Në fushën e hapur të këtyre zgjedhjeve po ndeshen dy armata politike dhe në retorikën e ndezur fjalët që shurdhërojnë janë “ndryshim” dhe “rotacion”… Dhe sidomos dyrrokshja “Rama”:
Ramaramaramaramaramaramaramaramarama!…
“Ky vend nuk ka të ardhme, pa larguar Ramën!” “Rama ik!” “Shqiptarë mblidhuni me ne, të heqim Ramën, të keqen e këtij vendi!”
Një i ardhur nga hapësirat ndërplanetare, që zbret në këtë vend me demokraci të brishtë, do të habitej e do të pyeste: “Kush është kjo kuçedër përrallash?” Dhe e pret t’i thonë se është një pushtetar i egër që vret e pret, që u shkurton gjuhët atyre që e shajnë, që burgos e zhduk njerëz, që tani nuk u dihen varret…
Nuk i thonë nga këto dhe ai zhgënjehet…
Them se forcave opozitare u duhet kujtuar, se ata kanë përballë Partinë Socialiste dhe jo Ramën. Është Partia Socialiste, ajo që u duhet të largojnë nga pushteti! Unë jam i sigurt se po të mënjanojnë Partinë Socialiste nga qeverisja, as që do ta vrasin mendjen nëse e mbajti apo e hoqi kreun e saj!
Pra, të urriturit për rikthim, duhet të provojnë të mundin Partinë e Ramës, jo Ramën.
Se po lodhen pak si gjatë. Nuk e kanë tërhequr dot zvarrë. Nuk e kanë hedhur dot në Lanë, edhepse dyqind herë kanë premtuar ta bëjnë këtë! I janë lutur duke u çjerrë me korale të fuqishme “Rama ik!” Pastaj, janë kthyer dhe, – jo thirrur e kërcënuar! – por e kanë lutur, – lutur, që të ikë! Bile, si gjest historik, i kanë sugjeruar edhe shëmbullin e Ramiz Alisë, pa e thënë fare haptazi: “të përgjërohemi, o Ed Rama, ik vetë, se ne nuk të largojmë dot!”
Po ai nuk ka dëgjuar të ikë. Së fundmi kundërshtarët e tij, i janë nënështruar fushatës për 25 prillin dhe i kanë kujtuar atij, të patundurit, njërin nga tiparet e demokracisë, rotacionin.
Ata e dëshirojnë, por nuk ia dijnë kuptimin rotacionit. Fjala “rotacion”, or zotërinj, ka në përbërje dhe në përfytyrim rrethin, rrotën! Opozita e ndjen veten perëndimore, bashkëkohore, teksa kërkon rotacion, por në të vërtetë po kërkon shilarës: njëherë lart ju, njëherë lart ne! Asnjë rrotë nuk shihet nëpër shilarësa. Thjesht ata nuk duan të tjerë që t’u rrotullohen përqark e t’u hyjnë në pjesë! Dhe, sidomos, nuk duan fytyra të reja, që të bëhen përbërës të rrethit, që si në parkun e lodrave për fëmijë, shilarësin tridhjetëvjeçar, t’ua kthejnë në rrotullame!
Opozita po heq të zitë e ullirit duke u munduar që koralen e saj ramaikse ta bëjë të duket si gjithëpërfshirëse, mbizotëruese, mbarëpopullore.
Por kjo është vetëm njëra anë e tabllosë, njëra anë e nevojës të kësaj Shqipërie. Rama edhe mund edhe të ikë, po kush vjen?
Shilarësit të jetës dramatike të shqiptarëve, që do të zbriste në tokë Ramën dhe shokët e tij, nuk i mbetet veçse në atë skajin tjetër të ngrerë përpjetë një ansambël fytyrash, asnjëra nga ato e re, asnjëra e panjohur. Fytyrat e vjetra janë ca personazhe, shumica famëkeqë, që kanë qenë, tashmë, dy tri herë lart në këtë shilarës të historisë. Janë emra që përmbajnë thartirë, kujtime të dhimbshme, shterpësi dhe prandaj janë zbritur dhe përzënë. Shqiptarëve edhe në gjumë nuk u ndahen emrat e tyre Sali, Tritan, Lulëzim, FatmirMehdi, Bujar, Nardi, Dash, PetritVasil, Spaho, Palokë… Është një listë që bëhet akoma më shprehëse po t’u kujtosh funksionet: kanë qenë presidentë, kryeministra dhe zëvëndës, deputetë dhe ministra…
Mund të ulet e ngrihet shilarësi, mund të lëshohen dhe zihen kulltukët e drejtimit, por asnjë shpresë nuk duket në horizont. Në vend të shpresës shohim një lukuni arrivistësh njerëz të urritur për t’u rikthyer në pushtet.
