Ndryshimet më të fundit në qeveri nga kryeministri Edi Rama nuk janë pritur hiç mirë nga ana e PD dhe e opozitës në tërësi. Madje duket sikur u ka rënë ‘rëndë në stomak’ ndryshimi i kabinetit qeveritar nga Edi Rama.
Kanë kaluar 3 ditë nga zhvillimi i kongresit të PS, ku Rama bëri prezent dhe emrat e ministrave që do të largohen, si dhe emrat e atyre që i zëvendësuan, përfshirë këtu emrin e kryetares së re të Kuvendit Elisa Spiropali pas dorëheqjes së Lindita Nikollës, dhe eksponentë të opozitës duke filluar nga Sali Berisha e përfunduar tek Ilir Meta e Klevis Balliu, s’kanë minutë që nuk merren me fjalën e Ramës e deri me vendimet e këtij kongresi socialist.
Eksponentë të lartë të opozitës japin mendime se si duhej të ishte zhvilluar më mirë kongresi i socialistëve, si duhej të ishte hapur më shumë lista e problemeve që duheshin diskutuar dhe vendosur për të mirën e partisë e të vendit, kush duhej të ikte e kush duhej të vinte në PS dhe qeveri.
Dhe mbi të gjitha ishin tepër të ‘idhnuar’ me Ramën, duke filluar nga Berisha dhe vijuar me pasuesit e tij në radhë, por dhe aleatët, në lidhje me emrat e ministrave të larguar apo të afruar në postet përkatëse. Flisnin dhe për emra të përveçëm dhe pyesnin pse nuk dha shpjegime Rama.
Me thënë të drejtën po shfaqnin shqetësimin e tyre për mbarëvajtjen e qeverisjes së PS më shumë përfaqësuesit e PD dhe të opozitës se sa vetë strukturat dhe forumet e socialistëve, duke na krijuar përshtypjen se PD dhe aleatët e saj po operojnë në këto momente si fraksione të PS, brenda siglës së përgjithshme të kësaj partie dhe duke e na lëshuar ‘gjakun’ fare, nga frika se dhe formalisht po mbetemi pa opozitë zyrtare në këtë vend.
Fundja shqiptarët e kanë treguar se shkojnë gjithmonë pas fituesit, në këtë rast Edi Rama dhe PS, por jo deri në këtë farë feje sa mund të shkatërrohen dhe kufinjtë formalë që ndajnë një parti politike në opozitë nga tjetra në pushtet. Sa përsa i përket ideologjisë, ato nuk ndryshojnë fare.
Kulmi arriti ditën e martë, teksa kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi kërkoi seancë me debat me kohë të limituar 6 orë për ndryshimet në qeverinë socialiste të bërë këto ditë nga kryeministri Edi Rama, për të dhënë shpjegime se pse i bëri këto ndryshime, çfarë e shtyu dhe pse tani. Hajde e merre vesh ketë opozitë.
Pavarësisht se ndryshimet në qeveri janë eskluzivitet i kryeministrit, pavarësisht se votimi i dekreteve të presidenti për shkarkimin e emërimin e ministrave votohen pa debat në Kuvend sipas rregullores dhe tërë ligjeve të shkruara dhe me konsensusin e kësaj opozite, Bardhi dhe mbështetësit e tij nuk hoqën dorë, duke na krijuar ato skena tepër komike me bllokim podiumi në Kuvend dhe me zhurmuese.
Bardhi dhe deputetët e Berishës në Kuvend ishin tepër të shqetësuar se pse Rama bëri ndryshime në qeveri, pse u largua ‘iks’ ministër dhe pse erdhi ‘ypsilon’ person në krye të një dikasteri të caktuar. A thua Rama është përfaqësues i PD në qeverisjen e vendit, dhe nuk është kryetar i PS që ka plot 74 vota në Kuvend për të bërë qeveri të re sa herë të dojë sipas ligjit dhe Kushtetutës së këtij vendi. Ndërsa Bardhi deklaron se dhe opozita ka përgjegjësi për emërimin e ministrave nga mazhoranca qeverisëse dhe duhet të ketë ndikimin e saj. Histori më vete kjo.
Fundja në një vend normal, me demokraci dhe opozitë normale, pakica që aspiron ardhjen në pushtet ‘lut Zotin’ që kryeministri kundërshtar të gabojë sa më shumë politikisht qoftë dhe me qeverisjen e vendit, për të lehtësuar rrugën drejt ardhjes në pushtet.
Por kjo nuk ndodh me opozitën tonë në Shqipëri, që është një ‘specie politike’ më vete dhe që rritet vetëm në habitatin e vet këtu në Shqipëri. Dhe gjithë sjellja e Berishës dhe e pasuesve të tij, deri tek aleatët politikë në këto 3 ditë të ndryshimeve në qeveri, dhe konstituimit të ministrave të rinj në Parlament, Presidencë si dhe prezantimi i tyre në dikasterët respektivë, pra tërë sjellja e opozitarëve tanë ka qënë e përshkuar nga shqetësimi për mirëqeverisjen e PS. Duke na treguar qartë se me sa duket dhe për një dekadë PD dhe partitë aleate të saj e kanë ndarë mendjen për të qënë në opozitë, ndërsa Rama e PS në qeverisjen e vendit. Ndaj shqetësohen për zhvillimet në PS.
