Deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi që të pezullohet AKU, ka qenë në fokus të emisionit ‘5 pyetjet nga Babaramo’, në Report Tv.
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste dhe ish-ministri u Bujqësisë Agron Duka, u shpreh se kërkesa e Ramës për pezullimin e punës së AKU është e drejtë, ndërsa theksoi se duhet që të ishte bërë më herët.
Duka ngriti shqetësimin për pasojat që do të sillte vendimi për mbylljen e menjëhershme të AKU.
‘Ka nisur punën si një institucion shumë serioz dhe drejtuesi ka qenë agronom dhe më vonë filluan u bënë ato që s’u vunë më në krye profesionistë, të gjitha partitë e panë këtë pozicion pune si një vend për ta plotësuar dhe të mos e lënë bosh. Këtë që bënë Rama për mbyllje ka një farë të drejte, por pse se ka bërë me kohë sepse zëri është ngritur shpesh edhe nga njerëzit. Por për mua do që të bëjë edhe shoë. Nëse ti me një të rënë të lapsit e mbyll po këto produktet e importit kush do ti kontrollojë’, tha ai.
Dekani i Universiteti Bujqësor Kapllan Sulaj tha se AKU nuk ka arritur që të përzgjedh ekspertë në përbërjen e tij, ndërsa drejtuesit nuk ishin profesionistë të fushës.
Lidhur me arsyet pse po diskutohet pezullimi i AKU-së, Sulaj përmendi dy faktorë kryesorë.
‘AKU ka kryer inspektime dhe kontrolle por s’ka arritur që të formohet si një institucion dhe të mbulojë të gjithë sigurinë ushqimore në vend. Kjo ka ndodhur që në zanafillë sepse nuk u krijua sipas modelit të BE, nuk ishte sistem i integruar por i shkëputur. U hoq dorë nga profesionalizmi në plotësimin me ekspertë por edhe drejtuesit nuk ishin profesionistë. Në krye të AKU s’ka pasur asnjë drejtues i fushës së bujqësisë, kanë pasur profesione të tjera të gjithë të nominuar sipas interesat politike në vend.
Pse tentohet të shkrihet, sepse nuk u konsolidua ndër vite dhe arsyeja e dytë është se ne jemi në prag të negociatave për të mbyllur anëtarësimin në BE dhe në këtë kuadër siguria ushqimore është kapitulli më i vështirë dhe me këtë situatë që kemi me AKU ne nuk futemi në BE, pra është presioni i BE’, tha ai.
Ekspertja e Sigurisë Ushqimore Angjelina Vuksani, ka ngritur shqetësimin për mungesën e kontrollit dhe transparencës së AKU. Sipas saj, ka pasur shumë skandale që lidhen me sigurinë ushqimore në vend dhe AKU duhet që të kishte vepruar.
‘Ne kemi më shumë se një vit që përballemi me skandale sa i përket sigurisë ushqimore, që nga mandarinat me pesticide. Kjo nismë është për ta centralizuar dhe për ti futur në një çati të gjitha inspektimet. AKU se thoshte se ku janë mbledhur dhe ku janë vjelur dhe dështoi që të gjente shkakun, është detyrim ligjor ku u ble dhe fermeri ku e gjeti atë produktin që është i ndaluar në BE’, tha ajo.
Për gazetarin Granit Sokolaj, AKU duhet që të riformohet.
‘Ne nuk duhet që të ngatërrojmë cilësinë me sigurinë ushqimore. Ne në çdo treg keni ushqim të mirë por s’duhet që të ngatërrohet me sigurinë ushqimore. Deklarata e Ramës ka qenë populiste, për AKU nuk është thënë që do të shkrihet por do të pezullohet dhe për mua më mirë është që të shkrihet dhe kompetencat ti kalojë një institucioni tjetër sesa të pezullohet, ose AKU duhet që të riformohet. Unë besoj se Rama ka informata për korrupsion por më vjen keq që se përmend në asnjë rast sigurinë ushqimore’, tha ai.
Komente
