Një sërë projektesh të rëndësishme, pjesë e fazës së dytë të Programit të Rilindjes Urbane po rigjallërojnë vlerat historike të qytetit dhe rikthejnë vëmendjen tek monumentet e kulturës si një fenomen i rëndësisë së veçantë për qytetin e Beratit. Një ndër to është projekti i madh i rikualifikimit urban të krejt hapësirës me një vlerë të veçantë historike dhe turistike rreth Muzeut Etnografik, përgjatë rrugës tradicionale “Mihal Komneno”, “Mangalemit", sheshit të "Selamllëkut” bashkë edhe me zonën ku ndodhet kompleksi fetar me Xhaminë Mbret dhe Teqenë e Helvetive
Gjatë vizitës së tij në Berat, Kryeministri Rama u shoqërua nga kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo dhe nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, për të parë nga afër ecurinë e këtyre investimeve me impakt të madh për jetën dhe ekonominë e qytetit.
Falë investimeve në qytet, një pjesë e mirë e shtëpive të vjetra kanë filluar të restaurohen nga pronarët me synim kthimin e tyre në qendra të ofrimit të shërbimit për turistët.
“Këtu ka përfunduar studimi arkeologjik i zonës, para se të fillojnë punimet. Presim dhe miratimin e fundit dhe fillojmë pasivisht rehabilitimin e gjithë zonës dhe bëhet shkrirja me gjithë pjesën mesjetare të qytetit. Kjo do jetë një ndryshim për gjithë qendrën e beratit. Gjithë shkrirja me pjesën e Mangalemit e bën këtë zonë më të akeseushme për turistët, por dhe gjithë bizneset , do ketë një impakt të jashtëzakonshëm”, - u shpreh Kryetari i Bashkisë Demo.
Kryeministri Rama vuri në dukje nevojën për kurimin e detajeve në gjithë zonat e prekura nga projektet transformuese.
“Këtu ka nevojë për disa ndërhyrje shumë elegante që të bëhet një zonë ku në mbrëmje të ketë njerëz. Kjo e bën Mangalemin lart që të jetë si koka e nuses në një fustan dasme. Merr hap Kuranin, pemë, lule të Kuranit mbilli këtu rreth e rrotull xhamisë. Mbilli ti. Del spektakël. Pjesa tjetër përfshihet deri poshtë dhe kjo bën realisht që të duket si koka e nuses në një fustan të gjatë dasme”, tha Rama.
Investimet në qytet kanë nxjerrë në pah, jo vetëm vlerat historike të qytetit, por kanë rritur edhe interesin e investitorëve për zonën.
“Gjithë logjistika në zonat e vjetra të qytetit ka qenë problematike. Çdo zonë që është prekur tani e ka infrastrukturën nën tokë. Të njëjtën gjë po bëjmë dhe me zonat e tjera tani. Pozitive nga këto ndërhyrje është që i ka dhënë një impuls tjetër interesit nga sipërmarrësit”, - vijoi kryebashkiaku i Beratit.
Berati tanimë është kthyer në një motor të ekonomisë kombëtare falë ofertës turistike që ofron për vizitorët vendas e të huaj.
Ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama ishte në maternitetin e ri të Beratit, i cili ka hapur sot për herë të parë dyert pas rikonstruktimit. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Rama inspektoi punimet e reja ndërsa tha se “ishte një fiksim i vjetër që kërkoi kohën e vet”.
Kryeministri e vuri theksin tek rritja e pagave për infermerët e mjekët, duke theksuar se ky është hapi tjetër që do merret duke nisur që nga muaji qershor.
“Tani hapi i radhës është rritja e mëtejshme e pagave në qershor, siç e kemi zotuar, me gjithë vështirësitë që na janë krijuar me këtë situate, por do ta bëjmë rritjen e pagave për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët.”
Ministrja Manastirliu tha se materniteti është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 2.5 milionë euro.
