Kryeministri Edi Rama ishte sot për inspektime dhe takime në qarkun e Fierit dhe fillimisht në Divjakë.
Ai shkoi edhe në kantierin e rrugës Gurë-Remas, një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që do të shërbejë si segment lidhës midis dy fshatrave Gur dhe Remas, si dhe me rrugën e Karavastasë, duke lehtësuar jetesën e banorëve që jetojnë aty, por dhe duke hapur perspektiva të reja të zhvillimit të ekonomisë dhe turizmit në këto zona.
Me një viedo-postim në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë njoftoi këtë investim drejt përfundimit, teksa pati edhe një reagim "për kënetën", teksa shoqërohej edhe nga kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea.
"Kjo është për ata që thonë fshati, fshati, s'keni bërë gjë për fshatin! Po ku do t' shikoni rrugët e fshatit ju? Ku? Në kënetën mediatike që nuk ka rrugë dhe punë tjetër por vetëm e kapi, hyri, iku, doli, bam e bim...", tha kryeministri mes të tjerash.
Ai shpjegoi edhe vështirësitë e hasura kur socialistët erdhën në qeveri, me gropën e madhe të borxheve të trashëguara, kurse tani nuk ka më as ndasi majtas djathtas për investimet, që theksoi nuk janë më selektive.
S'kanë lidhje me fshatin fare ata që flasin ashtu. Ka pasur shumë zona ku është investuar, jo elektorale, por strategjike. Jo hajde hidh dy lopata asfalt e shtro çakull. Përditë, përditë për 12 vjet, jo 12 vjet, se nja dy vjet na u desh që të dalim nga gropa e borxheve, borxhet e tmerrshme të atyre. Por një dekadë me radhë pak nga pak, hap pas hapi. Të rrugëve turistike, për bujqësinë, me prespektivë, të rrugëve të thella ku nuk shkohej dot as me traktor. Unë jam krenar me punët e bëra. Por e pamë edhe në festën e 7 marsit, mësuesit mund të shkojnë edhe te këneta, të flasin hapur të shprehin mendimet e tyre dhe s'u ndodh asgjë. Edhe këtu kurrë nuk është parë jo i majtë, jo i djathtë, jo t'i heqim rrugën këtij e t'ia çojmë atij se është i majtë, apo që t'i heqim ujin njërit dhe t'ia japim tjetrit", shtoi kryeministri për investimet dhe gjendjen ekonomike ku e gjeti vendin PS 12 vite më parë.
Në fund ai shtoi se nga 4 zona që kishin ujë në mandatin e parë socialist, tani janë shumëfishuar, teksa ka edhe 11 kantiere ndërtimi të reja dhe investime të shtuara.
Komente