Rama ik! Hap udhën, se një individ i pahasur ndonjëherë as në filma dhe as në libra, prej muajsh po i reciton lutjen Zotit dhe, pas Zotit, anëtarëve të partisë tij, socialistëve të zhgënjyer, hallexhinjve, studentëve, fshatarëve, që ta bëjnë kryeministër! Përgjërohet në lutjen e tij, premton të mira me shumicë. Dhe bën çmos që të duket si prurja e re e vetme, në mes të portreteve që numërova më lart.
Do të ishte një prurje e re veç në kulltukun e kryeministrit që ai ëndërron, pa sa për mjerisht vjetërsinë, ajo e Bashës është nga më të rëndat.
KY KANDIDATI i RI
E njoh vetëm nga ekrani. Sinqerisht më rëndet vetja që njeriun që synon kryet e ekzekutivit ta krahasoj, jo me Ed Ramën, por as me njërin nga krerët e partive të reja, që garojnë brishtësisht në zgjedhjet e 25 prillit.
Ky njeri nuk frymëzon dot. Në staturën e Lulëzim Bashës nuk bulëzon asnjë lule, ngaqë është i thatë. Nuk ka asnjë rrembë që lëngëzon. Komunikimi dhe fjalët e tij janë shterpa. Syri i tij nuk ka gjallëri, frazat i ka të strepsura nga përdorimet: “na jepni mundësinë që t’ju ndihmojmë!” i lutej një ditë, një gruaje të moshuar. Horizonti i tij është i puthitur, i mbyllur, nuk i gjen kurrfarë të çare, që të depërtosh e njohësh se cilët janë formuesit e personalitetit të tij, cilët filozofë, cilët heronj të mendimit… Ai nuk citon asgjë; nuk sjell asgjë për t’ia mbajtur mend; fjala e tij është një shkretëtirë figurshmërie; nuk ka sens humori, ironie, përqeshje, a hiperbole dhe unë ve bast, që ai nuk di të sjellë në tryezë asnjë anekdotë!
More, t’i lemë anekdotat dhe figurshmëritë, se janë mal i lartë për të, por të ze të qarët nga cektësia e tij! Njënatëzaj në tryezën e Sokol Ballës ai pat ardhur me të gjithë arsenalin e fjalorit të tij, dua të them, me të gjitha ato 123 fjalët që ai zotëron. Me ato 123 fjalë, pyetjeve të ndryshme, që iu drejtuan, ai iu përgjigj 123 herë njësoj: “Populli mezi po pret që ta përzerë Ramën dhe të shohë në krye të punëve të vendit, mua, një kryeministër perëndimor”
Dhe ty nuk të mbetet asnjë dyshim se, për perëndim, ky ka parasysh vetëm zhytjen e diellit në oqean, në një buzëmbrëmje!
Tre herë ia bënë aty te Balla pyetjen “a do t’i këshilloni shqiptarët, që nesër të mos dalin të vaksinohen?” Katër herë të tjera Balla dhe Minxhozi i kërkuan përgjigjen, nëse ai do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve… Le të ishin të ndryshme pyetjet! Le të bëheshin edhe njëqind herë ato! Përgjigjet e tij ishin identike. I mjaftonin ato 123 fjalët që mbante në vezmet e tij: “Aty do të dal… Populli mezi po pret që ta përzerë Ramën dhe të shohë në krye të punëve të vendit, mua. Kur do vijë dita, thonë, që të shpëtojmë nga kryeministri në ikje?”
