Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se buxheti i shëndetësisë ka arritur në 760 milionë euro, trefishi i nivelit të vitit 2013, duke theksuar se investimet në këtë sektor janë pjesë e një transformimi të thellë që pritet të finalizohet gjatë mandatit të katërt të qeverisjes.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Rama nënvizoi se qeveria ka ndërmarrë reforma të thella në sistemin shëndetësor dhe social, duke theksuar rritjen e konsiderueshme të mbështetjes financiare për qytetarët.
“Buxheti i shëndetësisë sot është 760 milionë euro, trefish. Mbështetja për mbrojtjen sociale ishte 130 milionë, sot janë 260 milionë euro. 600 mijë shqiptarë të pasiguruar marrin shërbime shëndetësore si të gjithë të tjerët, 53 spitale të reja të ndërtuara, 10 nga të cilat nuk ekzistonin fare. 43 të tjera janë shembur dhe rindërtuar nga e para, të pajisura me aparaturat më modern. Janë 210 mijë pensionistë që përfitojnë barna të rimbursueshme,” tha ai.
Në vijim të deklaratës së tij, kreu i qeverisë theksoi ambicien për ta kthyer Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një qendër ekselence në nivel europian. Sipas tij, ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit shëndetësor dhe edukimit mjekësor në vend.
“Në mandatin e katërt, ne do të përmbyllim transformimin epokal të shëndetësisë. Në QSUT do të sjellim një qendër ekselence europiane dhe do të bëjmë administrimin e saj sipas standardeve më të larta. Do të sjellim një nga universitetet më të mira të mjekësisë në Europë dhe do ta binjakëzojmë me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë,” theksoi Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Kemi probleme me cilësinë e drejtësisë, por s’bëjmë avokatin e askujt! Ironi me opozitën: Si ka mundësi që Sorosi ka hyrë në BE dhe po hap zyrë në Shqipëri?!
A.Q/I.M/ReportTv.al
