Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot (6 mars) në një takim të radhës me strukturat dhe këtë herë me skuadrën e të rinjve të PS-së në Tiranë, ku iu përgjigj edhe një sërë pyetjesh nga të pranishmit.
Teksa foli për zgjedhjet e 11 majit, situatën politike, projektet dhe qëllimin e vetëm anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Rama komentoi edhe aleancën e kundërshtarëve, duke përdorur si ‘kryefjalë’ një nga aleatët e PD-së, Kujtim Gjuzin, për të cilin tha se “është lulja më e bukur e atij koalicioni’.
Kryeministri i tha të rinjve se nuk do donte figura si Gjuzi në koalicionin e majtë për të fituar zgjedhjet, sepse gjërat më tej do lëkundeshin, sepse edhe synimi i vetëm është vendosja e flamurit shqiptar në tavolinën e BE-së dhe ecja para e jo pas te “Sudja e Xhaferri”.
“Mbështetja për PS në këto zgjedhje është për të mos humbur trenin e historisë. Qasje e re ndaj sigurisë dhe mbrojtjes edhe siç kanë ardhur gjërat. S’jemi ende anëtarë të BE, nuk ka rëndësi kush qeveris. Na duhet mbështetje masive për PS që të futemi në BE. Pasi siç po shkojnë gjërat, BE është edhe me rëndësi për ekzistencën”, tha Rama mes të tjerash.
Dhe duke iu rikthyer koalicionit të kundërshtarit Sali Berisha, ai u shpreh:
“Çdo lloj tangoje me Kujtim Gjuzin do krijonte lëkundje. Dhe Kujtim Gjuzi është lulja më e bukur, është ku ma gjen”.
Por ai theksoi edhe rëndësinë ekonomike që do ketë anëtarësimi i vendit në familjen europiane.
“Tjetra është se na duhet Bashkimi Europian dhe të jemi anëtarë të BE sa më parë, për të marrë fuqi të re financiare, troç, përveç të gjitha të mirave të tjera që ka anëtarësimi. Se në momentin që hyjmë jemi përfitues, ku të mëdhenjtë janë kontribuuesit dhe është familje ku më të fortët ndihmojnë më të dobëtit e kështu me radhë. Pra përveç buxhetit nga taksat ke mi edhe diçka ekstra, për rininë, universitetet, garancinë rinore dhe të tjerat, ndryshon komplet loja. Të jemi të barabartë edhe me vulë, edhe në pasaportën tuaj të shkruhet jo e Shqipërisë, por e BE-së, që t’ju japi të njëjtën vlerë në qytetërimin europian, të njëjtat të drejta. Në Europë ishim edhe kur Sudja dhe Xhaferri morën në dorë financat e Shqipërisë, me bekimin e Kujtim Gjuzit. Liria juaj individuale s’mund të cenohet më në asnjë formë, barazia para ligjit s’do diskutohet nga askush këtu, askush s’mund t’ju diskriminojë atje, nëse do futemi në BE çdo gjë ndryshon, të gjitha të garantuara”, u shpreh kreu i mazhorancës para të rinjve socialistë.
Dhe teka fliste për familjen europiane, ai theksoi se përgjigja e vetme për të ardhmen referuar edhe gjeopolitikës së momentit, “është fuqizimi i Shteteve të Bashkuara të Europës”.
“Këto gjëra nuk i kanë afganët, irakenë apo të tjerët që kanë dalë nga diktaturat dhe kanë rënë në situata të tmerrshme, autokratike, sepse nuk e kanë BE-në. Fuqizimi i BE, i Shteteve të Bashkuara të Europës është përgjigja”, tha kryeministri.
Kryeministri Edi Rama, iu përgjigj edhe disa prej pyetjeve të të rinjve të PS-së, të pranishëm në takimin e sotëm.
Njëra prej tyre ishte se ku e gjen ai këtë energji, të cilës iu përgjigj se shkak ishte “zjarri i brendshëm që ai kishte”.
“Kanë qenë rrethana të kohës, por edhe lojë e fatit. Sikurse edhe ka lidhje me historinë, pasi në moshën tuaj jetoja në kohë e regjim tjetër. Kështu që rrethanat e kanë sjellë që të ngec në këtë valle. Unë i them zjarri i brendshëm. Për sa kohë kam zjarrin e brendshëm, nuk kam nevojë të pyes se ku i gjej energjitë, por nëse zjarri do shuhet atëherë do jetë e vështirë. Fakti që ta mbyllim këtë fazë historike, unë, se ju e Ogerta do jeni, por kjo është edhe një hakmarrje historike”, tha kryeministri.
Komente