Por ky “kryeministër në ardhje” nuk na premton asnjë gërvishtje në kujtesa! Se të cekta, apo të thella, të bukura, apo të egra, ca gërvishtje gjithsesi, na i kanë lënë Ismail beu, Noli, Zogu, Enveri e bile deri Nanoja dhe Berisha! Kurse premtimet e këtij personazhi janë rrafshe akulli!
A janë thelbësore mungesat që i përmenda më lart? Janë, pa lëkundje, janë! Ed Rama, vend e pa vend, ia sjell në një dritë qesharake cilësitë këtij të caktuarit për ta zbritur nga froni. Rama e tepëron duke i përgojuar gjumin, apo gafat e tij në fushën e aritmetikës së thjeshtë. Nuk janë asgjë ato! Vras mendjen e habitem, si nuk ndalet njeri të analizojë një frazë shkëmbore, që mua më ka goditur nga libri i tij. Po e risjell të huazuar nga ata që ia kanë lexuar:
“…Pas rënies së Murit të Berlinit, mbaj mend, në orën e mësimit, mësuesja na pyeti çfarë mendonim për ato ngjarje. Nxënësit nuk po flisnin, ndaj dhe unë me një shok, e morëm fjalën. Sot nuk më kujtohet saktësisht se çfarë thashë, por sigurisht duhet të ketë qenë diçka kundër regjimit të Partisë së Punës.”
Sjell Basha kujtime që i nevojiten për të dëshmuar disidencën e tij nga tetori i ’89-s!… Zot, na ruaj mendjen! Neve, më të rriturve, nga ky pesëmbëdhjetë vjeçar, mezi na rreshtën të dridhurat në fund të ‘91-shit! Dhe gaztorët në kanale televizive merren me “7×7=42!” Çdo njeriu, teksa intervistohet, apo teksa mban fjalim, mund t’i spërdridhet gjuha dhe të ngatërrohet me ato shtatat dhe me rastin “kur errësira triumfoi mbi dritën!” Nuk është ndonjë hata e madhe kjo kokolepsje! Por, të shkruash qetësisht, të kesh kohë të korrigjosh libërthin tënd të parë dhe të mos kuptosh që po e vret shumë lart dhe që po na e shet veten për një adoleshent të rrallë historik?! Bah! Dhe, bile, po aty, të pohosh që nuk mbajtke mend frazat e tua monumentale?!… Dhe nuk mban mend se mësueses i ra alivan dhe u thirr urgjenca?! Të harrosh që i ke treguar vendin Partisë së Punës, dy vjet më parë nga Sal Berisha dhe Mehmet Elezi dhe, bile, pa të udhëzuar Ramiz Alia, siç i pat udhëzuar ata të dy?!… Për nder, o Bashë, kët’ mashtrim nuk ta kapërdijmë dot! Sidomos i servirur prej një të formuari me kulturë perëndimore!…
A vallë kaq poshtë mund të bjerë, ja, ai popull, i munduar dhe i nëpërkëmbur, por vital, që është mësuar gjithsesi të ndriçohet nga mësime të Frashërllinjve, Nolit, Konicës, Nonda Bulkës, Agollit e Kadaresë, sa të katandiset në udhën e tij të historisë të ketë në krye një individ të tillë me këtë thatësirë të frikshme?!
Dhe tani, duke kërkuar ndjesë për zgjatjen, më lejoni të shpenzoj pak fjalë për gogolin e Bashës dhe të atyre që e shtyjnë të përballet me këtë gogol.
RAMA IK apo RAMA RRI?
Që pas dy mandatëve në qeverisje, votimet të mos u japin socialistëve edhe një shans të tretë, kjo nuk është ngjarje dramatike. Bile nuk do të përbënte as ngjarje. Gjithëçka do të rridhte sipas rregullit strikt të deritashmë!
Ama, sikur të ndodhë e kundërta, e parashoh si gjëmë të hatashme për shumë emra që ju i merrni me mend, pa i renditur unë edhe njëherë. Edhe pa ju sjellë pastaj, një listë tjetër të gjatë, me ata dijetarët, që i presin fjalën njëri tjetrit nëpër studio televizive të mbrëmjes.
Për këta, mandat i tretë i socialistëve, do të qe hata, nga ato që shuajnë diellin.
