“Nuk mban më…Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht si një trup pa kokë dhe qytetarët e Tiranës nuk duhet të presin më as 7 ditë tjera, pa e ditur se ç'do të bëhet me drejtimin e Bashkisë së Tiranës”, tha Edi Rama para anëtarëve të Asamblesë socialiste të enjten.
Pasi Kryeministri Rama e shpalli qëllimin e tij për t’i hapur rrugë zgjedhjes së kryebashkiakut të ri të kryeqytetit, ‘topi’ për të nisur tashmë procedurën i kalon Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Parlamenti vendor i kryeqytetit do të duhet të vihet në lëvizje nga një kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme, e bërë kjo nga kushdo prej anëtarëve. Një mundësi, thonë burime pranë anëtarëve socialistë mund të ishte edhe futja në procedurë e një kërkese të depozituar më herët nga anëtarët e opozitës.
Këshilli në vendimmarrje pritet t’i referohet pikës c të nenit 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që thotë se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Neni 62 i Ligjit për "Vetëqeverisjen Vendore"
Megjithatë duhet thënë se në këtë nen ka paqartësi dhe interpretim të kuadrit ligjor, të cilin edhe vetë Rama e konstatoi se duhet rregulluar nga parlamenti i ri. Është e paqartë nëse mungesa në detyrë duhet të jetë e arsyetuar apo jo. A do ta rrezikonte pavarësinë e pushtetit lokal dhe do të ekspozonte ndaj ‘arbitraritetit’ ky boshllëk ligjor?
Megjithkëtë në këshillin bashkiak vendimmarrje për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend. Pra do t’i takonte Erion Veliajt nëse do ta ndiqte këtë procedurë nga ana ligjore dhe kushtetuese.
Neni 115 i Kushtetutës
Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti i Republikës do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.
Për periudhën deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, kryeqyteti do të drejtohej nga një prej nënkryetarëve, tashmë i zgjedhur nga Këshilli Bashkiak. E mandatuara si ushtruese e detyrës nga Veliaj, Anuela Ristani, nuk do të ishte më, fakt të cilin duket se e pranoi edhe vetë kur përmes një postimi falënderoi Veliajn dhe Ramën për mundësinë.
Komente
