Deklaratës së ashpër të Kryeministrit Rama, i cili e quajti Shpëtim Idrizin, si sekser të Çamërisë, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i është përgjigjur me kundërakuza.
Në një njoftim për mediat PDIU e quan Ramën si 'babloku makiavelist i tipit 'një pallat, një votë'.
"Ky përfaqësues emblematik i korrupsionit institucional e politik, që e nisi karrierën duke shitur ikona të vjedhura, duke ndryshuar fasada e shitur leje ndërtimi për të cilat njihet gjerësisht si “Mister 20%”; ky investim okult i qarqeve antishqiptare, ky kloun që ka 21 vite në pushtet e qeverisje me propagandë që do e kishte zili edhe Musolini; ky intrigant i vogël, por shterues i madh i arkës së shtetit që e ndan me miqtë e tij oligarkë ditën për diell, e ku Nusretin e ka kuzhinierin e shpurës perverse të zullumqarëve që po fut me shpejtësi nëpër lista me shpresën se do t’i shpëtojnë drejtësisë nesër; ky i pashpresë që kanabizoi vendin, kriminalizoi politikën dhe e polarizoi shoqërinë; ky i pabesë e i paburrë që largoi mbi 400 mijë shqiptarë nga shtëpitë e trojet e tyre; ky tradhtar që shiti Çështjen Çame si agjendë personale, dhuroi detin e shqiptarëve dhe vendos për shitjen e çdo prone sikur t’ia kenë lënë prindërit; ky shërbëtor i banditëve që iu ka premtuar kulla, porte e aeroporte, licenca minierash e telekomunikacioni, dhe që do mandate për të shkatërruar këtë vend të bekuar nga Zoti; ky individ që e mat hajdutërinë me metra aq sa do ta kishte zili edhe libri “Guinness”, do të kujtohet si vemja e hedhur me neveri në koshin e plehrave të historisë së dhimbshme të tranzicionit shqiptar. Edvin Rama, 25 prilli po vjen me furi për të të lënë lakuriq në vetminë tënde të madhe në Surrel duke pritur drejtësinë të të trokasë në derë që të japësh llogari njëherë e përgjithmonë për çdo të keqe që i ke bërë këtij vendi. Edvin Rama, koha jote ka përfunduar", thuhet në reagimin e PDIU.
Lajmi kryesor:
Deklaratat e Ramës/ Duka dhe Idrizi reagojnë ashpër! Kreu i PAA: Vezët e mia ty të pëlqenin por doje gjellë të prishur! PDIU: Bablok makiavelist
K.T./ReportTv.al