Rama: 'Kazanë' ka edhe te shqiptarët e diasporës, Majko budist

1 Mars 2019, 22:15| Përditesimi: 1 Mars 2019, 22:21

  • Share

TIRANE-Pas fjalimeve paradite, u zhvillua mbrëmja gala e Samitit të Diasporës, kur kryeministri Edi Rama i dorëzoi tenorit shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu çmimin “Shqipoja e Artë e Diasporës”. Ndërkohë që gjatë fjalës, kreu i qeverisë nuk la pa përgjigje edhe kritikët e Samitit të dytë të Diasporës. Ai tha se ka gjetur “kazanë mediatikë” edhe në diasporë.

"Sot pashë dhe disa reagime në kazanin e diasporës për këtë Samit, se dhe diaspora ka kazanët e vet dhe më bëri shumë përshtypje negativiteti i reagimeve, njëri thoshte “është samiti i vakisë”, tjetri thoshte “është samiti i përçarjes”, e kështu me radhë, por, sidoqoftë, po t’i besosh mikut tim budist, Pandeli Majkos, të gjitha këto janë shenja të mira' tha Rama.

Fjala e plotë e kryeministrit në mbrëmjen gala të Samitit të Diasporës
Sot ishte e thënë të ishte dita e dorëheqjes time nga fjalimet e shkruara, sepse duket më e udhës që t’i lëmë më shumë hapësirë atyre që janë të ftuarit e nderit, të gjithëve ju dhe ndërkohë, sigurisht, me shumë dëshirë, dua, në radhë të parë, t’i falënderoj një nga një të gjithë të pranishmit për mundimin që keni marrë për të ardhur deri këtu dhe shpresoj që, deri tani të paktën, të mos thoni që nuk ia ka vlejtur.

Nga ana tjetër, dua t’i përgëzoj nga zemra të gjithë ata që po marrin shqiponjat e arta, të merituara, pa diskutim! Ndërkohë që po vazhdonte ceremonia e shqiponjave ishin 3 zonja shumë energjike pas meje që vetëm flisnin gjithë kohën, duke marrë nëpër gojë ata që merrnin shqiponjat edhe iu thashë, “nuk kemi menduar të japin shqiponjën për thashethemet, por është një çmim që, sidoqoftë, nuk mund ta japim se do na duhej të prodhonim kushedi se sa shqiponja dhe përsëri do ziheshin se kush e ka të artë prej vërteti”.

Sot pashë dhe disa reagime në kazanin e diasporës për këtë Samit, se dhe diaspora ka kazanët e vet dhe më bëri shumë përshtypje negativiteti i reagimeve, njëri thoshte “është samiti i vakisë”, tjetri thoshte “është samiti i përçarjes”, e kështu me radhë, por, sidoqoftë, po t’i besosh mikut tim budist, Pandeli Majkos, të gjitha këto janë shenja të mira.

Pa ju marrë më shumë kohë unë dua të them se më vjen shumë mirë që në këtë samit ne kemi mundur të tregojmë për të gjithë ata që kanë qenë sigurisht të interesuar dhe të vëmendshëm të ndjekin të gjitha panelet se kemi punuar për të vendosur disa shtylla, qoftë në aspektin ligjor, qoftë në aspektin organizativ, në mënyrë që procesi i ndërveprimit me diasporën të mos jetë thjesht një proces ndërveprimi spontan dhe as të mos karakterizohet thjesht nga këto samite, që, jam i bindur do të kthehen në traditë, por të jetë një proces ku ne krijojmë realisht një hapësirë ndërveprimi dhe ku arrijmë që të kemi një sinergji të përbashkët, bazuar në vizionin që na bashkon. E them këtë sepse është vërtet e rëndësishme që të ndaj me ju vetëdijen se janë shumë gjëra që për fat të keq kanë nisur me vonesë në Shqipëri.

