Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me homologun britanik Keir Starmer, tha se është koha që të zgjidhet edhe një tjetër problem me emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, të cilët kanë përdorur identitet të Kosovës. Kreu i qeverisë theksoi se mijëra shqiptarë janë kontribuues të rregullt në shtetin britanik dhe është e papranueshme që të stigmatizohen sikur janë problem atje.
“Është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britaninë e Madhe me shumë shqiptarë që kanë arritur dhe janë sistemuar vite më parë dhe të integruar, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta ose identitet të Kosovës, me pranimin si refugjat lufte. Dhe ata sot jetojnë me dy identitete, një për shtetin britanik, një këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme që mund t’u jepet zgjidhje duke qenë se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe janë kontribues në ekonomi dhe jetën shoqërore.
Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike që kontribuojnë në shtetin britanik dhe afro 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare si kontribues të ndershëm dhe të rregullt dhe është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problemi i Britanisë së Madhe. Me kryeministrin kemi folur edhe për shkëmbimet tregtare. Kemi rritje krahasuar me më parë, rreth 27%, por shuma e përgjithshme e shkëmbimeve tregtare është më pak sesa buxheti i skuadrës së Crystal Palace. Kështu që është mirë të rrisim pak më shumë.”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Starmer nga Tirana: Do prodhojmë bashkë mjete ushtarake! Rama: U ul numri i emigrantëve të paligjshëm, mit që shqiptarët janë problem për Britaninë (FOTO+VIDEO)
Xh.D/ReportTv.al