Politikë

Rama i pranishëm në ceremoninë e dhënies së ‘Medaljes së Artë’ për maturantët ekselentë: Mos kini frikë nga ëndrrat e mëdha! Ministrja Arsimit: Sfidë, mbajtja e të rinjve në Shqipëri

19 Nëntor 2021, 11:26| Përditesimi: 19 Nëntor 2021, 15:00

  • Share

‘Mos kini frikë nga ëndrrat tuaja, sado ato kërkojnë sakrifica’. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë në dhënien e ‘Medaljes së Artë’ për maturantët të cilët kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute.  Kryeministri Edi Rama vlerësoi mundin e nxënësve për rezultatet e arritura dhe falenderoi prindërit e tyre për mbështetjen që ato u kanë dhënë. Kryeministri Rama tha se ka pasur rastin që ka shkuar edhe në familje me vështirësi ekonomike, ku nxënësit kanë shkëlqyer me mësime.

‘Për shkak të detyrës kam vizituar shumë familje në situatë të vështirë ekonomike dhe ajo që më mbetet si mbresë e pashlyeshme në ato familje, ku ndonjë rast edhe vet çati e shtëpisë ishte e pamjaftueshme për të mbajtur shiun kam pasur kënaqësinë të takojë fëmijë që shkëlqenin në mësim. Fëmijë që mësonin në kushte më të pamundura fizike, fëmijë që nuk mjaftoheshim vetëm me gjuhën shqipe po flisnin anglisht rrjedhshëm, ndërkohë që në shtëpinë e tyre diskutohej sfida e përditshme e ushqimit në tavolinë. Kjo ceremoni është pasqyra e një brezi që kalon kohën vet më të bukur të shkollës në situata që nuk i ngjajnë njëra tjetrës, por që mbledh një grup vajzash e djeshme që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës për sa i përket statusit të familjes por që i bashkon se janë ekselentë. Përshëndes prindërit tuaj të cilët qofshin të kamur qofshin të varfër meritojnë një respekt shumë të madh e uroj që respekti për ta ju mos t’ju ndahet asnjëherë. Pa prindërit dhe pa mbështetjen e tyre do ishte e vështirë. Kjo që keni arritur do t’ju vlejë për të mos pasur asnjë frikë nga ëndrrat më të mëdha të mundshme. Kjo është prova që asgjë nuk është e pamundur, kur njeriu është i gatshëm të përkushtohet me gjithë zemër. Mos kini asnjë frikë nga ëndrrat tuaja, sepse sa më shumë sakrifica që kërkojnë kini besim që do t’ja dilni dhe nga maja ku do të arrini do të mund të shikoni qetësisht të gjithë ata që ju kishin thënë se kjo nuk bëhet’- tha Rama.

Kreu i qeverisë mori si shembull dy emra të njohur të cilët kanë bërë para pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike, futbollistin Lionel Messi si dhe sopranon e njohur shqiptare Ermonela Jahon. Rama tha se ato i kanë kapërcyer të gjitha sakrificat dhe se ato e kanë paguar suksesin e tyre me një përkushtim të madh.

‘E kam përmendur shumë herë shembullin e Ermonela Jahos e të Leo Messit sepse janë dy shembuj që luftuan për një ëndërr që shumë mund t’i bëjë të qeshnin. Leo Messi ishte një fëmijë që nuk zgjatej për shkak të një deformimi. Ndërkohë që prindërit e tij ishin shumë të shqetësuar për Messin e shëndetin e tij, ai vetë thoshte se një ditë do të luante futboll. Ai e ndoqi ëndrrën dhe ju e dini si vijon historia. Jaho vinte nga një familje e varfër dhe nuk ishte e dalluar mes grupit të vajze që studionin për kanto dhe thoshte që do të këndonte në La Scala. Ajo jo vetëm e realizoi këtë, por e kapërceu. Ajo e ka kapërcyer sot. Janë ëndrrat e mëdha që kërkojnë sakrifica të jashtëzakonshme. Nëse do të kërkoni pak më shumë nga jeta e tyre do të shikoni që e kanë paguar suksesin me një përkushtim që është identifikuar me sakrificë, fizike e stërvitje që do të kishin lodhur 99.9% të të tjerëve vetëm duke i menduar se do t’i bënin. Me bindjen se ishte e drejta e tyre që duhet të realizonin ëndrrat e tyre. Ju e keni tashmë një provë të fortë se çfarë do të arrini. Mos kini asnjë frikë nga ëndrrat tuaja sado që kërkojnë sakrifica.’- tha Rama.

Nga ana tjetër ministrja e Arsimit Evis Kushi në fjalën e saj para të rinjve tha se po punohet për rritjen e cilësisë së arsimit, duke bashkëpunuar me universitetet më të mira europiane.