Dhe nëse, larg qoftë, do të ketë infarkte, në djall mandati i tretë! Le të vazhdojë shilarësi uljengritjet e tij! Vetëm dijetarët televizivë mos pësojnë gjë!
Por humbja e Ramës nuk ka shanse të ngjasë dhe nëse ngjet, nuk është shkëlqimi i rrufeshëm i kandidatit dhe as besimi se ata burrat që na vijnë që nga nëntoka e1989-s, në këtë herën e tretë që do t’i ngrinte shilarësi, do të jenë bërë burra më të mirë! Jo, jo! Kjo do të ngjasë vetëm nëse shtohet edhe zemërimi i atyre që i duan socialistët, duan dhe liderin e tyre, por kanë zemërim për javashmërinë dhe mos-u-daljen zot premtimeve që patën deklaruar dhe nuk i mundësuan vendit një hop ekonomik. Sipas stilit të njëjtë postkomunist, Rama dhe socialistët e tij, i kanë parë mëkatet e koruptimit vetëm tek kundërshtarët. Të dy palët kur janë në fuqi nuk gjejnë dot asnjë mëkatar në radhët e veta. Në tetë vitet e tyre, socialistët nuk realizuan shpresa që vezullonin pas syrgjynit të Nanos, babait të korrupsionit bashkëkohor.
Të dy anët e shilarësit, i kanë krijuar Shqipërisë një histori të mbetur në vend, një atmosferë të paajrosur, ku gjallëritë elektorale vijnë më së shumti nga luftëtarët për pushtet dhe nga njerëzit që kanë interesa të drejtpërdrejta punësimi të leverdishëm. Por shumica e shqiptarëve janë të lodhur nën këtë zgjedhë politikanësh, nën këtë pushtim të paprovuar ndonjëherë në histori, ku ca parti me emra të ndryshëm, kanë ngjashmëri të llahtarshme në orientimin e njëjtë euroatlantik dhe… kaq!
Le të kthehemi tek individët…
Edi Rama në tetë vjetët e tij mund të bënte më shumë, por unë nguroj të ndalem mbi kritikat, se valët e urrejtjes së atyre që i ulërijnë “Ramaikun” më pengojnë. Ata kërcënojnë t’i zenë vendin dhe nuk më lenë mua, që sinqerisht nuk shoh asnjë më të zotin se ai, dhe më shtyjnë që ta uroj megjithë shpirt në angazhimin e tij. Kritikat e mia të hapura unë ia kam drejtuar disa herë në shtyp, por më lejoni të mos vazhdoj me më shumë se ato që i përmenda partisë së tij, se nuk dua t’i rrezikoj qëndrimin që e përcakton e djela që vjen. Ruaj kritikën time, kur të jenë qetësuar ujërat dhe të ngre opozitën time të vockël e vetjake, atë opozitë të sinqertë, ramaikun tim, pa asnjë interes tjetër.
Por sot, sot, në vigjilje të votimeve nuk do të le pa nënvizuar gjithëçka të mirë, gjithëçka të veçantë, që shoh te ky punëtor i palodhur, tek i cili më shumë se te kushdo gjatë jetës sime kam vënë re tipare idealiste, që janë aq të rralla në universin shqiptar. Unë shoh përpjekjen e tij për përsosjen e një ekipi punëtorësh prapa vetes. E po përmend, sa për një shëmbull, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, që shfaq energji të pashterrshme në detyrën e tij të vështirë.
Ishte rastësia ajo që përzjeu tragjeditë dhe shanset për ta parë Edi Ramën në prova madhore. Tërmeti i rëndë dhe një pandemi e panjohur vrastare si kjo, një kryetari qeverie mund t’i vijnë, të dyja së bashku, ndoshta njëherë në njëmijë vjet. E pra në ballë të detyrës, e pamë Ramën të pagjumë dhe të palodhur të luftonte me flamën panbotërore dhe me flamët e kundërshtarëve politikë të mjedisit famëkeq të vendit.
