1.253 familje në 35 bashki do të përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Ai theksoi se zbatimi i këtij programi do të nisë në periudhën korrik-gusht 2025 dhe do të zgjasë për dy vjet.
“Si asnjëherë më parë, 1.253 familje në 35 bashki përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit Social. Zbatimi nis në korrik-gusht 2025 dhe zgjat për dy vjet. Një hap konkret drejt kushteve më të denja të jetesës për familjet në nevojë: përmirësim banesash, infrastrukturë rurale dhe akses më i mirë në shërbime jetike”, ka shkruar Rama.
Programi Kombëtar i Strehimit Social është një nismë e qeverisë shqiptare që synon përmirësimin e kushteve të jetesës për shtresat në nevojë, përmes ndihmës për sigurimin e banesave, rehabilitimin e objekteve ekzistuese dhe përmirësimin e infrastrukturës përreth.
Ky program përfshin bashkëpunimin mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor në 35 bashki të vendit dhe mbështetet nga fonde publike dhe donacione të partnerëve ndërkombëtarë. Qëllimi i tij është rritja e aksesit në strehim të sigurt dhe të përballueshëm për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale.
Komente
