Kryeministri Edi Rama inspektoi paraditen e kësaj të premteje Qendrën e Kontrollit të Trafikut, ku bashkërendohen një sërë projektesh dhe skuadrash e ku gjithçka do të ndërlidhet me programin SmartCity. Ky projekt do të ndërlidhë rrjetin rrugor shqiptar me pjesën tjetët të monitorimit brenda qyteteve të vendit.
Gjatë inspektimit të kryeministrit, u firmosën edhe memorandumet e bashkëpunimit me ministrinë e Mbrojtjes, e Brendshme dhe atë të Shëndetësisë/Emergjencat Civile. Në fjalën e tij, Rama e cilësoi qendrën e re si një kapitull të ri për administrimin e territorit, me të cilën synojnë të mbledhin në kohë reale informacion për çdo problematikë.
“Sot merr rrugë një kapitull i ri në historinë e administrimit të territorit dhe në historinë e asistencës për të gjitha nivelet, e sigurisë rrugore, e urgjencës mjekësore, të Emergjencave Civile. Është detyrim i madh që do ta shoqërojmë me një reformë, ku të gjitha urgjencat dhe thirrjet që të jenë të unifikuara. Kjo na duhet, ndërkohë që gjithë kjo qendër moderne do të mbështetet nga sistemi i qyteteve të zgjuar, Smart City, me rrjetin e kamerave inteligjente dhe AI, që do të bëjnë të mundur mbledhjen e informacionit në kohë reale në çdo metër dhe kilometër për të gjitha problematikat dhe më në fund të largohet edhe policia nga pritat në rrugë.“, u shpreh Rama.
Qendra e Re e Kontrolit të Trafikut në Kamëz, e cila do të ndërlidhet dhe me projektin Smart City, synon të garantojë monitorimin e të gjitha rrugëve 24/7 dhe koordinimin e Policisë Rrugore, Urgjencës Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencave Civile.
Qendra do të funksionojë me 122 operatorë, ku në këtë fazë fillestare të monitorimit janë lidhur me kamera 200 km e para, të cilat mbulojnë autostradat kryesore Tiranë-Durrës, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, Fier-Vlorë, e ku synimi final është mbulimi i 3650 km që janë aset i inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Komente