Në fakt të shqetësoheshin kaq shumë për zhvillimet në PD, krizën e lidershipit në këtë parti, zhdukjen e nocionit të zgjedhjeve në PD dhe zëvendësimin me emërimet në krye të strukturave si në rastin e Bardhit dhe pasuesve të tij nga Berisha, futja e drejtimit të PD në linjën e trashëgimisë së gjakut si në rastin e trashëgimisë së PD nga Berisha tek Argita, atëherë ringritja e opozitës do ‘hante’ më pak se 10 vite dhe për pasojë mund të shpresohej se mund të pretendojë më shpejt ardhjen në pushtet. Nuk po përmendim Metën këtu që ikën e vjen në krye të partisë, duke i ndërruar emrin sa herë i jepet rasti dhe i shkrep në mendje, dhe as që shqetësohet fare.
Por është kthyer në komendi shqetësimi i eksponentëve të opozitës për ecurinë e qeverisjes së PS, ecurinë e demokratizimit të PS, sa kur dëgjon dhe deputetin Alizoti që flet për politikë dhe si duhet të operojë PS për t’u kthyer në binarët demokratikë për të bërë politikë madhore dhe për të qeverisur vendin më mirë, atëherë mund të themi se ‘dita e kiametit ka ardhur’.
Me sa duket lidershipi i opozitës po gabon sërish rëndë kur mendon se shqiptarët nuk kuptojnë apo harrojnë lehtë. Ndryshe nuk ka si të ndodhë, që nga maja e ballkonit lideri i opozitës Sali Berisha nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv dhe nën hetim për pasurinë dhe për ’21 janarin’, njeriu që e ka marrë në ‘pronësi’ PD 10 vite pasi dha dorëheqjen, dhe mbi të gjitha një ‘non grata’ funksional nga SHBA dhe Britania për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, del garant se do të luftojë korrupsionin, do të vendosë drejtësinë dhe do të ndërtojë demkokracinë në Shqipëri. Të gjitha këto nuk rrinë në të njejtin vend.
Aq më tepër që një njeri si Berisha që i fali detin Greqisë, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë punë, që e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e Berishës me qeverinë greke nën argumentin e cënimit të hapësirës territoriale të vendit duke shkelur rëndë sovranitetin e venndit, na flet për patriotizëm dhe merr nëpër gojë njerëz të pastër dhe patriotë, që janë mosha e fëmijëve të tij. Por që në ndryshim nga Zeni të cilit nuk i ka thënë askush puna e mbarë në jetën e tij, këta shërbëtorë të ndershëm dhe patriotë të shtetit shqiptar kanë punuar sa kanë mundur me mish e shpirt në favor të vendit. Berisha në nnjë vend normal duhej të ishte në burg për tradhëti të lartë, pasi i fali pjesë nga territori i Shqipërisë një vendi tjetër, Greqisë.
Berisha, ky ‘patriot’ i madh, kandidoi Fredi Bejlerin në Himarë për kryetar bashkie, pikërisht njeriun e përzierë në masakrën e Pëshkëpisë ku u vranë ushtarakët tanë në kufi, kandidoi njeriun e dënuar për përdhosjen e simboleve kombëtare shqiptare, njeriun që ka si devizë zyrtare të shpalosur dhe në fushatë helenizimin e Himarës dhe të Jugut të vendit, duke i lënë një ‘gjyle’ nëpër këmbë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Për më tepër që nis e flet dhe “Kryqi i Artë” grek Ilir Meta, i dokoruar për merita të shquara dhe vepra madhore të shërbim të helenizimit dhe përhapjes së helenizimit nga Parlamenti grek, me motivacion konkret për “kontribut të shquar në shërbim të Greqisë dhe përhapjes së helenizmit në botë”. Në vend që të shpjegojë, qoftë dhe në majë të hekurave, se çfarë kontributi për Greqinë dhe përhaphen e helenizimit në botë ka dhënë në karrierën e tij, Ilir Meta nis e diskuton dhe ai për kongresin e PS, përbërjen e qeverisë së PS dhe bën patriotin e madh.
Në fund të herës ajo që mund të themi është se, shyqyr që doli ky kongresi i PS, por paska qënë ‘fat’ për opozitën dhe ndryshimi i qeverisë nga Edi Rama, sepse kishte mbetur pa asnjë ‘kauzë’ opozita e drejtuar nga Berisha dhe Meta, për të kaluar këtë verë dhe hyrë të paktën në vjeshtën e parë të këtij viti.
Megjithëse kjo opozitë po na jep përshtypjen se ndoshta ka pritur dhe ndonjë ftesë për bashkëqeverisje, përderisa ardhjen në pushtet vetë e ka qarë më kohë dhe vakt. Se po sillet si një parti aleate në bashkëqeverisje, megjithëse Rama po qeveris i vetëm tash dy mandate. Apo po sillet më keq akoma, si një fraksion i PS. Ndoshta ka pritur që Rama ta pyesë dhe opozitën për përbërjen e qeverisë, kë ministër të largojë e kë të emërojë, paçka sa janë eskluzivitet i kjryeministrit emërimet e shkarkimet e ministrave.
Po shpresa ‘vdes’ e fundit./ Java News
Shume shkrim i bukur dhe me ironi te holle.
PërgjigjuBobobo sa idiot shkrim. Zot na runc nga dallkauklleku.
Përgjigju