Sikur në Shqipëri kjo histori që ne kemi nisur ta shkruajmë së bashku në mënyrë modeste, pa bujë, pa tam-tame, por duke u përpjekur që të krijojmë këtë hapësirë të përbashkët të kishte nisur të shkruhej 25 vjet më parë dhe sikur sot të mos ishim në samitin e dytë, por të ishim në samitin e 12-të, me siguri që do kishim bërë shumë më tepër progres. Ashtu sikundër do kishim shumë më tepër progres sikur reformat që ne kemi nisur në këto vite të ishin nisur shumë vite më parë dhe sikur sot të mos ishim duke diskutuar rezultatet e para të këtyre reformave, por të ishim në një proces krejt tjetër do të kishim kursyer jashtëzakonisht shumë energji të çuara dëm, do kishim kursyer jashtëzakonisht shumë fonde të çuara dëm dhe mbi të gjitha do kishim kursyer jashtëzakonisht shumë shpresa dhe ëndrra të mbetura të pa realizuara, jo për shkak të individëve, por për shkak të një pafuqie të brendshme nga ana jonë që t’i fillonim gjërat me radhë, në kohën e duhur, hap pas hapi.

Megjithatë, asnjëherë s’është vonë dhe sot ne mund të themi me plot gojën që kemi hedhur një hap tjetër. Do të na duhen komplet të tjerë hapa, por duke i parë një nga një ata që deri tani morën shqiponjën e artë dhe duke kundruar nga jo shumë larg mund të them që ne na duhet pikërisht rezistenca që mëson historia dhe e përditshmja e komunitetit të shqiptarëve hebrenj dhe na duhet po ashtu fuqia e dëshirave dhe e vullnetit të asaj ambasadores së kombit që erdhi këtu si përfaqësuese e avokatëve shqiptaro-britanikë. Na duhet pa diskutim dhe aftësia për të mos u dorëzuar kurrë e Ekrem Bardhës dhe e të gjithë gjeneratës së tij. Na duhet energjia e Mark Gjonajt dhe e të gjithë atyre si Marku. Pra, shembujt i kemi mes nesh. Mjafton që të kemi dëshirën t’i shikojmë dhe të kemi vullnetin që t’i ndjekim nga pas.

Pa diskutim rruga do të jetë e gjatë, por nëse një francez i famshëm,  André Malraux tha në një moment që, shekulli 21 ose do të jetë shekulli i fesë, ose nuk do të jetë fare, duke u munduar ta shohim deri tani në tiparet e veta, më duket se të gjitha shkojnë e mblidhen tek ajo që, për ne shqiptarët u quajt prej një rilindasi shqiptaria, identiteti, feja e lidhur me identitetin. Pavarësisht se sa shumë hapet bota dhe sa shumë mekanizma ndërveprimi dhe pavarësisht lëvizje dhe globalizëm kemi, duket sikur në të kundërt, në çdo hap shkojmë e mblidhemi aty ku kemi rrënjët, tek identiteti, te shqiptaria në rastin tonë.

Kështu që, nuk na mbetet veçse gjithsecili nga pozicioni i tij dhe me mundësitë e tij të bëjë atë që mundet për t’i dhënë diçka nga vetja asaj që në fund të fundit na bën të gjithëve një, shqiptarisë, identitetit tonë me të gjitha bashkë, që nga shqiponjat e arta për suksese të mëdha, deri tek shqiponjat e arta për thashethemet që nuk mbarojnë asnjëherë.

Më vjen shumë mirë që më qëlloi që këtë shqiponjë t’ia jap dikujt që e dua dhe e respektoj shumë. E dua sepse është një person që na bën të gjithëve të ndjehemi, jo vetëm krenarë por të ndjehemi dhe të gëzuar kur e shikojmë dhe e admiroj sepse është një ndër ata që kanë provuar se kur njeriu e sheh një ëndërr me sy hapur është në gjendje ta realizojë, mjafton të jetë i gatshëm të paguajë çmimin e sakrificave dhe të mundimeve që kërkon realizmi i ëndrrës.

Dua ta ftoj këtu, Saimir Pirgun!

Është një nga ato raste për të cilin mjafton shprehja “nëse ke thënë Saimir Pirgu i ke thënë të gjitha!”

Komento

Komente

  • EmigrantNYC: 02/03/2019 01:17

    Z Rama ku eshte miku yt nga diaspora biznesmene miljoner Z RUSI QE JETON NE NYC Staten Islend QE KUR TI VJEN NE NEW YORK FSHIHESH TEK ISHULLI I PLEHRAVE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?