Blendi Gonxhja ka reaguar pas propozimit te Kryeministrit për detyrën e Ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja shpreh mirënjohje për besimin e kryeministrit ndaj tij, teksa nga ana tjetër i uron suksese edhe kolegëve.
Ndër të tjera Gonxhja nënvizon se ky mandat lidhet me sfidat e 'ShqipëriaTuristike2030', veçanërisht në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e cilësisë së shërbimeve apo rritjen e investimeve në infrastrukturën kulturore.
Postimi i plotë:
Falënderues Kryeministrit Edi Rama për besimin për të vijuar si pjesë e kabinetit qeverisës në mandatin e katërt, në detyrën e Ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit.
Ky mandat lidhet ngushtë me sfidat e ShqipëriaTuristike2030: zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe integrimin e destinacioneve të reja që bashkojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të vendit, turizmin e eksperiencës dhe fuqizimin edhe të eventeve sportive që gjenerojnë turizëm.
Prioritet mbetet gjithashtu rritja e investimeve në infrastrukturën kulturore, zhvillimi i industrive kreative dhe mbështetja e krijimtarisë artistike e të rinjve, duke pasuruar kalendarin kulturor e turistik gjatë gjithë vitit.
Sporti, si kulturë dhe fuqi për të bashkuar dhe frymëzuar, është pjesë thelbësore e këtij vizioni, si përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe zgjerimit të pjesëmarrjes, ashtu edhe përmes përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
I uroj suksese të gjithë kolegëve në këtë kapitull të ri!
Komente
