Kryeministri Edi Rama u kërkoi ambasadorëve të Shqipërisë në vendeve të ndryshme, që u mblodhën sot në Tiranë në sajë të Konferencës së Ambasadorëve, Diplo2025, të kërkojnë dhe regjistrojnë në mënyrë të plotë komunitetet shqiptare nëpër botë.
Numri një i ekzekutivit tha se është e papranueshme që një vend i vogël si i yni, të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre, në vendet e huaja.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjeshtë rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta. Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, suksese apo më saktë pozitive, por në tërësi jemi shumë mbrapa. Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet. Por që ne të mos kemi një database që pasurohet dita ditës me profesionistë shqiptarë në territorët e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je që të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit”,- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Ambasadorët në Tiranë, Rama: Negociatat, kryefjala! S’keni kontakte me shqiptarët e suksesshëm! Gonzato: Promovoni SPAK-un
K.M/I.M/ReportTv.al
