Ekonomi

Rama inspekton punimet në zonën e plazhit, Shkëmbi Kavajës dhe Golem: Rilindja urbane rriti 30% vlerën e pronës

11 Tetor 2019, 19:45| Përditesimi: 11 Tetor 2019, 19:57

  • Share

Kryeministri Rama ka inspektuar punimet për rehabilitimin  e zonës së plazhit në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit në Golem. Ky investim ka rritur me 30% vlerën e pronave në këtë zonë dhe bizneset. 

"Golem- Aty ku rilindja urbane ka ndryshuar rrënjësisht cilësinë e zonës turistike dhe rritur me 30% vlerën e pronës, bizneseve dhe turizmit në këtë zonë. Investimet do të vazhdojnë deri në integrimin e plotë të hapësirave publike, përgjatë gjithë vijës bregdetare" ka deklaruar Rama.

Jo shumë kohë më parë, ajo çka të ofronte zona e plazhit ishte një hapësirë e degraduar mes ujërash të zeza, pluhuri dhe balte, madje edhe përmbytjesh, sot është transformuar në një hapësirë të mirëorganizuar e funksionale rezidenciale, turistike dhe shërbimesh. Janë rikonstruktuar 5.5 kilometra rrugë të brendshme dhe rrugë dalëse në det në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit, janë ndërtuar lidhje të reja me kolektorin e ujërave të zeza; disiplinimi i ujërave të bardha; krijimi dhe sistemimi e hapësirave publike; ndërtimi i trotuareve; krijimi dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra; ndriçimi dhe ndërtimi e pikave të grumbullimit ditor të mbetjeve urbane. Po ashtu është bërë edhe sistemimi i Përroit të Durrësit që kalon në zonën e plazhit te Shkëmbi i Kavajës.

“Janë trajtuar me të gjithë elementët nga trajtimi i Përroit të Durrësit që është sistemuar, që ishte një histori ndotjesh të përhershme, tek të gjithë elementet e ndriçimit, trotuareve, detajet për njerëzit me aftësi ndryshe deri në daljen në det. Kjo ka qenë një zonë që mbytej, ishte baltë dhe sot që flasim vlerat e pronave është rritur me 30%, vlera e bizneseve është rritur dhe impakti në turizëm është domethënës,” – tha Dritan Agolli, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, realizues i këtij investimi. 

Investimet në zonën e plazhit janë shtrirë edhe në Golem, ku ka përfunduar ndërtimi i shëtitores në hyrje të kompleksit “Mak Albania” dhe kanalit kullues dhe rrugës që fillon nga rrethrrotullimi tek Mali i Robit deri në bregdet.

Impakti i këtyre investimeve ka qenë i menjëhershëm, sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke nisur nga sezoni turistik i këtij viti, e shënjuar nga rritja e aktivitetit të bizneseve dhe cilësia e akomodimit të turistëve. 

“Nga ajo që kemi biseduar me të gjithë operatorët turistikë të kësaj zone, i gjithë shërbim i zonës është rritur me yll. Nëse konsiderohej zonë e lënë pas dore dhe shërbimet ishin tek 2 e 3 yje, tani në të gjithë restorantet, baret, lokalet e zonës janë kryer riparime dhe e gjithë zona mund të konsiderohet me shërbim 4 yje,  kjo edhe falë hoteleve që janë shtuar në këtë zonë,” – nënvizoi ministri Klosi.

Investimi tjetër në zonën e plazhit, shtoi ministri Klosi, do të jetë ndërhyrja në rrugën dytësore të Plepave, për ta kthyer në unazë.

/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?