Rama përmbyll fushatën në Lezhë, ironia për opozitën: S’kërkojmë dhëndër! Kandidatët i dhanë fytyrën gërdallës e të pakorrigjueshmit (Berisha-Meta)

7 Maj 2023, 15:24| Përditesimi: 7 Maj 2023, 22:43

  • Share

Kryetari i PS e njëkohësisht kryeministri Edi Rama, ka përmbyllur fushatën  elektorale në Mirditë, Kurbin e Lezhë, ku kërkoi mbështetje për kandidatët e socialistë. Teksa premtoi zhvillim të mëtejshëm të zonave, ai u kujtoi qytetarëve që vota për Berishën e Metën kundërshtarin do i kthej vite pas, e mbështetja do shkonte tek njerëz të padëshiruar nga SHBA.

Nga takimi me mbështetësit në Mirditë, Rama nuk e kurseu ironinë për Albert Melyshin, kandidatin e dyshes Berisha-Meta, për të cilën thotë se mund të jetë djalë i mirë por ‘gjunjët i ka copë’. Rama shtoi se nuk do të merret me të, por thotë se nuk e kupton si mund t’i japë fytyrën Berishës e Metës, të cilëve iu referohet si ‘gërdalla non grata’ dhe ‘i pakorrigjueshmi’.

“Ne nuk kemi ardhur këtu për të dhënë nuse por për të thënë që në 14 maj nuk po shkojmë në dasëm e s’po kërkojmë dhëndër por njeriun që do të marrim në punë për 4 vite, që do të vijojë të punojë për Mirditën. Gjithçka e kisha dëgjuar por kur thotë kandidati jam djalë i mirë, më jepni votën, këtë se kisha dëgjuar. Unë nuk kam motër për të martuar, djalë i mirë të jetë por a është i zoti, a e tërheq karrocën, por mesa shoh unë i paska gjunjët copë. S’dua të merrem se nuk e njoh fare.

Të marrësh përsipër që t’i japësh fytyrën, emrin e zërin një gërdalle non grata dhe një tjetri që është i pakorrigjueshëm do të thotë të mos jesh mirë e të mos kesh mundësi të arsyetosh se çfarë është mirë e çfarë është keq. Shqipëria sot është në pikën më të lartë. Kurrë nuk është respektuar sa është respektuar sot”, tha Rama.

Një thirrje e kishte për të gjithë demokratët që do ikin të votojnë për kandidatët në listën e koalicionit opozitar që drejtohet nga Ilir Meta.

“I bëj thirrje atyre të djathtëve që nëse nuk e duan PS mirë bëjnë, nëse nuk duan të më shohin mua me sy, nuk ka problem, me telekomandë më pushkatojnë, nuk duan të votojnë Ndrecën gabim e kanë por të dalin nga shtëpia për të votuar Liken dhe historinë e Mirditës... Mua më thonë nuk i do veriorët dhe tani kanë kaluar në ekstrem se s’dinë çfarë të thonë”, tha Rama.

Rama premtoi se do të bëhet punë më shumë se sa është bërë këto 8 vite nëse fitoren më 14 maj e merr Ndrec Deda.

Më pas udhëtoi drejt Kurbinit, ku kërkoi mbështetje për kandidaten Majlinda Cara. Rama tha se ka në fokus turizmin duke shtuar se do të bëjnë ujësjellësin dhe do të realizojnë pazarin e Milotit që ia ka premtuar Berisha që kur i kishte flokët e zeza.

