Një tjetër infrastrukturë e rilindur spitalore në vend është Spitali bashkiak i Mirditës, që bashkë me maternitetin e integruar brenda tij, janë një qendër kyçe e shërbimit shëndetësor në veri të Shqipërisë, ku tanimë shërbimi jepet në kushte optimale.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Rubik vizitoi mjediset e reja të Spitalit, urgjenca e të cilit pret 70% të gjithë urgjencave dhe problematikave që ndodhin në rrugën e kombit.
“Këtu jemi në spitalin bashkiak të Mirditës, i cili si infrastrukturë shëndetësore ka një pozicion shumë të rëndësishëm sepse përveç bashkisë së Mirditës i shërben edhe të gjithë qarkut. Spitali i Mirditës, në fakt, pësoi dëmtime të shumta nga tërmeti. Me fondet e rindërtimit u bë i mundur rindërtimi nga e para e gjithë infrastrukturës spitalore. E rëndësishme është që shërbimi i urgjencës në këtë spital pret 70% të gjithë urgjencave dhe problematikave që ndodhin në rrugën e Kombit. Prandaj, spitali i Mirditës ka rëndësinë e tij si infrastrukturë spitalore. Gjithçka është bërë sipas parametrave të një shërbimi model urgjence.
Në krahun tjetër, kemi patologjinë, këtu shërbejnë 64 mjekë dhe infermierë, ndërkohë si administratë e gjitha janë diku 130 persona staf, ekip mjekësor. Siç e theksuam, për shkak të afërsisë me rrugën e Kombit, këtu vijnë dhe trajtohen emergjencat kryesore që ndodhin në atë aks rrugor dhe për këtë arsye dhe sallat operatore janë investuar, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në pajisje moderne.” – shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila shoqëronte kryeministrin Rama në këtë vizitë.
Komente
