Politikë

Rama: Kemi shansin historik t’i mbyllim negociatat deri në 2027, më 11 maj duhet t’i japim mesazh Brukselit

29 Mars, 11:14| Përditesimi: 29 Mars, 11:45

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama thotë se zgjedhjet e 11 majit kanë rëndësi edhe gjeopolitike pasi Shqipëria ka shansin që t’i mbyllë negociatat deri në 2027. Por për të çuar Shqipërinë në BE, Rama thotë se shqiptarët duhet të votojnë PS. 

Ylli i fatit tonë është rreshtuar me yjet e fatit të Evropës dhe po e përsëris, këtë mundësi nuk e kemi pasur kurrë, sepse për herë të parë, nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë sa më parë në Bashkimin Evropian, por është edhe Bashkimi Evropian që kërkon të na marrë brenda në gjirin e vet sa më parë. Prandaj po negociojmë me një vrull të jashtëzakonshëm, një vrull i dyanshëm, jo thjesht nga ana jonë, por dhe nga ana e tyre, për të mbyllur në një hark kohe rekord absolut, duke pasur parasysh që vetëm vjet i kemi nisur negociatat; hark trevjeçar, një proces që për të tjerët ka zgjatur shumë më tej. Duhet t'i tregojmë njerëzve, duhet t'i vëmë përpara syve realitetin dhe duhet të gjithë ta marrin pak me mend që Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012, kur ne nuk ishim akoma kandidatë për Bashkimin Evropian, Serbia në 2014, ndërsa Maqedonia, e cila ndërroi edhe emrin për t'u futur në Bashkimin Evropian, imagjinojeni, e ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2005 dhe akoma nuk i ka filluar negociatat.

Ne kemi shansin historik t'i mbyllim për tre vjet, 2024-2027, po për këtë na duhet të mos humbasim as edhe një minutë, si dhe t'i çojmë BE një mesazh të fuqishëm: Nga populli shqiptar i 11 majit, një mesazh përtej shumicës aritmetike, duam pasaportën e BE-së për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar dhe shqiptare. Një pasaportë për çdo shqiptar është një ambicie që, deri pak vite më parë do të dukej çmenduri ta kishim në prag të zgjedhjeve për mandatin e 4.

Kjo është një pasaportë që ngjan shumë me atë që çdo shqiptar do të ketë në dorë. Këto janë elementët e ri të sigurisë të pasaportës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe kjo është shqipja. Shqipja është simbolikisht fytyra e pasaportës zero, ‘’shqipe Tirana’, me kombësi shqiptare, qytetare shqiptare, me një pasaportë evropiane. Sa herë zbresim prej 35 vjetësh në një aeroport në Itali, Gjermani, Greqi, kudo tjetër në BE, na tregojnë me gisht një korridor më vete, ku duhet të shkojmë dhe të futemi në radhë si në kohërat e vjetra. Ndërkohë që, evropianët që zbresin bashkë me ne nga avioni apo nga trageti kalojmë me shpejtësi në një korridor tjetër pa radhë dhe dalim matanë sa hap e mbyll sytë, nuk duken më.

Ne vërtetë s'kemi viza për të lëvizur në Evropë, por ama s'kemi as të drejtë për të ndaluar në një vend të Bashkimit Evropian. Prandaj, kur arrijmë në kufijtë e BE, aty në radhë na merr në pyetje gjithmonë një polic që e kthen pasaportën mbarë e mbrapsht dhe pastaj pyet “Ku po shkon, sa lekë ke me vete, me kë je? Kush të ka ftuar? Ke ndonjë rezervim hoteli? Ku do rrish? Sa do rrish?”.

Dhe pastaj të thotë atë fjalinë e tmerrshme, “kur do ikësh?”.

Kjo është një histori që mund të vazhdojë shumë gjatë akoma, nëse ne së bashku nuk e mbyllim përfundimisht duke i vënë kapak në mënyrë që të mos na ndajë më askush nga ajo tufa e bashkudhëtarëve tanë evropianë, kudo ku lëvizim brenda perimetrit të BE, që të mos hyjmë më në radhë, që të mos japim më llogari përpara një polici në aeroport, sepse po hyjmë në një vend të  BE-së. Ne mund t'i sigurojmë çdo shqiptareje, çdo shqiptari pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030.  Mesazhi ynë është i qartë. Për t'iu dhënë pasaportën e BE na duhet, jo thjeshtë një mandat i 4, po na duhet një mandat i fortë, më i fortë se të tre mandatet e derisotme.

Prandaj, kush e do pasaportën e BE-së, patjetër duhet t'i japë kontribut që Shqipëria të hyjë në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës, aty në qendër të fletës së votimit, ku është numri 5 dhe ku shkruan Partia Socialiste dhe Edi Rama.

Askush tjetër - këtë duhet ta bëjmë shumë të qartë për të gjithë - nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Çdo luhatje, çdo ndalesë, çdo konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet sepse një mijë vajza e djem, që teksa ne po flasim sot, janë në zyra dhe punojnë për negociatat. Kanë një kalendar aq të ngjeshur, saqë çdo javë dy ministret tona, Majlinda dhe Adea, që janë Kryenegociatorja dhe Zv/kryenegociatorja ulen përpara palës europiane dhe japin llogari se çfarë u bë javën e shkuar, javë për javë, për javë, për javë.

Janë çerek milionë faqe me legjislacion me rregullore, me dokumentacion që duhet absorbuar i gjithi, në ndërkohë që janë edhe reformat për t'u thelluar, e s'mund t'i thellojë dot askush tjetër përveç nesh. Pasaporta evropiane e shqiptarëve nuk është vetëm liri hyrjeje në çdo kufi të BE-së, nga ai korridori pa radhë, në çdo raport, në çdo portë, në çdo doganë tokësore, po është edhe liri qëndrimi, në çdo pikë brenda perimetrit të kufirit të Bashkimit Evropian, nga Varshava në Lisbonë, nga Madridi deri lart në vendet baltike, nga Stokholmi deri poshtë në Athinë.

Me pasaportën e BE, Evropa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Evropa.

Me pasaportën e BE-së, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë do të studiojnë në çdo universitet të Evropës me të njëjtat kushte, me të njëjtat tarifa si studentë të barabartë evropianë dhe jo me tarifa ekstra dhe as përmes kuotave të ngushta si studentë të huaj.

Me pasaportën e BE, çdo shqiptar dhe shqiptare do të mund të punojë pa leje pune kudo qoftë, nga Stokholmi në Lisbonë, nga Madridi në Varshavë, duke gëzuar të njëjtat të drejta si suedezët në Suedi, si portugezët në Portugali, si polakët në Poloni, si spanjollët në Spanjë, si dhe duke përfituar edhe kartën, kartën sociale të BE-së për të përfituar nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të cilitdo shteti, ku gjendet i punësuar apo e punësuar në Bashkimin Evropian”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama shpalos programin: Nga janari 2026, paga minimale 500 euro, pensioni minimal 200 euro! ‘Kryepremtimi’ i PS: 'Paqe fiskale' me biznesin për 3 vite (VIDEO)


SI.E./E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?