“Do e bëjmë destinacionin turistik. Kemi bërë projektin për rrugën, për pikat e shërbimit dhe për t’i dhënë mundësi kurbinasve që të përfshihen dhe t’u themi njerëzve hajdeni në Kurbin dhe qëndroni, jo flini në makinë por do të gjeni shtëpi të hapura, bujtina, mikpritje. Do fokusohemi te turizmi. Do bëjmë ujësjellësin dhe do ta fusim edhe pjesën e zonës bregdetare në ekonominë e kësaj zone. Edhe këtë pazarin e Milotit që kanë që në ’92 që e premtojnë”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka zgjedhur Lezhën për të përmbyllur turin për fushatën e 14 majit. Kryesocialisti ka përdorur vizionin dhe programin e Partisë Socialiste si të vetmen alternativë për qytetarët në fletën e votimit. Edhe në spotin elektoral, Rama ka përdorur pothuajse të njëjtën retorikë për kundërshtarët e tij politik, dyshen Berisha-Meta. Në shumë raste, Rama përdori etiketime të ndryshme për çiftin opozitar, si “Salike”, “Zorrë qorre”. Rama është shprehur se nuk ka sesi të votohet një politikan i shpallur Non Grata i cili as në fletën e votimit nuk është.

Ora 20:14
‘Rama ik’, Kryeministri për thirrjet kundra tij gjatë mitingut në Lezhë: E bëjnë gjithmonë, shko merr 5 mijë lekshin! Vetëm ndonjë pijanec ka ngelur pa ma thënë

 

Edhe në Lezhë, Rama ironizoi thirrjet “Rama ik”. Ai ironizoi militantët se japin 5 mijë lekë të vjetra vetëm për të bërë të njëjtat thirrje kundra tij.

Teksa Rama mbante fjalimin, një fëmijë i vogël bërtiti “Rama ik”, duke i ndërprerë atij fjalimin.

"Ja doli një fëmijë atje, e prisja. Gjithmonë del një fëmijë që thotë “Rama ik” në çdo miting “Rama ik”, i thonë na 5 mijë lekë ik bërtit Rama ik, dhe hajde merr 5 mijë lekshin. Ik merre tani 5 mijë lekëshin. Tani kanë mbetur vetëm kalamaj të vegjël, ose ndonjë pijanec që thotë “Rama ik””

Ora 20:03
Rama ironizon opozitën në Lezhë: Kishin dikur njerëz nga bota akademike këtu, Mark Marku dhe Gjekmarkaj e kuptuan se ishin në ‘vathën’ e gabuar

 

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish gjendjen e opozitës gjatë fushatës së tij në Lezhë. Rama u shpreh se pavarësisht se dikur kishin patur njerëz nga bota akademike përkrah, tashmë Mark Marku dhe Argon Gjekmarkaj e kuptuan se ishin në ‘vathën’ e gabuar.

Sipas Ramës, të dy këta figura u distancuan nga Sali Berisha sepse donin Amerikën dhe jo Moskën.

“Në 2021 në Lezhë ata kishin në krye dy njerëz, me të cilët unë kam pasur debat dhe nuk i kam pasur për zemër, por sido që të vijë puna ishin dy personazhe që vinin nga bota akademike, që përfaqësonin Lezhën e familjeve të persekutuar, që u përfshinë me PD sipas meje me naivitet të madh, por sidoqoftë u përfshinë jo për karrige, por për të vazhduar atë që ata e quanin lufta me regjimin. Ku është Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj? Me kë janë zëvendësuar dhe pse nuk janë këtu? Sepse ishin të parët që e kuptuan që kishin hyrë në vathën e gabuar. E kuptuan dhe ndryshe nga delet e tjera ngritën krye, e thanë publikisht atë që menduan dhe i lanë shëndenë tufës së deleve të një gërdalle non grata që vjen vërdallë nëpër Shqipëri. Edhe pse është bërë 80 vjeç dhe në vend që të rrijë në shtëpi e të mos lërë nam rrugëve vazhdon kërkon vota dhe flet për fitore.

Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj i përkasin shpirtërisht dhe tradicionalisht asaj ane. Anës së familjeve historia e të cilave u shkrua me gjakun e konfliktit me regjimin komunist. Anës e familjeve që trashëguan idenë e të djathtës jo nga jeta akademike, apo nga librat, por e trashëguan nga kujtimi i stërgjysheve dhe gjyshërve të tyre, të cilët komunizmi i persekutoi tek cdo qelizë e familjes. Kjo është e djathta.

