Politikë

E ardhmja e Shqipërisë, Rama: Preferoj një ‘Itali e re’, jo një ‘Zvicër të re’, do ishim të mërzitshëm! BE ëndrra jonë

24 Maj, 08:16| Përditesimi: 24 Maj, 10:46

  • Share

Me besimin që mori nga shqiptarët për mandatin e katërt, për kryeministrin Edi Rama nuk ka asnjë dyshim që prioritet do të jetë integrimi Shqipërisë në BE, një premtim që e shoqëroi gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë të dhënë për me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të Forumit Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative) që u zhvillua në Tiranë një javë më parë, kreu i qeverisë tha se është e trishtë që dritarja e BE-së u hap vetëm për agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja  e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur”, tha Rama.

Të ardhmen e Shqipërisë e sheh si një “Itali të re”.

 “Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse, nga njëra anë, ne – mendoj – nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen”, thekson Rama.

Ndërsa thekson ëndrrën e kahershme të Shqipërisë për integrimin në BE, kreu i qeverisë analizon edhe problemet e Bashkimit Europian.

“Një nga problemet që shoh te BE-ja vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik, por, nga ana tjetër, i duhet padyshim ta ruajë demokracinë. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar”, thekson Rama.

Kryeministri flet edhe për ‘shpirtin’ e tij si artist dhe vizatimet që nuk mungojnë asnjëherë gjatë diskutimeve e takimeve me personalitete të ndryshme.

“Kur ka një temë me intensitet dhe nuk kam diçka që të vizatoj, bëhem nervoz shumë shpejt. E kundërta ndodh kur vizaton, rri e pret të vijë momenti yt për “të vrarë” dhe nuk i hidhesh çdokujt. Kjo më ndihmon”, thekson Rama.

Kryeministri e cilësoi Samitin e Komunitetit Politik Europian i cili u mbajt në vendin tonë më 16 maj si diçka të paparashikueshme.

Ora 09:41
Rama: Kemi dashuri të palëkundur për BE-në, por kemi ndërtuar marrëdhënie të mira dhe me Lindjen e mesme dhe vendet e Gjirit

 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Richard Attias, organizatorin e FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme), kur ndër të tjera foli edhe marrëdhëniet politike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Richard Attias: Z. Kryeministër, po t’i hedhësh një sy hartës globale, Shqipëria është një qendër, një katalizator midis Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Si e shihni shpalosjen e këtij roli në të ardhmen, sa i takon gjeoekonomisë dhe gjeopolitikës.

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, ky është një bekim për ne, edhe për shkak të përbërjes së shoqërisë nga myslimanë e të krishterë, e cila falë Zotit, s’ka asnjë problem. Përkundrazi, nuk ka kufizime, nuk ka paragjykime, asgjë nga këto. Ne kemi një prirje të natyrshme që të shohim ngado, edhe pse është shumë e qartë që shqiptarët kanë një dashuri të palëkundur për BE-në dhe Europën, në përgjithësi. Europa ka qenë ëndrra jonë e kahershme. Me evoluimin e gjërave, kemi pasur disa periudha kohe, ku politika u përqendrua tej mase vetëm te Perëndimi dhe nuk ndërtuam raporte në Lindje. Unë e ndryshova këtë, duke vendosur në dokumentin tonë të politikës së jashtme që ne nuk kemi vetëm dy partnerë strategjikë, Greqinë dhe Italinë, por kemi tre, edhe Turqinë. Pastaj fillova të ndërtoja marrëdhënie me Lindjen e Mesme, me vendet e Gjirit. Tani jemi në një pozicion shumë të mirë, sepse qëndrimi ynë sa i takon gjeopolitikës është shumë i qartë: Ne jemi Perëndim, jemi në një linjë me BE-në, por duam të kemi marrëdhënie, madje vëllazërore me vendet që përmenda, edhe pse, në Europë, kemi një karakteristikë unike. Vizita e fundit e nivelit të lartë në Moskë ishte në vitin 1960. Ne nuk e kemi vizituar kurrë Kremlinin,  nuk kemi pasur kurrë vizitë nga Kremlini apo nga ndonjë qeveritar i lart atje, për shkak të historisë, por edhe sepse nuk kemi ndonjë oreks për t’u afruar me Rusinë. Nuk kemi as para ruse, as investime ruse, asgjë të tillë. Me Kinën kemi një marrëdhënie të mirë, jo si me Rusinë. Kemi një marrëdhënie të mirë, por, sërish, nuk ka investime kineze, nuk ka një bashkëpunim të madh siç ka midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi dhe Kinës.  Për ne, ky është pak a shumë horizonti, nga Lindja e Mesme në Europë. Amerika është e re në këtë drejtim, përmes investimit që përmendët ju, por edhe përmes investimeve në energjetikë. Do të donim të bënim më shumë, por po ecën mirë, jemi të kënaqur me këtë.

