Politikë

Rama: Kur e morëm ne qeverinë, Shqipëria ishte bishti i kavallit, kurse sot jemi një hap larg Europës

1 Maj, 17:36| Përditesimi: 1 Maj, 18:47

  • Share

 

Kreu i PS-së ka folur nga Kuçova ditën e sotme në takimin elektoral lidhur me progresin e Shqipërisë në raport me standardet europiane.

Nga ana tjetër ai ka thënë se BE-ja është ajo që po e kërkon Shqipërinë tani në familjen e saj.

"Ajo derë na është hapur tani. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë për shtetet nga vendet ish-komuniste, askujt s’i kanë zgjatur 3 vite negociatat, për ne vetëm 3 vjet, të tjerët shumë më tepër. Por BE sot ka interes të rrisë numrin e anëtarëve të vet dhe Shqipëria, sipas tyre, e jo sipas nesh, është më e përgatitura për të hyrë në atë shtëpi.
Kur ne morëm detyrën, Shqipëria ishte e fundit fare, ishte vrima e kavallit. Kur në fillimet e mia takoja atje dikë, dukej sikur thoshin mbaro tani, se s’kemi kohë. Nuk na respektonin, nuk na vlerësonin dhe nuk na besonin. Kurse tani na besojnë dhe vlerësojnë. Ndaj them se 11 maji është ditë historike. Të hyjmë në BE para se dera të mbyllet dhe të mbetemi pa BE. Afati është viti 2027. Negociatat nuk janë punë e lehtë, janë 1 mijë njerëz që punojnë natë e ditë, mbulojnë çdo sektor. Nga ana e tyre, 1 mijë të tjerë në Bruksel, edhe ata të ndarë, të ulur, me rregulla, kritere, masa e ligje, për të cilat ne biem dakord dhe pasi biem dakord duhet të vijnë këtu në Tiranë, t’i bëjmë, t’i vulosim si rregulla, masa, ligje, vendime. E imagjinoni ju që t’i firmosim e të biem dakord e t’i dërgojmë për miratim në Kuvend e t’i shkojmë pas avazit ca të tjerëve, si këneta në breg, apo atyre që hiqen si parti të reja, që duan zgjedhje të parakohshme, që kanë vënë halla, teze, xhaxhallarë në lista.

Parti të reja që thonë se po na erdhi ne në dorë, do e çojmë në zgjedhje të parakohshme vendin. E mendoni ju, çfarë t’u themi atyre? Se, dale, se kemi në vend një kënetë, një kënetë me specie të veçanta. Kjo mund të bëjë vetëm një gjë: të mbyllë derën që kushedi se kur mund të hapet. Këto zgjedhje dhe ky mandat nuk është për mua, apo për karrigen time dhe shumicën tonë të thjeshtë, por është më tepër se kaq. Arsyeja pse them se duhet mandat i katërt për PS është se bëhet fjalë për të përmbushur një mision historik, që e ka zanafillën e vet te profecia e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, që me barrikadën e tij ndaj Lindjes për Perëndimin e përcaktoi rrugën drejt Europës. Pastaj me Rilindasit që e lanë me shkrim se dielli lind andej nga perëndon. Me paskohët e vështira dhe deri më sot, ku gjendemi këtu, afër një ëndrre që po realizohet. Që lidhet me diçka të thjeshtë: dinjitetin, si të barabartë me europianët, e që është këtu mes nesh, e në jetë të jetëve, mendjet e mbrapshta brenda nesh na kanë bërë të mbetemi popull i dorës së dytë. E që me hyrjen në BE bëhemi edhe të barabartë, bëhemi popull europian, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj. Thonë: pse nuk mjaftuan 3 mandate, por Rama kërkon mandat të katërt për të na futur në BE? E thonë ata që s’na kuptojnë."-tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama nga Kuçova: Jam garant të ruaj drejtësinë nga këneta! Ca kërkojnë votën ta mbrojnë SPAK-un nga unë, ca të tjerë thonë ‘do ju hamë të gjallë’


H.K/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?