Pyetja është pse u ndanë ata nga komunistët? Ca donin ata? U ndanë sepse ata donin Amerikën, Perëndimin, e donin Shqipërinë si në Perëndim, ata nuk donin Moskën nuk donin komunizmin”, tha Rama

Ora 17:56
Rama për kandidaten e PS në Kurbin: Majlinda të hidhet në fyt kur i thua mirëmëngjes por bën punën! Me Beharin pa shkollë ju vjen dimri në maj

 

Majlinda Cara është kryetarja aktuale e bashkisë Kurbin që rikandidon në zgjedhjet e 14 majit. Kryeministri Edi Rama ishte në Kurbin për të kërkuar mbështetje për të ndërsa nuk la pa përmendur sjelljen e saj duke thënë se bërtet por bën punën.

Nga ana tjetër, përballë saj është kandidati i dyshes Berisha-Meta, Behar Haxhiu, për të cilin Rama tha se nëse e votojnë ata, do i vijë dimri që në maj.

 “Tani këta të djathtët çfarë duan. Pse për Beharin do diskutojmë që thotë s’kam shkollë por kam vizion. Majlinda s’është ëngjëll. Të hidhet në fyt ndonjëherë kur i thua mirëmëngjes. E di, po çfarë të bëjë Majlinda. Apo jeni të kollajshëm ju, se mos jeni tolerant ju. I kam thënë butë, butë. Mirëpo duhet me e pa, ja ku është produkti, këtu kudo ta kthesh kokën sheh që e ka bërë Majlinda me qeverinë. Le të bërtasë, por të bëjë punën. Me Beharin ju vjen dimri që në maj e s’shihni më verë me sy. Dilni me flamuj, gjuani me armë e rrini pa ujë pastaj. Pijani Beharin ujit”, tha Rama.

Ora 17:50
Rama për Berishën: Rrangall që merr nëpër gojë çdo kënd! Komentet e tij nuk i durohen as budallait të lagjes që vjen vërdallë duke bërtitur

 

Nga Kurbini, kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer komentin për Sali Berishën, të cilit i referohet si rrangall dhe thotë se fjalët për ambasadoren Yuri Kim apo McGonigal nuk i durohen as një budallai lagjeje që bërtet.

“Dhe ata që janë arsyeja pse këta të tjerët i thonë vetes të djathtë që janë në botën tjetër, do rrotullohen në varr 7 herë kur t’i thonë që votuan më 14 maj ‘Bashkë Fitojmë’ me Like Floririn. A jeni në vete? D.m.th. midis të ardhmes, dinjiteti kombëtar, punëve që dihet shumë mirë se ne dimë t’i bëjmë e ata nuk dinë dhe një rrangalli që normalisht familja do i thoshte mos dil nga shtëpia. Unë i them familjes po më patë një shenjë që filloj e bëhem si ky, mos më lini të dal.

Një rrangall që vjen vërdallë e merr nëpër gojë çdo kënd. Ambasdorja amerikane që ka një video, Mc Gonigali që ka orgjira me ministra, më tha njëri ... çfarë janë këto? Këto nuk i durohen as një budallai të lagjes që vjen vërdallë duke bërtitur”, tha Rama.

Ora 17:35
VIDEOLAJM/ ‘Rama ik’, qytetari i ndërpret fjalën në Kurbin, kryeministri: Mezi po e prisja! I ka rënë niveli fare, opozita jep nga 5 mijë lekë për të bërtitur kundër meje

Nga takimi me mbështetësit socialistë në Kurbin, kryetari i PS Edi Rama u ndërpre nga një demokrat që bërtiste ‘Rama ik’. Veprimi i tij nuk mbeti pa u komentuar nga kreu i qeverisë.

