Politikë

Rama inspekton punimet në autostradën Elbasan-Lekaj: Pjesë e një programi masiv infrastrukture! Me hyrjen në BE, 90% e mbështetjes do jetë grant i vendeve kontribuuese

16 Prill, 11:41| Përditesimi: 16 Prill, 11:59

  • Share

Kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin e autostradës Elbasan-Lekaj, pjesë e Korridorit VIII dhe është një investim i kategorisë A që ka një gjatësi totale prej 40.7 kilometër.

Gjatë inspektimit, kryeministri tha se ky projekt është pjesë e programit masiv të infrastrukturës në kuadër të fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor. Kryesocialisti tha se me hyrjen në BE, 90% e mbështetjes financiare ndaj Shqipërisë që vjen si kredi e butë, do të jetë në formën e grantit.

 "Ky është një program masiv infrastrukture që po bëhet realitet falë pozicionit të ri që Shqipëria ka fituar edhe në kuadër të fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe rritjes së cilësisë së projekteve por në të gjitha rastet sot për sot mbështetja financiare e programeve të BE për Shqipërinë mbetet 90% e tij kredi e butë, por edhe hekurudhat, pako e re që është hapur tanimë, janë po ashtu në këtë kuadër. Me hyrjen në BE, jo vetëm që mbështetja financiare rritet në mënyrë eksponenciale, ose e thënë ndryshe nëse deri tani kemi marrë një mbështetje pak më shumë se sa 1 mld, por 90% e mbështetjes për një vend anëtar nuk është kredi, por grant i vendeve kontribuuese për vendet përfituese siç do të jetë Shqipëria.”, u shpreh kryeministri.

Ky segment është pjesë e Korridorit VIII dhe do të kalojë përmes rajoneve të Elbasanit (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqinit (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karinë) dhe Kavajës (Sinaballaj, Rrogozhinë).

Autostrada nis nga afërsia e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe do të përfundojë në Lekaj, afër Rrogozhinës. Shpejtësia maksimale e lejuar do të variojë nga 90 deri në 140 km/orë.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?