Edi Hila

Rama i uron ditëlindjen Edi Hilës: Pa të nuk do t'i kisha marrë dot kodet e fshehta të telajos së botës

13 Tetor 2020, 22:02| Përditesimi: 13 Tetor 2020, 22:07

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka uruar ditëlindjen e piktorit Edi Hila, duke e cilësuar si ylli më i shndritshëm i pikturës shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se kur errësira e kohës shqiptare e gllabëroi sapo u shfaq dhe e degdisi në honet e persekutimit absurd, e më vonë, fatkeqësisht shumë më vonë për jetën e një vdekëtari, tek shkëlqimi i madh i dekadës së fundit, kur piktura e tij është shpërfaqur botërisht me të gjithë elegancën e vet magjepsëse, duke u bërë pjesë e thesarit europian të arteve të bukura.

Postimi i plotë i Ramës:

Edi Hila është padyshim ylli më i shndritshëm i pikturës shqiptare, që ka përshkuar një trajektore të hatashme nga shkëlqimi i parë, gati 50 vjet të shkuara, kur errësira e kohës shqiptare e gllabëroi sapo u shfaq dhe e degdisi në honet e persekutimit absurd, e më vonë, fatkeqësisht shumë më vonë për jetën e një vdekëtari, tek shkëlqimi i madh i dekadës së fundit, kur piktura e tij është shpërfaqur botërisht me të gjithë elegancën e vet magjepsëse, duke u bërë pjesë e thesarit europian të arteve të bukura.

Kam pasur fatin ta njoh e të jem afër Edit në periudhën e rëndë mes të dy shkëlqimeve, kur ai jetonte dyzimin torturues mes të jashtmes e të brendshmes, mes shtëpisë së vjetër dykatëshe me shkallë rënkuese druri në rrugën e Kavajës dhe studios së ftohtë në anën tjetër të rrugës; mes vizatimeve të fshehta në kuzhinën e katit të dytë, ku flitej me zë të ulët në ajrin e mbushur me hijet e bukura të Rinascimentos Italiane dhe pikturave të ndrydhura për shfaqjet vjetore në mexhelisin e mbushur me hijet survejuese të shoqërisë komuniste; mes bisedave të tij pedagogjike për punët e mia, që asokohe studioja në Liceun Artistik e më pas në Akademinë e Arteve dhe bashkëbisedimeve tona deri pas mesnate për lirinë e ndaluar, artin, kulturën, filmin, letërsinë në liri e në diktaturë... Pa Edi Hilën dhe Danish Jukniun, profesorin tonë të përbashkët, unë nuk do t'i kisha marrë dot qysh asokohe kodet e fshehta të leximit e të përkthimit në telajo të botës siç ishte por nuk dukej, po kjo është një histori tjetër.

Ai ishte asokohe autori i tablosë së mallkuar, "Mbjellja e Pemëve", e cila qëndroi e varrosur në bodrumin e Galerisë së Arteve, deri kur radha e varrimit i erdhi vetë diktaturës së proletariatit dhe bashkë me daljen në dritë të asaj pikture, që sot e gjithë ditën i qëndron kohës si zanafilla e gjithçkaje pasoi dekada më vonë, nisën të çelin nën dritën e lirisë edhe filizat e kopshtit piktorik të Edi Hilës. Sot ai është kopshti më i bukur i pikturës shqiptare, një parajsë me kujtimet e mbeturinat e ferrit, ku sipërfaqet e peneluara janë si një pluhur i përzishëm yjesh që i mbështjell kohët dhe hijet e tyre, në kuadrate pa korniza, shembëlltyra të vdekshmërisë së përshkruar me mall e mallëngjim nga një shpirt kalimtar, që vdes prej kuriozitetit teksa ndahet ngadalë prej trupit të radhës.

Duke i uruar Edi Hilës ditën e lindjes, e falenderoj si gjithnjë me mirënjohje që ekziston dhe uroj që jeta e mundimshme e tij prej kopshtari kujtimesh të dhimbshme e vegimesh magjike, të jetë e mbushur në plot vite përpara me gëzimet fëminore të afirmimit botërisht të vlerës së çmuar të krijuar prej saj.

Komento

Komente

  • Emi: 13/10/2020 23:52

    Shume do kisha deshiruar te denoheshin por ne keto 30 vite me duket si mision i pamundur duke na vrare shpresen se ky vend edhe mund te behet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?