Garanci sovrane për bujqësinë, Rama: Iku koha e lëmoshës, fermerët të bashkojnë tokën që të rrisin prodhimin! Ministrja: Të lehtësohet kreditimi, shteti del 50% garant

26 Janar 2022, 11:51| Përditesimi: 26 Janar 2022, 15:15

  • Share

Garancia sovrane në mbështetje të investimeve në bujqësi, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekë është një mundësi e re për rritjen e financimit në bujqësi që do t’i shtohet programeve aktuale të qeverisë për lehtësimin e kreditimit, si programi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Programi europian IPARD, si dhe KfW.

Për të rritur investimet dhe inovacionin në bujqësi, kryeministri Edi Rama fton fermerët të aplikojnë për kredi, pas aktivizimit të garancisë sovrane prej 1 miliardë lekësh që do të jepet këtë vit për këtë sektor.

“Vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare një tjetër Fond Garancie Sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritjen e kreditimit të bujqësisë. Është koha që të gjithë të vetëdijësohen se koha e  bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar dhe se “në sektorin bujqësor është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, me syrin e sinergjive të reja, me syrin e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe po ashtu, beson tek ndërveprimi me bankat”, tha Rama.

Zhvillimi nuk arrihet me toka të copëtuara thotë Rama.

“Pjesa që i përket një historie prodhimesh të nxjerra kuturu, të mbjella kuturu, të mbjella nëpër trasta për të dalë nëpër tezga, prodhimet e kësaj natyre janë të destinuara të mbeten pa shitur, janë të destinuara të hidhen nëpër lumenj, janë të destinuara të dalin nëpër udhëkryqe rrugës për të bllokuar për pak orë rrugët, me idenë që shteti duhet të vijë dhe të bëjë shpëtimtarin. Koha e shtetit shpëtimtar ka vdekur bashkë me komunizmin”, pohon Rama.

Histori suksesi në ndihmën e dhënë nga shteti për bujqësinë, Rama konsideron fondin prej 118 milionë eurosh të vënë në dispozicion të sektorit në bashkëpunim me BERZH.

“Me bankën evropian u alokuam 118 milion euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi. Janë 6000 përfitues nga fondi i garancisë”, tha Rama.

Garancitë sovrane për bujqësinë vijnë si një domosdoshmëri për të rritur kreditimin e sektorit pasi sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, është larg nevojave reale.

“Duhet të rritet kreditimi i sektorit të bujqësisë, pasi është tepër i ulët. Skemat e garancisë sovrane adresojnë një zgjidhje afatmesëm, por duhet të merren masa në afatgjatë. Sektori bujqësor janë ende larg shfrytëzimit të resurseve që kanë. Ky sektor ka produktivitet dhe pagat janë sa gjysma e degëve të tjera të ekonomisë. Merr 1.7% të financimit nga bankat, nuk ka ndryshuar dhe mbetet larg nevojave të sektorit”, tha Sejko.

Pa zbuluar shumë detaje ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se bankat mund të japin kredi me 50% rrezik më pak, sepse shteti del garant.

'Qeveria shqiptare ka vendosur të krijojë një fond garancie sovrane. Nga ky fond 1 miliardë lekë janë dedikuar vetëm bujqësisë. Ne e japim këtë garanci në bankat tregtare, në kreditimin e investimeve duke ulur riskun e tyre në nivelin 50% të kolateralit, me shpresën se ju do mund të zbusni edhe nivelin e interesit për fermerët shqiptarë dhe për agropërpunuesit. Kështu synojmë të rrisim kredidhënie në sektorë dhe të çlirojmë potenciale, pasi pa financim ju e dini nuk ka zhvillim. Kjo masë e cila do të jetë një mundësi e re për rritjen e financimit të bujqësisë, do ti shtohet programe aktuale të qeverisë shqiptare për lehtësimin e kreditimit, si me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, IPARD, si dhe KfW. Qeveria shqiptare ofron edhe një garanci të re për këdo që do të zhvillojë një aktivitet bujqësor. Fondi prej 1 miliardë lekë i drejtohet fermerëve dhe agropërpunuesve, të cilët janë duke planifikuar një investim për prodhimin e produkteve bujqësore apo të lidhura me ekonominë blu. Në ndërtimin e një sere të re a po të sistemeve të lidhura me të, në rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së paketimit të prodhimeve tona, në sistemin e ujitjes me pika, në përpunimin e produkteve dhe konsolidimit në tregje”,- u shpreh Krifca.

Për katër vitet e ardhshme do të jepen 4 miliardë lekë për bujqësinë, dhe sipas Ministres së Financave Delina Ibrahimaj, synimi është të rritet produktiviteti.

“Për katwr vite do të jepen 4 miliardë lekë për bujqësisë për garancinë sovrane për bujqësinë. Kërkojmë të rrisim produktivitetin dhe ‘MADE IN ALBANIA’. Duam ti japim frymë këtij sektori të rëndësishëm që zë 20% të ekonomisë, duam të nxisim kredidhënien”, tha Ibrahimaj.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • frew: 26/01/2022 15:29

    ke 12 vjet ne qeveri dhe tani u kujtove te rrisesh prodhimin, ik o plehre shekullore se prodhim ka sa te duash por ti shet prodhimin serb edhe kalb prodhimin vendas

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?