Richard Attias: Një pyetje e fundit z. Kryeministër. Çfarë dëshire, ëndrre keni për botën, për Europën dhe për Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama:  Unë jam një i dashuruar me fanatizëm i tekstit që përmenda sot, nga Abati i Shën Pierit. Më duket absolutisht çmenduri edhe thjesht të përfytyrosh një abat diku gjetkë në Francë, që ka këtë vizion dhe iu hap njerëzve sytë për të parë sesi mund të duket ndryshe bota dhe që hedh konceptin e bashkimit të paqes së përhershme, i cili, për të, përfshin Rusinë, shtrihet deri në Lindje, në toka që asokohe ishin nën perandorinë osmane, çka nuk nënkupton domosdoshmërisht që të gjitha këto vende duhet të jenë në BE, por që secili prej këtyre vendeve duhet të jetë pjesë e të njëjtit komunitet, njësoj siç Zvicra nuk është në BE, Norvegjia nuk është në BE. Për Mbretërinë e Bashkuar, le të shohim, pasi duket sikur po kalojnë nëpër shkretëtirën e depresionit. Kjo do të ishte ëndrra ime, por, ashtu siç shkruante Volteri, ishin interesa të parëndësishme dhe kapriço të vogla që nuk e lejuan këtë vizion të madh, sepse në fund të fundit, kjo është, janë egot, janë individët në kohë. KPE-ja është paksa kjo, sepse Franca e ka mbartur përherë këtë idenë e një Europe më të madhe, pa qenë domosdoshmërisht të gjithë në Bashkimin Europian.

Ora 09:05
Rama për 11 majin: Më ka zënë belaja me kolegët! Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me Richard Attias, një prej organizatorëve të Forumit Ndërkombëtar FII që u mbajt në Tiranë, ka komentuar rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë pasi fitoi zgjedhjet e 11 Majit ku siguroi 83 mandate.

Rama u shpreh me batuta se “jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti, ‘si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate?'”.

Richard Attias: Z. Kryeministër, pak ditë më parë, ju u rizgjodhët për mandatin e katërt me radhë, që është historike për Shqipërinë. Cilat do jenë tri përparësitë kryesore tuajat për këtë mandat?

Kryeministri Edi Rama:  Së pari, më duhet të ndaj me ju që jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti, “si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate?”

Richard Attias: Ndodh, sepse jeni humanist.

Kryeministri Edi Rama:  “Çfarë do iu thoshe të tjerëve?” I thashë: “Dëgjo, nuk di ç’të të them. Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë.” Tani që flasim, tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja  e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur.

Richard Attias: Çfarë roli po luajnë gratë në modelin e ri të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama:   Kur nisëm fushatën, doja që ajo të hapej me gratë, kështu që gjysma e pare e fushatës ishte takime me gratë. E filluam më parë me gratë dhe vajzat në vijën e parë, në partinë tonë dhe pastaj u shtrimë përtej. Një ditë – e dini, ndonjëherë kur bën fushatë mund të thuash gjëra që nuk janë të paqortueshme dhe që mund të ndezin diskutime – pra, një ditë thashë, shikoni, po mobilizojmë gratë, sepse 56 për qind e grave dhe vajzave në Shqipëri votojnë për ne. Kjo është një forcë e madhe dhe, nëse kemi gratë, kemi votuesit për herë të parë, atëherë na duhen vetëm gjysma e burrave, sepse gjysma tjetër janë çyrykë. Kjo ndezi një debat të madh. “Si mund të thotë ai që gjysma tjetër janë çyryk?” Meqë, prej natyre, jam kokëfortë, ngula këmbë dhe iu thashë: “Dëgjoni, nuk ka lidhje se jeni çyryk se nuk votoni për mua, por se ai që nuk kupton që, në këtë moment, na duhet të bashkohemi për të hyrë në BE, çka është për të gjithë ne, socialistë a demokratë, është çyryk. Dhe, në fund, kjo solli një numër edhe më të madh grash që na votuan dhe burrat, po ashtu, ishin mirë, arritëm ca më shumë se gjysmën e tyre dhe fituam një shumicë dërrmuese. Pastaj, ua shpjegova se çdo burrë i zgjuar e kupton që, po, gratë janë forca shtytëse. Kemi punuar shumë për këtë, sepse në këtë vend, kemi kaluar dy faza. Njëra, ishte fazë e gjatë disashekullore, gjatë së cilës gratë trajtoheshin... Kanuni i famshëm, ka anën e shndritshme të mikpritjes, ka edhe anën mjaft të errët për gratë, e konsideron gruan si një prej kafshëve të shtëpisë, bagëti. Kur erdhi komunizmi, fliste për emancipim, por ajo çfarë bëri ishte që i detyroi gratë të dilnin nga shtëpia, të punonin. Por komunizmi ishte kundër anës femërore, kundër së bukurës, e donte çdo gjë njësoj dhe gratë paraqiteshin si burra, thuhej se ishin të forta si burrat. Edhe në pikturat e fotot e propagandës, nuk shihje kurrë një grua të bukur. Pastaj, kur erdhi liria, patëm një valë të parë të Miss Albania, Miss Tirana, Miss Shkolla, madje edhe Miss Kopshti, sepse ishte një lloj reaksioni për të nxjerrë në pah anën femërore. Megjithatë, as kjo nuk ishte mënyra e duhur. Kur mora kryesimin e Partisë Socialiste, nisëm të vendosnim kuota, të ftonim gratë dhe vajzat të merrnin pjesë dhe kështu ndryshuam gjithçka dhe ia vlen, ia vlen shumë.

