Kryesocialisti Edi Rama e ka nisur fjalimin e tij nga Elbasani në takimin me gratë dhe vajzat, duke përcjellë një falenderim.
Rama ftoi në skenë një anëtare të Partisë Socialiste të Elbasanit, e cila iu afrua kreut të PS-së e përlotur. Kreu i PS-së tha se Luli, anëtarja e vjetër e PS Elbasan, ka qëndruar në ditë të vështira, të cilëve i ka shprehur mirënjohjen.
"Tani unë dua të bëj një nderim për një grua këtu, që nuk është kandidate, që nuk është nën dritat e skenës, por që unë e kam gjetur gjithmonë këtu. Luli, hajde pak këtu. Mbante hapur derën e Partisë Socialiste, kur Partia Socialiste kishte dalë nga një humbje; aty ishin mbledhur ca burra, të mërzitur dhe depresivë, dhe Luli rrinte aty; atëherë ne nuk e kishim ndaluar ende cigaren. Gjithë ata burra aty, shikoj unë Lulin: “Kush është kjo mo vëlla?” Aty te Luli më ngelën sytë mua. Këtu, te kjo, duhet me u kap me fillu rindërtimin e Partisë Socialiste. Unë të jam shumë mirënjohës. Në kohën kur Luli dhe disa gra të tjera që janë këtu rrotull dhe që besnikërisht qëndronin në ditë të vështira, Partia Socialiste kishte 12% gra dhe vajza, që nuk i ftonin në organizata. Unë jam shumë krenar sot që ne arritëm këtë."-tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama takim me gratë e Elbasanit/ Kryesocialisti: Ne të tallavasë jemi, kurse ata dëgjojnë Beethoven me Vrenozin në krye! 71 mandate i kemi të garantuara, na duhet një fuqi më e madhe
H.K/SI.E./ReportTv.al