“Mezi po prisja. Në çdo takim është një zë fëmije diku në fund që thotë ‘Rama ik’. I ka rënë niveli fare tani. Kanë shkuar tek fëmijët tani ose ata që janë tapë në 7 të mëngjesit. I japim ndonjë lekë aty, i japin nga 5 mijë lekë për të bërtitur ‘Rama ik’”, tha Rama.

Ora 15:56
Rama tallet me Berishën dhe Metën: Për punë orësh do dalin të thonë, i vodhi zgjedhjet, çohuni! Nuk do ikin si Luli ata, s’flejnë dot

 

Edi Rama është tallur me Sali Berishën dhe Ilir Meta, të cilët supozon se me 14 maj do të dalin e të bërtasin se PS ka vjedhur votat.

“E mbani mend që thonit Rama ik, Rama ik, iku Luli. Është punë orësh kur të dalin e të thonë, i vodhi, çohuni, Rama ik, por këtë herë do të ikin ata të dy përfundimisht. Luli është rehat, në gjumë. Këta nuk do ikin për të fjetur. Këta nuk flejnë dot se kanë punë të tjera. A e kuptoni kur thotë Like floriri do luftojmë korrupsionin apo jo”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, drejtësia vonon por nuk harron, dhe Ilir Meta do të japë llogari për paratë në bankat e huaja.

“Do luftoj korrupsionin”, thotë Likja. Ore jeni në vete apo jo? A e kuptoni kur thotë Like Floriri do luftojë korrupsionin apo jo? A jeni në vete apo jo? Kjo tregon që ruani ujësjellësit se erdhi ua mori tubat këtu. Se ujin harroje që e devijuan komplet. Do bëjnë transparencë, thotë Likja. Ça transparence? Likja do të shkojë të bëjë transparencë për ato kontot sa lart poshtë nëpër ato bankat e huaja të fshehta”, tha Rama.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/05/2023 02:36

    Shume mire qe do te ndertosh tregun e Milotit dhe le te supozojme se ja u ndertua,tani ku do t'i gjejne parate njerezit qe te blene ne treg? Duhen vende pune zoteri,keto premto,pastaj premto tregje,rruge e shetitore!

    Përgjigju
  • Besa: 07/05/2023 18:56

    Tamam per tu talle jane ato,vec pallavra flasin

    Përgjigju
  • Salikja: 07/05/2023 18:45

    O Rama u plake dhe vendi ka ecur përpara me shpejtësinë e kërmillit. S'ke zgjidhur akoma ABC e problemeve e halleve të shqiptarëve që të mos ikin pergjithmonë. Ti e fillove tek shkronja x dhe e çove tek shkronja y. Mos prisni nga shqiptarët tju nxjerrin juve nga balta ku të gjithë janë futur.

    Përgjigju
  • Ardi: 07/05/2023 18:38

    Behat haxhiu nje injorant pa shkoll , nje idjot i shkund bashk me kastriot pirolin i biri spiunit te zhejes ne kohen e enverit , pasohet nga injorantet e karburant tucit, nga lusn poroli injorant pa shkoll dhe disa injorant te tjer ne kurbin , ish liigj isufi injorant ish ded ndreca i lsi trap pa shkoll fare bixhozxhi e cfar mund me then per keta plehra te ndyr .

    Përgjigju
  • Eni: 07/05/2023 18:28

    Humbesat skane ca thone me

    Përgjigju
  • Ani: 07/05/2023 18:18

    Nese eshte dikush qe e zhvillon kete vend ai eshte vetem rama

    Përgjigju
  • Flori: 07/05/2023 18:07

    Edhe ata vete e dine qe jane te humbur ne keto zgjedhje

    Përgjigju
  • Eni: 07/05/2023 18:06

    turp per ata njerez nese votojne nongraden dhe like floririn ne 14 maj

    Përgjigju
  • Akleo: 07/05/2023 18:01

    Partia juaj keshtu te vazhdoje vetem perpara se fitoren e keni te sigurte

    Përgjigju
  • titi: 07/05/2023 17:49

    ky do jet justifikimi i tadhes i saliut em shok

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?