Ora 08:59
Rama: Unë vizatoj gjatë takimeve, më ndihmon të ruaj një lloj ekuilibri, kur isha kryetar bashkie nisa të lyeja me ngjyrat

 

Kryeministri Edi Rama në intervistën për Richard Attias, organizatorin e FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme), foli edhe për pikturën. Ai tha se edhe gjatë takimeve që zhvillon pikturon, pasi kjo e ndihmon të ruaj një lloj ekuilibri.

Richard Attias: Sapo folët për piktura, foto. Ju jeni artist, jeni skulptor, jeni piktor. E keni në gjak kulturën. Si po ju ndihmon kjo kulturë që është pjesë e ADN-së suaj në punën tuaj të përditshme si kryeministër?

Edi Rama:  Unë vizatoj gjatë takimeve dhe kjo më ndihmon të ruaj një lloj ekuilibri. Nuk e dija këtë, po gjatë rrugës lexova një studim, më duket nga Departamenti i Psikologjisë në MIT. Ata kishin  vëzhguar njerëz që skicojnë gjatë takimeve, sepse ka shumë njerëz, që nuk janë artistë dhe e bëjnë këtë. Kishte dy gjetje që më lanë pa fjalë. Njëra ishte që njerëzit që vizatojnë gjatë takimeve janë mesatarisht 30 për qind më të përqendruar te tema që po diskutohet. Dhe ka logjikë, sepse kur rri ulur të diskutosh, po mendjen e ke diku tjetër, shikon, po je shpesh diku tjetër. Ndërsa, kur syri dhe dora merren me diçka më vete, je automatikisht i përqendruar tek ajo për të cilën po flitet. Gjetja e dytë ishte që 50 për qind e atyre që skicojnë gjatë një takimi, janë më pak të stresuar nga tema e diskutimit dhe mund të dëshmoj për këtë. Kur ka një temë me intensitet dhe nuk kam diçka që të vizatoj, bëhem nervoz shumë shpejt. E kundërta ndodh kur vizaton, rri e pret të vijë momenti yt për “të vrarë” dhe nuk i hidhesh çdokujt.

Kjo më ndihmon. Besoj se më ka ndihmuar në fillime, kur isha kryetar bashkie dhe nisa të lyeja me ngjyra – se s’kishim para – ndërtesat, pastaj nga ngjyrat shkuam më tej. Përgjithësisht, ka një prirje të njerëzve që thonë na duhen artistë të na qeverisin, po do te thosha nuk është e vërtetë. Është personi, jo profesioni. Mund të kesh një artist që është tmerr dhe mund të kesh një jurist që është fantastik për të qeverisur, kështu që ka lidhje me njerëzit, jo me kategoritë. Por, ndoshta, meqë politikanët janë bërë një kategori kaq pak e respektuar dhe, mendoj, për të gjitha arsyet e gabuara, atëherë është kjo prirja që hajde se na duhet të gjejmë shpëtim te ndonjë artist. Nuk është aspak kështu. Unë besoj që ka politikanë të këqij, siç ka politikanë të mirë, ashtu siç ka edhe investitorë të mirë e investitorë të këqij.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Juli: 24/05/2025 12:58

    Ketu eshte me vend shrprehja Di dhia ceshte tagjia Edi is the goat btw

    Përgjigju
  • Pjeter: 24/05/2025 08:41

    Te gjithe antaret e BE e dine ku eshte problemi i vendimeve dhe e kane ne dore edhe zgjidhjen,por akoma perdorin rruget e terthorta dhe shfrytezojne "unanimitetin" per qellimet e tyre kombetare kunder te tjeret,e kjo jo vetem psh,per nje shtet pa vlere te madhe ne BE si Greqia,qe haptas e shfrytezon "unanimitetin",por edhe nga ata te rendesishmit si Franca apo Polonia e te tjere.Me nje fjale,te vetedijshm per problemin edhe zgjidhjen,por edhe per zvarritjen e vendimeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?