Kryeministri Edi Rama më 11 maj kërkon një mandat të thellë për të çuar para procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Angazhimin e tij e parashtroi edhe njëherë para Njësisë numër 8 të PS në Tiranë, nga ku u kërkoi anëtarëve të PS që duhet të tregohen të pamëshirshëm në raport me çdo votë, pasi vetëm me një rezultat të thellë më 11 maj, mund t’i bëjnë BE ‘presion politik’ për integrimin e Shqipërisë. Rama thotë se PS është e vetmja parti në Ballkan që bën fushatë elektorale për BE.
“Çështja nuk është te 71 mandatet. Duhet të jemi të pamëshirshëm për cdo votë. Çdo vote do ia bëjmë yzmetin sikur është vota që ndan fitoren nga humbja dhe kështu do arrijmë të marrim atë që duhet. Ne jemi e vetmja parti sot, jo këtu, po në Ballkan pa diksutim, edhe në Europë nuk diskutohet, që sot bën fushata elektorale për BE. Dhe jo pa qëllim, se kjo është një fushatë që nuk është thjesht për ne, por për marrëdhëniet mes nesh dhe atyre. Dhe ata i shohin. Dy vetë ma kanë thënë si mund të bëhet fushatë me flamurin e BE dhe përgjigja ime ishte se shqiptarët duan të futen në BE. Në momentin që mbaron kjo fushatë dhe del një rezultat kuptimplotë, më i madh se rezultatet e tjera, ky është argument më i fortë për t’iu bërë presion politik. U ngrit një popull i plotë votoi për BE, tani duhet patjetër t’i mbyllim këto negocitat dhe të futemi atje, se është populli më pro Europës”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Katërnjakët marrin kartën e anëtarësisë së PS, Rama: Erdhët me kap pasaportën e BE! Më 11 maj triumf, 'presion' politik Europës për integrimin
SI.E./I.M/ReportTv.al
