Me kryefjalë të premtimeve të tij dhënien e pasaportës evropiane brenda mandatit të katërt, kryesocialisti Edi Rama u kërkoi shqiptarëve t’i japin në duar një fitore më të thellë sesa ajo e tre mandateve të shkuara.
Dhe kjo, jo vetëm si mbështetje ndaj forcës së tij politike, por si një mesazh të qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Evropian.
“Duhet që në 11 maj shqiptarët të na japin mandatin dhe jo vetëm të na japin mandatin, por t'i japin një mesazh shumë të fortë të gjitha vendeve të BE-së, t'i japin një mesazh shumë të fortë Brukselit, duke votuar masivisht për anëtarësimin BE dhe për pasaportën e BE-së”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se tashmë Shqipëria ka kapur shansin e historisë, e për këtë arsye nuk duhet të humbet asnjë minutë kohë për ëndrrën europiane.
"Një pasaportë për çdo shqiptar është një ambicie që, deri pak vite më parë do të dukej çmenduri ta kishim në prag të zgjedhjeve për mandatin e 4. Ne kemi shansin historik t'i mbyllim për tre vjet, 2024-2027, po për këtë na duhet të mos humbasim as edhe një minutë”, vijoi Rama.
Integrimin brenda dekadës, Rama siguroi se mund ta realizojë vetëm partia Socialiste, ndërsa votën për opozitën e quajti një konfuzion që do ta bënte Shqipërinë të humbte shansin historik që ka në duar.
“Askush tjetër - këtë duhet ta bëjmë shumë të qartë për të gjithë - nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Çdo luhatje, çdo ndalesë, çdo konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet sepse një mijë vajza e djem, që teksa ne po flasim sot, janë në zyra dhe punojnë për negociatat. Kanë një kalendar aq të ngjeshur, saqë çdo javë dy ministret tona, Majlinda dhe Adea, që janë Kryenegociatorja dhe Zv/kryenegociatorja ulen përpara palës europiane dhe japin llogari se çfarë u bë javën e shkuar, javë për javë, për javë, për javë”, theksoi Rama.
Kartën më të fortë dhe arritjen më të madhe për të realizuar integrimin, kreu i qeverisë e sheh te reforma në drejtësi, për të cilën tha se vetëm partia socialiste mund të jetë garantë. Përkundrejt kësaj garancie, Rama tha se opozita kërkon votën për ta shkrirë SPAK.
“Duan votën në 11 maj, që në 12 maj të rimarrin shpatën dhe ta zhveshin përsëri zonjën e drejtësisë nga fuqia për të imponuar barazinë para ligjit”, tha Rama.
Komente
