Sot 553 vite nga vdekja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ceremoni në Lezhë! Rama poston videomesazhin! Meta: Shqiptari më i gjallë (VIDEO)

17 Janar 2021, 08:40| Përditesimi: 17 Janar 2021, 12:14

  • Share

Sot më 17 janar shënohet përvjetori i 553 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar përvjetorin e vdekjes së heroit duke publikuar një video nga Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, me të cilën ka përshëndetur qytetarët duke iu uruar atyre një ditë të mbarë.

Memoriali është varri më madhështor i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili vdiq në 17 Janar të 1468-ës, dhe u varros në Lezhë, aty ku ai kishte themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës.

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.

 

Ora 17:19
Spiropali kujton Heroin tonë Kombëtar: Skënderbeu është i paharruar, dhe i pavdekshëm

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka kujtuar 553 vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ajo është shprehur se njeriu nuk vdes kur i ndalet zemra apo fryma, njeriu vdes kur harrohet dhe se Skënderbeu ynë është i paharruar, dhe i pavdekshëm.

 

Ora 15:24
Në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, përdhoset busti i Skënderbeut në Korçë

1610893617_bustiskenderbeu.jpg

Në 553 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, disa qytetarë në Korçë kanë zhgarravitur bustin e tij.

Kreshnik Spahiu ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook një foto nga busti teksa shkruan se disa barbarë e kanë sulmuar.

Ai thotë se një komb që baltos heronjtë e vetë nuk ka të ardhme.

Ora 12:11
Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, ministria e Jashtme shpërndan videon me bustet e heroit në vende të botës

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përkujtuar sot 553-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

MEPJ ka shpërndarë në rrjetet sociale një video ku shfaqen bustet e heroit legjendar në disa vende të botës: Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Itali, Zvicër, SHBA etj.

Ndërkohë në kuadër të këtij përvjetori, këtë të diel përurohet një tjetër monument i Skënderbeut në qytetin italian, në Bari.

Gjithashtu, brenda vitit 2021 pritet të inaugurohet busti i ri i Skënderbeut, në Hungari, ndërsa vijojnë përpjekjet për të inicuar ngritjen e të tjera monumenteve në qytete të tjera.

“Përkujtojmë sot me respekt udhëheqësin e parë të shtetit shqiptar, qëndrestarin heroik të mbrojtjes së vendit dhe vlerave evropiane, heroin legjendar të kombit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Figura e tij është shenjtëruar në simbol dhe element të identitetit kombëtar.

#Skënderbeu do të kujtohet ndër breza si udhëheqës i suksesshëm e vizionar, mjeshtër i madh i luftës, prijës i një vendi të vogël, por me respekt e vlerësim ndërkombëtar. Politika e jashtme e tij ishte politikë e aleancave me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë të kohës, e ndërtuar me inteligjencë e diplomaci.

Ky “flamur frymëzues” i mobilizimit të popujve për liri, “valëvitet” i respektuar anembanë botës. Për trashëgiminë e tij flasin bustet, monumentet, emrat e shesheve e rrugëve të disa prej kryeqyteteve evropiane e botërore. Çdo shqiptar larg atdheut, s’ka si të mos ndihet krenar kur në dhè të huaj lexon: “Skënderbe”, shkruan ministria.

 

 

Ora 11:26
Ceremonia te vendvarrimi/ Përkujtohet në Lezhë 553-vjetori i Skënderbeut! Ndreu: Figura që na bën bashkë (VIDEO)

Është përkujtuar mëngjesin e sotëm në Lezhë 553-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Nën masa anti-COVID, autoritetet lokale bënë homazhe dhe vendosen kurora me lule në  vendvarrimin e heroit tonë kombëtar.

Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu u shpreh se Gjergj Kastrioti është e vetmja figurë që na bën bashkë të gjithëve dhe jeton në zemrën e çdo shqiptari brenda dhe jashtë vendit.

"Është Simboli i luftës, i bashkimit, i njeriut që sakrifikoi gjithçka, që la ofiqet dhe u kthye në Atdheu dhe bëri atë që pakkush e bëri. Është në krenarinë dhe privilegjin tonë që ne kemi këtë objekt kaq të rëndësishëm. Ishte një njeri me vizion të madh me gjurmë të pashlyera në historinë tonë", tha ai.

Veprimtaria e organizuara nga Bashkia Lezhë për 553-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit u mbyll me një koncert muziko-letrar të përgatitur nga pallati i kulturës, me këngë, recitime e krijime të ndryshme, ndërsa për shkak të pandemisë numri i personave pjesëmarrës në ceremoni ishte i kufizuar.

Ora 10:36
553-vjetori i vdekjes, Meta: Skënderbeu, shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët

Me rastin e 553-vjetorit të ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shkruar se ai është 'shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë'

"Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të mbetet përgjithmonë ylli polar i kombit tonë, simboli më përbashkues, që diti të na unifikojë në një Besëlidhje të Madhe, kur qenia jonë ishte më e rrezikuar se kurrë, "shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë", përcaktuesi kryesor dhe pasaporta më dinjitoze e përkatësisë sonë evropiane, Heroi ynë Kombëtar dhe i Europës së Bashkuar.  Krenaria, frymëzimi, fuqia dhe lavdia jonë", shkruan Meta.

Komento

Komente

  • Xixa: 17/01/2021 09:26

    Gjergj Gjon Kastrioti....me I Madhi shqiptar i shqiptarise ..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?