"Është investim financuar nga buxheti i shtetit në vlerën 2.5 mln euro. Ka një kapacitet 50 shtretërish. Organizimi i katit të parë është i orientuar në konsulta. Ky investim, ndër gjithë të tjerat është bërë në një kohë të vështirë, gjatë pandemisë. Investimet nuk kanë ndalur. Është materniteti i katërt në krye te 4 viteve që është ndërtuar në kuadër te programit të nenës dhe fëmijës. Përpos gjithë investimit në infrastrukture, pajisjet janë të gjitha të reja, të sallave të operacionit, por edhe të mobilimit spitalor dhe pajisjeve mjekesore”, u shpreh Manastirliu.
Materniteti i ri i Beratit hapi dyert për nënat e reja që do të sjellin në jetë foshnjat e tyre. Infrastruktura e re me një kapacitet prej 50 shtretërish dhe 3 salla operacioni, e pajisur me aparatura të teknologjisë bashkëkohore, përmbyll rilindjen e kompleksit spitalor të këtij qyteti.
Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor po transformohen rrënjësisht në të gjitha qytetet e vendit, duke zëvendësuar zyrat e vjetra, të amortizuara, me arkiva të dëmtuara e të pavlefshme, me ndërtesa të reja të mirëprojektuara sipas kritereve dhe standardeve që kërkojnë shërbime të tilla.
Berati është qyteti i radhës, ku ndërtesa e kësaj drejtorie është ngritur e re nga themelet në hyrje të qytetit, duke garantuar shërbime për më shumë se 55 mijë drejtues automjetesh të 5 bashkive të këtij qarku. I pranishëm në inspektimin e zyrave të reja ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Duke vlerësuar punën e bërë, kryeministri Rama theksoi se faktet flasin vetë mbi transformimin rrënjësor që është bërë në këtë aspekt.
“Me mjete me standarde të reja, duke nxjerrë jashtë shumë nga mjetet e vjetra, dyfishimi flet vet edhe për atë që ne përsërisim që ka të bëjë me ekonominë. Se “ku është rritja ekonomike”. Faktet e tregojnë se ku është", tha Rama
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjegoi se në Drejtorinë rajonale të Beratit, ofrohen 120 mijë shërbime.
“Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor të Beratit është një nga drejtoritë më të mëdha të rajonit të jugut, pas Fierit dhe pas Vlorës. Në këtë drejtori ofrohen rreth 120 mijë shërbime gjatë gjithë vitit. Në vizitën time të parë këtu me Blendin, ka qenë fillimi i 2019, e kemi gjetur këtë Drejtori në një ambient me qera, diku pas një fushe skrapi, që ishte shumë e vështirë ta gjenim. Kështu që morëm një vendim që t’i jepnim një mundësi Beratit për të pasur një ndërtesë të re ku mbi të gjitha do të ofrohej shërbim i kulturuar ashtu siç e meritojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve të kësaj zone pasi këtu ofrohen shërbime për 5 bashki.” – u shpreh Ministrja Balluku.
Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Transportit Rrugor tha se janë rreth 70 mijë shërbime.
“Janë rreth 70 mijë shërbime online, por janë rreth 120 mijë të tjera, të cilët janë të detyrueshëm fizike. Pra, rreth 200 mijë shërbime në ditë e ndaj ishte një drejtori që e meritonte si shërbim. U pa nevoja e blerjes së një trualli të ri për drejtorinë sepse mjediset ishin nëpër qoshe, nëpër kanale. Shpesh akuzohemi për ndërtesat e reja dhe fasadat. Është punuar me kosto normale dhe racionale ndërtimi. Çdo gjë është nga vetëfinancimi, pa i marrë buxhetit të shtetit asgjë. Nga viti 2013, janë dyfishuar numri i mjeteve në Republikën e Shqipërisë, ka pasur një amnisti në 2015-2017 dhe tani jemi në rritje. Po rikonstruktohet komplet e gjithë qendra e kontrollit teknik, e cila është në Dimal, pjesa 2 e rajonales, ndërkohë këtu është kontrolli fizik dhe shërbimet e domosdoshme fizike.” – shpjegoi Gonxhe.
Godina e re ka një sipërfaqe totale ndërtimi prej 1150 m2 të zhvilluar në 2 objekte. Në objektin e parë janë vendosur sallat e shërbimit ndaj qytetarëve dhe arkivat për regjistrimin e mjeteve dhe drejtuesve, ndërsa objekti i dytë është kapanoni për kryerjen e identifikimit teknik e fizik të mjeteve.