Medaljet

 

Ora 12:34
‘S’ngeli djalë pa marrë fjalën’, batuta e Ramës me nxënësit ekselentë: Ndoshta janë çuna mami që kanë marrë urdhër

Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së dhënies së dhënies së “Medaljes së Artë” për ata që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute, ka bërë një batutë me djemtë ekselentë. Ramës i bëri përshtypje që në këtë ceremoni ishte i lartë numri i djemve që kanë marrë fjalën pasi morën medaljen, megjithëse ishin në pakicë krahasuar me vajzat ekselente.

“Po ndodh diçka shumë e veçantë sot. Zakonisht vajzat flasin, djemtë nuk flasin, këtu s’ngeli djalë pa e marrë fjalën. Mbase duke ndjekur falenderimet e posaçme për mamatë janë çuna mami që kanë marrë urdhër nga mami që dil atje dhe fol. Po shumë mirë gjë e mirë është se kështu si jeni katandisur 20% këtu të paktën merrni fjalën që të dukeni më shumë. Komplimente dhe ju jeni krenarë për nënat tuaja por të jeni të sigurt që ato janë edhe më krenare për ju”, u shpreh kryeministri.

Ora 12:17
Ministrja e Arsimit para maturantëve ekselentë: Sfidë, mbajtja e të rinjve në Shqipëri! Do sjellim universitetet më të mira europiane për të rritur cilësinë e arsimit

 

"Sfidën më të madhe të momentit" e ka konsideruar Ministrja e Arsimit, Evis Kushi mbajtjen e të rinjve në Shqipëri, që të studiojnë e të jetojnë në vend. Përballë maturantëve ekselentë, në ceremoninë e dhënies së ‘Medaljes së Artë’, Kushi u shpreh se po punohet për rritjen e cilësisë së arsimit, duke bashkëpunuar me universitetet më të mira europiane.

"E sapo filluam përgatitjet për këtë ceremoni, shqetësimi i parë që kisha bashkë me stafin ishte “sa prej të rinjve që përfitojnë medalje do të mungonin sot”, për shkak se studiojnë jashtë vendit. Pa dyshim që ata që studiojnë jashtë vendit na bëjnë shumë krenarë njësoj si ju, por unë nuk e fsheh dot që një nga sfidat tona më të mëdha të momentit është që të rinjtë tanë, e sidomos ata më të mirët, si ju, të vazhdojnë të studiojnë e jetojnë këtu në Shqipëri. E pikërisht për këtë, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ne po punojmë fort për të rritur cilësinë e arsimit të lartë, duke sjellë universitetet me te mira këtu, duke hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, me qëllim që diploma juaj të këtë vlerë njësoj si diplomat e studenteve në BE. Kemi tashmë disa rezultate pozitive. Për shembull para pak javësh, bashkë me rektorin e Universitetin e Mjekësisë së Tiranës vizituam Universitetin e Bolonjës (933 vjeçar), ku firmosëm edhe një marrëveshje për program të përbashkët PHD. Ky fakt dëshmon se universitetet tona janë ngritur në një nivel të ri. Pa dyshim ka nevojë për shumë punë akoma, por jemi absolutisht në një nivel të ri", tha Kushi.

Ajo shtoi se e rëndësishme po ashtu është edhe garantimi i punësimit për të rinjtë, duke përmendur platformat që i ndihmojnë ata në këtë aspekt.

"Por, për të garantuar një të ardhme të mirë për ju këtu në Shqipëri nuk mjafton vetëm një arsim cilësor. Ne kemi detyrimin të ofrojmë sa më shumë mundësi punësimi për ju, e jo vetëm për ju ekselentët, por edhe çdo të ri e të re, duke u bazuar gjithmonë në meritokraci e transparence. Konkretisht, nëpërmjet platformës “Punë Të Mbarë”, ne ofrojmë një mundësi shumë të mire punësimi ne administratën publike për studentët ekselentë, të diplomuar me mesatare 9-10 brenda dhe jashtë vendit. Që prej vitit 2019 janë punësuar me kontratë 1-vjeçare 684 ekselentë, dhe sot kemi të punësuar në shërbimin civil 240 të rinj, të cilët japin kontributin e tyre në institucione të ndryshme, duke sjellë një frymë të re dhe vizionin e tyre në përmirësimin e fushës ku janë të angazhuar. E po ashtu edhe Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në administratën publike, synon të përfshijë, jo vetëm ekselentët por të gjithë pjesëmarrësit, në një eksperiencë pune përkrah profesionistëve me karrierë në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese, duke krijuar një urë ndërveprimi që sjell përfitim reciprok. Deri më tani kanë kryer praktikën 3-mujore afërsisht 4000 të rinj e të reja, dhe janë punësuar me kontratë 1-vjeçare 1200 prej tyre. E se fundi, platforma “Gati për Shqipërinë”, për te cilën Ministrja për Rininë dhe Fëmijët është shumë e angazhuar, është një ftesë dhe një mundësi në dispozicion të të gjithë atyre që kanë përfunduar studimet me rezultate të larta, në Shqipëri apo jashtë vendit, dhe kanë dëshirë për të kontribuar në administratën publike në funksione të ndryshme", shtoi Kushi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?