Rama: Na duhet drejtësi që të godasë ata që janë të veshur me pushtet, edhe brenda qeverisë! Momenti për t’i ndarë rrugët me ata që tradhtojnë

30 Dhjetor 2023, 12:48| Përditesimi: 30 Dhjetor 2023, 13:44

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama thotë se duhet një drejtësi që të godasë pa dallim ata që janë të veshur me pushtet, madje edhe brenda për brenda qeverisë. Rama thotë se PS do ta mbështesë reformën në drejtësi.

Kreu i qeverisë thotë se është përgjegjësi personale e çdo personi që shkel ligjin dhe do duhet të përballen vetë para drejtësisë.

“Nuk besoj se ka ndryshuar gjë, është fjala për koncept të thjeshtë. Përgjegjësia qeverisëse patjetër që është e kryeministrit, ndërsa përgjegjësia penale është individuale ndaj secilit. S’ka përgjegjësi të ndarë kur është fjala për individë të cilët abuzojnë me detyrën prapa kurrizit të të tjerëve dhe përpiqen që të përfitojnë duke shfrytëzuar mundësinë që u jep detyra. Përgjegjësia e kryeministrit është e padiskutueshme për të gjitha qëllimet dhe objektivat e shpallura. Qëllimet e pashpallura individuale janë qëllime të ulëta që secili ka përgjegjësi strikt individuale. Nëse mund të përpiqemi ta shohim ndryshe besoj se bëhet më e qartë në sensin që qeveria, kryeministri, forca që udhëheq mban përgjegjësi për mënyrën se si reagojnë ndaj shfaqjes së shkeljes së ligjit dhe parimit të punës së përbashkët. Ne do mbanim përgjegjësi nëse do ishim të pavendosur dhe të kundër vendosur ndaj shfaqjeve të shkeljes së ligjit nga ana e cilitdo brenda rrethit të kësaj force qeverisëse që është i përbërë nga njerëzit që drejtojnë vendin. Unë jam njeriu më i interesuar që asgjë që përbën një shkelje të ligjit dhe dëm të interesit të publikut të mos kalojë  e pandëshkuar. Na duhet një drejtësi që të godasë ata që janë të veshur me pushte pa dallim, edhe brenda për brenda qeverisë. Ky është momenti për të ndarë rrugët për të gjithë ata që tradhtojnë qëllimet e përbashkëta. Ne e kemi hapur këtë rrugë. E kam thënë që na duhet një drejtësi që të godasë ata që janë të veshur me pushtet. Të godasë fenomene, fakte që tregojnë se një individ ka shkelur ligjin”, tha Rama.

Rama deklaroi gjithashtu se do të reformohen agjencitë e prokurimeve publike.

“Do të bëjmë marrëveshje me agjenci ndërkombëtare për prokurimet dhe do të bëhen nga një njësi e përqendruar. Do të heqim prokurimet nga ministritë dhe nga ana tjetër do të krijohen kushtet që agjenci që bëjnë prokurime të bashkëpunojnë me agjenci ndërkombëtare.

Paralelisht po punojmë për modelin e ri të inteligjencës artificiale që do të eliminojë 95% të punës së njeriut në prokurimet publike. Këto janë të gjitha hapa që kërkojnë kohën e tyre”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Bilanci 2023/ Rama: Përfituam 3.2 mld euro nga turizmi, viti më i miri për Shqipërinë! 3.5 mln euro të arkëtuara nga konfiskimet e shtesave pa leje


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?