Kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër punimet në shkollën 9-vjeçare Pjetër Budi në kryeqytet që pritet t’i japë zgjidhje një prej problematikave më të mëdha, siç është mësimi me dy turne.
I shoqëruar nga kryetarja e deleguar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, kreu i qeverisë tha se godina e re me 28 klasa për njëmijë nxënës është një tjetër revolucion që po ndodh me shkollat në Tiranë
“Me shkollat në Tiranë kemi bërë një revolucion dhe ndërtuar një model që është i standardit më të mirë evropian, pa asnjë diskutim. Shkollat e Tiranës janë shkolla si në çdo qytet të Evropës ku ka shkolla të vjetra, ka shkolla “çka” dhe ka shkolla shumë të mira. Këto janë nga shkollat shumë të mira, pa asnjë diskutim. Është revolucion i madh", tha Rama.
Një tjetër inspektim ishte ai i rikonstruksionit të godinës së Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave i cili i është nënshtruar transformimit pas dëmeve që pësoi nga tërmeti i 2019-ës.
“Unë do mendoja që këtu mund të jetë një veshje që të jetë me volume gurësh që është edhe për mbrojtjen dhe për të gjitha por edhe që shkon në drejtim të kësaj. Zona këtu në vend që të jetë një gjë e shtruar në mes të qytetit, të jetë diçka pak më gjeologjike. Duhet punuar në disa variante dhe pastaj mund t’i angazhojmë të gjithë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë thotë se ndërtesat do të ofrojnë laboratorë modernë, salla leksionesh dhe studimesh me kushtet më të mira për studentët dhe pedagogët. Sipas Ramës, ky është një nga investimet më të rëndësishme për arsimin e lartë, pjesë e programit të qeverisë për modernizimin e universiteteve.
“Duhet punuar me disa variante dhe t’i angazhojmë edhe këta që kanë karriera që të japin kontribut. Në radhë të parë është që të kemi projektin e duhur në këtë pjesë. Nëse do të shkohet në këtë drejtim, duhet gjetur mënyra që edhe sheshi të mos jetë tipik. Për shembull për të shtuna dhe të diela mund ta hapni këtë për publikun.”, u shpreh Rama.
Ndërkohë ministrja Manastirliu foli gjithashtu edhe për investime në Fakultetin e Arkitekturës.
“ Universiteti Politeknik i Tiranës është kantier i hapur se dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë është duke u rindërtuar. Janë tre volume ndërtesash. Ka filluar i pati dhe pritet të fillojë me të dytin. Janë 12 milionë dollarë të parashikuara për investimin, 70 për qind mbulim të buxhetit të shtetit.”, tha ministrja.
Projekti konsiston në rikonstruksionin dhe restaurimin e dy ndërtesave ekzistuese të këtij fakulteti, si dhe ndërtimin e një objekti të ri, Muzeut të Gjeologjisë, që do të ketë hapësira muzeale, bibliotekën me ambientet e studimit, auditorët dhe ambientet teknike, me një vlerë rreth 6 milionë euro.
Komente
