Mëngjesin e kësaj të premte, në ditën e fundit të vitit, kryeministri Edi Rama i dorëzoi çelësat e shtëpive të rindërtuara në "5 maj" 100 familjeve prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa shtoi se muaj pas muaji do të pasohen prej 1000 familjesh të tjera.
Ai shtoi se lagja e "5 Majit" do të bëhet një nga më modernet në Tiranë në virtet në vazhdim, bashkë me kombinatin.
"Kënaqësi që sot fillojmë e 100 familje, që sot pjesë më e madhe nuk do të kishin mundësi të blinin apartamente të këtyre standardeve, që do të pasohen nga 1000 familje të tjera. Kjo lagje, mbajeni mend këtë që po iu them, bashkë me kombinatin do të jetë lagja më moderne e Tiranës për disa vite, ku edhe gjejnë strehë falë këtij programi, familje që ishin këtu në kushte mizerable, disa me legalizime, disa pa, disa me prona, disa pa prona fare. Për të gjithë programi dha një rrugë dhe një mundësi të re. Duke iu ofruar shumë me tepër seç do t'i ofronte një zhvillues privat. E gjitha kjo falas, pas asnjë kokërr leku.", tha ai.
Rama tha se puna e bërë gjatë gjithë kësaj kohe është përgjigje për "llafet" dhe "maskarallëqet" e thënë "lartë e poshtë", duke shtuar se atij nuk i ulin energjinë dhe as dëshirën për punë.
"Është një përgjigje me vepra e të gjitha fjalëve dhe maskarallëqeve që janë thënë, që për hir të së vërtetës nuk është se e ndryshojnë bindjen time, apo se ulin energjinë time, apo se e bëjnë më të vështirë punën time, por kanë stresuar kaq shumë njerëz, kanë futur në ankth kaq shumë familje, kanë ngatërruar kaq shumë fqinj me njeri-tjetrin dhe kanë futur frikën tek komunitetet nga kombinati- 5 maj.Shtëpinë nuk do të ndërtohen, do t'ua marrin tokat që të bëjnë vila, jo po ja u prishin juve që t'ia u japin oligarkëve, një mizerabilitet në emër të politikës dhe të luftës të pakuptimtë për pushtet.", shtoi ai.
Edhe njëherë Rama nuk mund të linte pa ironizuar situatën në PD, duke i kujtuar banorëve të kujdesen për bravat dhe çelësat e shtëpive.
"Unë ju lë porosi të bëni kujdes për bravat se ka filluar në qytet një çështje bravash, kshuqe ruani bravat mos ia u ndërrojnë dhe bëni kujdes nga çelësat që s'kanë lidhje me bravën, mbani çelësin dhe bravën tuaj dhe mos shkoni mbas çelësave që nuk hapin dot asnjë bravë dhe bravave që nuk fusin dot asnjë çelës.", u shpreh Rama.