se kush vjen te kryeministria, kur fiton, por edhe siç e shohim nuk biem të gjithë dakord për drejtësinë, por duhet të lëmë drejtësinë dhe SPAK të bëjnë punën e tyre, pavarësisht se sa na dhemb ne.

Kurse ata të tjerët na thonë më 12 maj do shkrijmë SPAK-un. Ata duan ta kthejnë në lojë, por kjo nuk është lojë, ndaj ju them nënave dhe baballarëve që më 11 maj votoni për të hyrë në BE dhe për drejtësinë, sepse po hyre në BE nuk ka më lojë me barazinë para ligjit apo ta hedhësh vallen si ta duash. BE është i vetmi opsion për ne.

Barazia para ligjit nuk bëhet dot, nuk bëhet dot sot se nuk kemi kapacitet, do bëjmë lojëra ne. Këtu është çështja që të mos guxojë njeri fare dhe këtë e garanton vetëm BE-ja, që të mos preket drejtësia dhe reforma.

Çyrykët dalin e thonë ça është kjo del e thotë kënetë, tepsi, buf, tani del e flet për pasaportën, s’ka ça thotë! Unë s’kam ça them? Por nëse do numëronim punët vetëm në Gjirokastër këto vite mund të rrime një ditë të tërë, kurse për punët në Shqipëri mund të rrimë këtu e të flasim deri pas 11 majit (bën batutë me vajzën që foli më herët dhe i kërkoi vëmendje, duke e quajtur “flori të vogël”).

Mami me babin tëndë do paguanin për të mundësuar shkollën ty me pagesa ekstra, por duke qenë në Bashkimin Europian ti do trajtohesh njëlloj si studentët europianë, me të drejta të barabarta dhe mami e babi do paguajnë e investojnë njëlloj si europianët, sepse ke pasaportën e BE.

Kurse tani të kërkojnë llogari për lëvizjen, kërkojnë sa para ke, ku do vesh, sa do rrish, kur do kthehesh etj.

Këtë mundëson pasaporta europiane. Shikoni të afërmit tuaj në Greqi, vuajnë për pensionin, kanë hallin e pensionit atje, sepse s’kanë dhënë kontribute, kjo çështje nuk është e lehtë për njohjen e tyre, kërkon dhe kohë. Por nëse merr pasaportën e BE-së, nuk ka më nevojë për pasaportën greke, sepse je njëlloj si ata, madje mund të zgjidhesh edhe deputet që nga atje.

Dhe rruga më e shkurtër për t’i mbyllur të gjitha historitë, është që më 11 maj të votohet për BE, të anëtarësohemi në BE, të mbyllim negociatat, anëtarësohemi dhe të marrim pasaportën e BE.

Ata të tjerët thonë se vetëm unë jam pengesa. Sepse po më hoqën mua nga rruga, do kthehen aty ku ishin. Se atë punë bëjnë më mirë, të kthehen aty ku ishin dhe për këtë duhet të më heqin mua".


Lajmi kryesor:

Rama pritet me polifoni në Gjirokastër: Shqipëria është në drejtimin e duhur, Dumanin e bëmë ne të njohur! Bufi bënte sehir kur u vranë 4 njerëz në bulevard


A.Q/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?