Se këta dy vjetët e fundit ishin teste kuptimplotë edhe për kundërshtarët! Por nuk u panë kurrë solidarë, ata. E si mund të jenë solidarë tek nxihen e vrerosen nga çdo sukses në rindërtim, të pagjumë në dyshime, të pakënaqur me urtësinë e të pastrehëve dhe të tërbuar egërsisht për çdo palë çelësa shtëpish të ngritura, që dorëzohen, sidomos në këto ditë. Shpirtligësia nuk pat arritur kurrë ndonjëherë të tilla kulme.
Ligësia arriti maja edhe më të larta në rastin e përballjes me pandeminë. Kryedoktori me një vargan doktorësh të tjerë, nuk lanë skuta morgjesh pa rrëmuar për të gjetur të vdekur të padeklaruar, që u hynin në punë jo për studime shkencore, por për këto “nevojat patriotike” që kanë tani ata “për t’i sjellë atdheut ndryshimin!” Tërë bota shikonte Tritanët dhe Petritat të vrerosur, gati t’u hidheshin në fyt pacientëve që linin spitalet të shëruar dhe qytetarëve që zinin radhët për t’u vaksinuar.
Të neveritshëm dhe qesharakë, ndërsa i gëzoheshin çdo vdekjeje, aq sa nganjëherë e zija veten në flagrancë mes shënimeve të mia, tek e përshkruaja doktor Berishën në varreza, duke u shkuar varr më varr të vdekurve nga virusi famëkeq, për t’ u shprehur atyre mirënjohjen në emër të Partisë së Tij Demokratike!
E zija veten duke shijuar një garë të përditëshme mes Ramës që bridhte në kërkime dhe zbriste vaksinat në Rinas dhe Ilir Metës, solemn e ceremonial, tek ndante dekorime dhe tituj nëpër Shqipëri. Dhe në të gjitha ditët e kësaj gare të ethëshme, i ziu Edi Rama dilte gjithmonë i dyti, humbës! Por përpjekjet e të dyve ishin për të mirën e vendit. E falë humbjeve të përditëshme të kryeministrit dhe fitoreve në këtë garë të Presidentit, ne sot, në vigjilje të 25 prillit historik, në Shqipëri kemi më shumë Ndere Kombi, se sa shqiptarë të vaksinuar!
Lexuesit e mi të dashur, unë e dij efektin e këtij shkrimi. E dij se si do të shkumbëzojnë kundër meje ata që kanë zënë vend në atë anë të shilarësit që pret të ngrihet.
Por kurrë nuk kam qenë kaq i hapur dhe me zemër në dorë.
Dhe me ndajfoljen “kurrë” do të them se kurrë Shqipëria nuk ka patur një kryetar qeverie më të mirë se ky person, që jo pak njerëz mezi presin të hapë udhën! Kurrë nuk kemi patur një politikan më të dashuruar me bukuritë, vërtet përrallore, që natyra i ka dhuruar me tepri këtij vendi dhe kurrë një tjetër burrë shteti nuk ka qenë aq vizionar, sa t’i ndriçojë qartë ato bukuri. Dhe më shumë se me sytë e piktorit, ai i ka parë ato me syrin e poetit dhe i shpalos mrekullisht me gojën e ciceronit.
Nuk kam qenë kurrë larg, sa të mos vej re se atij i duhet të durojë faturimin e shumë plagëve që trashëgoi nga paraardhësit, siç janë varfëria, kaosi i pronave dhe emigrimi.
Veç angazhimit në një perspektivë turistike me vënien dorë në zona dhe qendra qytetesh, atij dhe shokëve që e rrethojnë, dua t’u vlerësoj dy reforma jashtëzakonisht të vështira që i vej re paksa të mënjanuara nga vëmendja elektorale: atë të arsimit universitar dhe atë të drejtësisë.
