Emigrimi ishte një nga tematikat që diskutoi kryeministri Edi Rama me këshillin bashkiak rinor dhe të rinjtë e vetëpunësuar në agroturizëm dhe turizëm në Ersekë. Kryeministri u ndal tek ikja e të rinjve, ndërsa vuri theksin se sot jemi një vend me liri lëvizje dhe të rinjtë mund të provojnë eksperienca të reja, por kurrsesi të jenë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi. Kreu i qeverisë nënvizoi se vetëm rruga e punës është rruga e vetme, nuk ka asnjë formulë magjike. Sipas Ramës varianti ‘ik se këtu nuk ke mundësi’ është i pavërtetë dhe është psikozë. Rama u shpreh se nëse investon në shtëpitë e të parëve në fshat dhe krijon bujtina ose sipërmarrje për bimë medicinale arrin të fitosh më shumë se në çdo vend të Europës dhe njëkohësisht shijon edhe pamjet që të ofron ky vend.
‘E thash që të nisesh dhe të shkosh diku për të kërkuar më shumë për të kërkuar tani është gjëja më e natyrshme. Jemi një vend me liri lëvizje, bota është bërë gjithnjë e më e vogël. Ka zona të Europës që përjetojnë ikje, mjafton të shikosh jugun e Italisë, fshatra të Spanjës, Portugalisë. Para se të vinim këtu ishim me një shtëpi tradicionale në Rehovë dhe aty ishte një zonjë që kishte qenë drejtore banke në Tiranë. Bashkë me të shoqin kishte vendosur që të vinte këtu dhe kishin rindërtuar shtëpinë e tyre duke e kthyer ne bujtinë. Kjo zonë pa e pasur distancën të shkurtuar më Korçën, ka 20 mijë vizitorë të huaj apo vendas që kanë fjetur këtu. Deri para disa vitesh këtu nuk kishte shans të ofrohej njëri për të vizituar. Bujtina është punë. Të mbledhësh bimë medicinale është punë.
Pagat janë më të larta në disa vende të BE-së, por shpenzimet më të mëdha. Ajo që të mbetet nuk mund të të japë kur ndër vite atë që të jep kjo pamje këtu. Rruga e vetme është rruga e punës, nuk ka një formulë magjike. Po të kishte mundësi që të bëheshim si BE kaq shpejt do të ishin bërë të tjerët. Edhe brenda BE nivelet janë të ndryshme. Ecin ata ecim ne, por ecin edhe ata që janë të parët atje. E vetmja rrugë është puna, mundi dhe durimi. Nuk ka tjetër.
Sot një njeri në moshën tuaj nëse ka vullnetin dhe dëshirën për të hyrë në botën e teknologjisë mund ta bëjë nga këtu. Duke mësuar gjuhën e teknologjisë për një treg që është kudo. Mund të punësohesh në Europë, Australi duke qenë këtu. Varianti ik se këtu nuk ke mundësi është i pavërtetë dhe është psikozë. Midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, flasim për investime të mundura. Nuk do u sugjeroja kurrë që në këtë moshë të iknit. Unë kam qenë emigrant dhe e di shumë mirë çfarë flas, dhe nuk më ka dalë keq dhe nuk mund t’i them askujt mos ik. Por mos ikni kurrë me kotrabandistë dhe rrugë ilegale. Kurrë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi.’- tha Rama.
Në kuadër të bashkëbisedimit me qytetarët në qytete e vendit, kreu i qeverisë është ndalur ditën e sotme në qarkun e Korçës, ku ka zhvilluar disa takime.
Lajmi kryesor:
Protesta e opozitës/ Rama nga Kolonja: Përdorin kufomat për të ngritur njerëzit kundër shtetit dhe për t'i bërë shërbimin 'atyre të rublave'
M.Q.//ReportTv.al