Do të ndalesha emocionalisht më shumë tek e para. Rëndësia e saj është tepër e madhe por zbatimi mund të bëhej më i mirë, në mënyrë që zotërit e atyre gjoja-universitete, si punishte diplomash, të ishin goditur më ashpër. Ndëshkimet duhet të ishin shembullore dhe jo si ndëshkohet çdo qytetar që ngre një kioskë çfardo, aty ku s’duhet. Shoqërisë njerëzore po i bëhej një atentat helmatisës. E më besoni që drithëroj në emër të tërë brezave, që në historinë e shkollave të larta të mëmëdheut dhe në universitetet e botës, kulluan sytë përmbi studime. Drithëroj i fyer dhe i poshtëruar, në emër të Pagjumësive Tona Studentore. Pamë qytetet tona të çelnin më shumë universitete të tillë, se sa kishin shkolla fillore dhe të mesme bashkë. Fabrikimi i diplomave false në ta duhet të rreshtohet në krye të listës së krimeve që u panë gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të shëmtuar, bile para gjëmave të Gërdecit dhe të firmave piramidale. Ishin ato diploma që na sollën juristët sakatë, të cilët mbushën pastaj gjyqet dhe prokuroritë. Ato na mbushën mëtej, zyrat e administratës shtetërore, institucionet dhe paralamentin 140-kulltukësh, ku lëvrinin njerëz me xhepa të mbushur dhe me koka të zbrazura.
Njeriut që po i jap votën, dua t’i ndriçoj kulturën qytetare të komunikimit, lehtësinë e afrimit në qarqe diplomatike dhe vlerësimin e dukshëm, që i vjen nga ata qarqe. Dua t’i shpreh admirimin për sprova të ndritura të gojëtarisë, humorit dhe batutës së mprehtë dhe të qëlluar. Gojëtaria e tij dhe gjërësia e vështrimit mbi plagë të vjetra dasish fetare, ideore dhe historike, meriton notat më të larta të vlerësimit. Ai flet bukur dhe të ngjall zili me mënyrën si sulmon mbi barrierat që shumë prej nesh na kanë shtënguar të rrojmë në ato ujëra.
Fjalimi i tij i para tre ditëve, në Shkodër, ishte i mahnitshëm. I bukur për shpirtin që kishte brenda, piktoresk në përshkrim të reliefit shkodran dhe fort i mprehtë në zhbirimin e mallkimeve enveriane që ushqejnë përçarjen në qytetarinë shkodrane, qytetari me vlerat padyshim më të lartat në tërë viset e shqiptarëve.
Për të shtuar një tipar pozitiv në staturën e këtij personaliteti, dhe lideri të një partie me histori të pasur dhe dramatike, do të them se unë ende nuk kisha parë të tillë qasje, që do t’i quaja shtysa shpirti prej rilindasi të vërtetë, nga ata rilindasit e dyqind e ca vjetëve më parë, që mbahen mend se si me emrin e atdheut në gojë psherëtinin: ah, moj Shqypni, e mjera Shqypni!
Të nderuar bashkatdhetarë, kjo nuk ishte veçse një thirrje që asnjë të mos rrijë pa votuar. Unë solla disa ngacmime që ndihmojnë kthjellimin. Nuk kam iluzionin se fjalët e mia të kenë ndërruar ndonjë mendje. Votoni për cilën palë të doni, por vetëm votoni!
Ja, ky shkrim nuk është gjë tjetër veçse vota ime.
25 prilli vërtet do të na lumturojë, po të shënojë ndryshimin. Ardhtë një ndryshim që të mos ketë shijen e këtyre 30 vjetëve që rrënjosën sistemin e shilarësit, paprekshmërinë e mëkatarëve, dhjamosjen e florinjtë të trafikantëve, shëmbjen e bllokut enverian të Tiranës së Re dhe ngritjen e dhjetra blloqeve në Lalëz e përqark.
Mos i votoni ata që na e sollën të gatshëm këtë tranzicion shpresëprerë, nga 1989 e tyre. I keni nëpër lista ata! Janë ata që përmenda aty më lart, por gjeni edhe në parti të tjera. Harrojeni, sidomos, infeksionin LSI.
Qeverisja që sapo përfundoi, them se megjithë gjëmat që i ranë për pjesë, ishte më e mira e paskomunizmit.
Shënjat e ndryshimit janë dhënë, pra askush nuk e sjell më mirë se Edi Rama atë ndryshim.
Lemëni ta mbyll këtë votimin tim me urimin: RAMA RRI!
I MADHI PELLUMB KULLA!
PërgjigjuBukur,Drejt, Saktë!Jepini Cezarit ate që eshte e Cezarit!
Përgjigju